Lidhje


Tragjedi në Minab: Amerikanët e goditën shkollën disa herë, OKB kërkon hetim për vrasjen e nxënësve

 

Forcat amerikane ishin ka shumë gjasa përgjegjëse për bombardimin e një shkolle fillore në qytetin jugor iranian të Minabit, i cili la të vdekur të paktën 168 fëmijë, si dhe mësues dhe staf, përfundoi Neë York Times (NYT) në një analizë të publikuar të enjten.

 

Sulmi i 28 shkurtit mbi shkollën e vajzave “Shajarah Tayyebeh” erdhi në ditën e parë të sulmit SHBA-Izrael ndaj Iranit, i cili çoi në vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei dhe disa komandantëve të lartë iranianë, si dhe qindra civilëve.

 

Në analizën e saj, e cila bazohej në pamje satelitore të sapopublikuara, postime të verifikuara në rrjetet sociale dhe video të gjeolokuara, NYT doli në përfundimin se shkolla u godit nga sulme të sakta në të njëjtën kohë me sulmet e shumta të forcave amerikane mbi një bazë detare ngjitur, që i përket Korpusit të Gardës Revolucionare Islame të Iranit (IRGC).

 

Pamjet historike tregojnë se ndërtesa e shkollës ishte e ndarë nga kompleksi ushtarak që në vitin 2016 dhe mbante shenja të qarta të një objekti arsimor civil, duke përfshirë një fushë sporti dhe murale për fëmijë.

 

Wes J. Bryant, një ish-ekspert i shënjestrimit të Forcave Ajrore të SHBA-së, tha për NYT se sulmet ishin goditje “objektive të përsosura”, duke sugjeruar se shkolla ishte ose një “identifikim i gabuar i objektivit” ose u godit në bazë të inteligjencës së vjetëruar, shkruan Rt.

 

BC publikoi një analizë të ngjashme të enjten, duke vënë në dukje se pamjet satelitore sugjerojnë se shkolla u godit disa herë, duke gjykuar nga shenjat e djegies rreth ndërtesës, dhe se afërsia e vendeve të goditjes midis bazës së IRGC-së dhe shkollës sugjeron se “goditja e zonës ishte e qëllimshme”.

 

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni kanë ofruar përgjigje evazive, me Sekretaren e Shtypit Karoline Leavitt që u tha gazetarëve të mërkurën se “Departamenti i Luftës po e heton këtë çështje”. Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, këmbënguli se forcat amerikane “asnjëherë nuk shënjestrojnë objektiva civilë”.

 

Të martën, mijëra njerëz u mblodhën në Minab për varrimin masiv. Pamjet treguan rreshta të gjatë varresh të vegjël e të cekët, dhe arkivolë të mbuluar me flamuj iranianë që kalonin mes turmave të njerëzve në zi. Një baba në vendngjarje akuzoi “Amerikën kriminelle” dhe Izraelin se janë “vrasës fëmijësh”.

 

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka bërë thirrje për një hetim, duke e quajtur sulmin një shembull të “mungesës së sensit dhe mizorisë së këtij konflikti”. UNESCO deklaroi se “vrasja e nxënësve” përbën një “shkelje të rëndë” të së drejtës ndërkombëtare humanitare.


Trump ndërron mendje: Nuk dua që kurdët të luftojnë në Iran!

 

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk dëshiron që grupet kurde të përfshihen në një ofensivë kundër Iranit, pavarësisht se disa prej tyre janë shprehur të gatshme për të luftuar.

 

Duke folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump tha se luftëtarët kurdë janë të gatshëm të hyjnë në Iran, por ai u ka kërkuar të mos e bëjnë këtë, sipas JP.

 

“Janë të gatshëm të hyjnë, por u kam thënë se nuk dua që ta bëjnë. Lufta është mjaft e ndërlikuar siç është. Nuk dua të shoh kurdët të lëndohen apo të vriten,” tha Trump.

 

Deklarata vjen pas raportimeve të fundit se grupe opozitare kurde iraniane, të vendosura kryesisht në rajonin autonom kurd të Irakut, mund të nisnin një ofensivë kundër regjimit iranian.

 

Vetë grupet kurde i kanë mohuar këto raportime, duke thënë se janë ende në pritje të zhvillimeve.

 

Vëmendja ndaj kurdëve u rrit pas 28 shkurtit, kur SHBA dhe Izraeli filluan sulme ndaj Iranit. Në ditët që pasuan, disa media raportuan gabimisht se grupet kurde kishin nisur një ofensivë brenda territorit iranian.

 

Ndërkohë, Irani i ka marrë seriozisht këto raportime dhe ka vazhduar sulmet me dron ndaj bazave të grupeve kurde në rajonin e Kurdistanit në veri të Irakut.

 

Në Iran veprojnë disa grupe kryesore kurde opozitare, përfshirë Partinë për Jetën e Lirë të Kurdistanit, Partinë Demokratike të Kurdistanit Iranian dhe disa fraksione të partisë Komala. Shumica e tyre janë bashkuar në një koalicion kundër regjimit iranian.

 

Analistët paralajmërojnë se një kryengritje e mundshme kurde mund të shkaktonte një efekt zinxhir në rajone të tjera të Iranit, ku jetojnë pakica të tjera si azerët, baluçët dhe arabët. Megjithatë, brenda opozitës iraniane ekzistojnë edhe përçarje, pasi disa grupe i shohin pakicat si lëvizje separatiste.

 

Sipas raportimeve, administrata amerikane po mban një qëndrim të kujdesshëm ndaj këtyre grupeve, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.

 

 


“Bloomberg”: Trump po shqyrton planin për rrëmbimin e uraniumit të Iranit

 

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, po shqyrton mundësinë e dërgimit të forcave speciale në terren për të sekuestruar uraniumin e Iranit, i cili është pasuruar afër nivelit të nevojshëm për një armë bërthamore. Lajmin e raportoi “Bloomberg News” duke cituar 3 zyrtarë diplomatikë të informuar për këtë çështje.

 

SHBA-të dhe Izraeli goditën objektet kryesore bërthamore të Iranit gjatë luftës 12-ditore qershorin e kaluar. Pasiguria në lidhje me uraniumin e pasuruar të Iranit po intensifikohet sepse kanë kaluar gati 9 muaj që kur inspektorët e Kombeve të Bashkuara verifikuan për herë të fundit vendndodhjen e tij, thanë zyrtarët.

 

“Ata nuk kanë qenë në gjendje ta gjejnë atë, dhe në një moment, ndoshta do ta gjejmë” – tha Trump të shtunën vonë, duke folur nga avioni “Air Force One”. “Ne nuk e kemi kërkuar, por është diçka që mund ta bëjmë më vonë.”

 

Një nga qëllimet e deklaruara të sulmeve ndaj Iranit ishte privimi i Republikës Islamike nga çdo aftësi për të prodhuar armë bërthamore. Megjithatë, sulmet ndaj objekteve vitin e kaluar e kanë komplikuar detyrën e zbulimit të uraniumit.

 

Sipas ekspertëve 450 kilogramët e uraniumit të pasuruar 60% nga regjimi i Iranit mund të konvertohet në armë të gatshme brenda disa javësh. Megjithatë çdo operacion për të sekuestruar materialin ka të ngjarë të kërkojë trupa amerikane ose izraelite në tokën iraniane, duke rrezikuar kalimin nëpër objekte nëntokësore të fortifikuara rëndë në mes të një lufte. Mbetet e paqartë nëse do të jetë një mision amerikan, izraelit apo i përbashkët.

 

Ka të ngjarë të ndodhë vetëm pasi të dy vendet të jenë të bindur se ushtria e Iranit nuk mund të paraqesë më një kërcënim serioz për forcat e përfshira.

 

Në një konferencë për shtyp të kongresit të martën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio u pyet nëse uraniumi i pasuruar i Iranit do të sekuestrohej. “Njerëzit do të duhet të shkojnë dhe ta marrin atë” – tha ai, pa specifikuar se kush. Një zyrtar i mbrojtjes izraelite tha se Trump dhe ekipi i tij po e shqyrtojnë seriozisht dërgimin e njësive të operacioneve speciale në Iran për misione specifike.

 

Një zyrtar amerikan tha se administrata ka diskutuar dy mundësi: heqjen e plotë të materialit nga Irani, ose dërgimin e ekspertëve bërthamorë për ta holluar atë në vend. Misioni ka të ngjarë të përfshijë operatorë specialë së bashku me shkencëtarë, ndoshta nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

 

Sipas Axios, dy burime me njohuri për çështjen thanë se operacione të tilla ishin pjesë e një menuje opsionesh që iu paraqitën Trump para luftës. NBC News raportoi të premten se Trump ka diskutuar idenë e vendosjes së një kontingjenti të vogël trupash amerikane në Iran për qëllime specifike strategjike. Opsionet e Trump për Iranin përfshijnë edhe një bastisje të Forcave të Operacioneve Speciale në vendet bërthamore.

 

Zyrtari amerikan shpjegoi edhe sfidat që ka ky operacion: “Pyetja e parë është, ku është? Pyetja e dytë është, si arrijmë tek ai dhe si e marrim kontrollin fizik? Dhe pastaj, do të ishte një vendim i presidentit dhe Departamentit të Luftës, CIA-s, nëse donim ta transportonim fizikisht apo ta hollonim në ambientet e tij.”

 

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë thonë se pjesa më e madhe e rezervave ndodhet në tunelet nëntokësore të objektit bërthamor në Isfahan, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë midis Fordow dhe Natanz.

 

Përtej uraniumit, zyrtarë të administratës i thanë Axios se ka pasur edhe diskutime për kapjen e Ishullit Kharg, një terminal strategjik përgjegjës për afërsisht 90% të eksporteve të naftës bruto të Iranit.


Mediat izraelite: Emiratet e Bashkuara Arabe sulmojnë për herë të parë Iranin

 

Mediat në Izrael raportojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer për herë të parë një sulm në territorin e Iranit.

 

Po sipas raportimeve, Izraeli e sheh këtë sulm, si një sinjal ndaj regjimit të Iranit.

 

Mediat izraelite paralajmërojnë se nëse sulmet nga Teherani do të intensifikohen, ekziston mundësia reale që Emiratet të përfshihen në konflikt në mënyrë të kufizuar.

 

Nga ana e saj, Abu Dhabi njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë zbuluar 17 raketa balistike, prej të cilave 16 janë shkatërruar dhe njëra ka rënë në det. Po ashtu, janë zbuluar 117 dronë.

 

Por këto pretendime izraelite janë mohuar nga Emiratet Arabe.

 


Izraeli godet objektet e naftës në Iran – shpërthime të fuqishme dhe tym toksik mbulojnë Teheranin

 

Izraeli ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, duke goditur disa depo dhe objekte të magazinimit të naftës në kryeqytetin Teheran dhe zonat përreth. Sulmet shënojnë një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit të vazhdueshëm mes Izraelit dhe Iranit.

 

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, avionët izraelitë kanë goditur të paktën katër depo të mëdha karburanti dhe një qendër transferimi të produkteve të naftës në rajonin e Teheranit dhe provincën Alborz, duke shkaktuar shpërthime të mëdha dhe zjarre të fuqishme që u panë nga kilometra larg.

 

Pas sulmeve, një re e dendur tymi dhe ndotjeje mbuloi kryeqytetin iranian. Banorët raportuan vështirësi në frymëmarrje, ndërsa autoritetet paralajmëruan se reshjet e mundshme mund të kthehen në “shi acid” për shkak të kimikateve të lëshuara nga depot e djegura të karburantit.

 

Sipas ushtrisë izraelite, objektivat e goditura ishin depo karburanti të lidhura me Gardën Revolucionare Iraniane, të cilat, sipas Tel Avivit, përdoren për furnizimin e operacioneve ushtarake të Iranit dhe të aleatëve të tij në rajon.

 

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane raportuan viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa paralajmëruan se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike mund të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe sigurinë rajonale.

 

Sulmet ndaj objekteve të naftës janë ndër më të rëndësishmet që nga fillimi i konfliktit aktual dhe kanë ngritur shqetësime për ndikimin në tregjet globale të energjisë. Analistët paralajmërojnë se një përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë edhe transportin e naftës në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të furnizimit me energji në botë.

 

Irani ka paralajmëruar se mund të përgjigjet duke goditur objektiva energjetike në rajon, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG