Lidhje


Zelensky: Negociatat e paqes Ukrainë–Rusi janë pezull për shkak të konfliktit në Iran

 

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë janë aktualisht të pezulluara për shkak të konfliktit në Iran.

 

Në një deklaratë video të publikuar në Telegram, Zelensky tha se Kievi është i gatshëm të rifillojë negociatat sapo kushtet ta lejojnë.

 

“Tani për tani, për shkak të situatës me Iranin, sinjalet e nevojshme për një takim trepalësh nuk kanë ardhur ende. Por sapo situata e sigurisë dhe konteksti më i gjerë politik të na lejojnë të rifillojmë punën diplomatike trepalëshe, kjo do të ndodhë. Ukraina është e gatshme për këtë,” u shpreh ai.

 

Zelensky falënderoi gjithashtu shërbimin e inteligjencës së Ukrainës, zyrën presidenciale dhe institucionet e tjera që po punojnë për organizimin e shkëmbimeve të reja të të burgosurve të luftës.

 

“Po punojmë për të sjellë në shtëpi të gjithë njerëzit tanë që mbahen robër nga Rusia. Shpresojmë për lajme të mira,” tha ai.

 

Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar këtë vit tre raunde bisedimesh paqeje të ndërmjetësuara nga SHBA – dy në Abu Dhabi dhe një në Gjenevë.

 

Javën e kaluar, Zelensky kishte lënë të kuptohej se raundi i radhës mund të zhvillohej në fillim të marsit, sërish në Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, sulmi i papritur i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt prishi shumë nga këto plane./AA


Presidenti i Kurdistanit irakian: Nuk do të bëhemi pjesë e konflikteve në rajon

 

 

Presidenti i Qeverisë Rajonale të Kurdistanit në Irak (KRG) deklaroi të mërkurën se rajoni nuk do të përfshihet në konfliktet që po zhvillohen në rajon dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve, sipas një deklarate zyrtare.

 

Nechirvan Barzani i bëri këto komente gjatë një telefonate me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, ku u diskutuan zhvillimet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe, njoftoi presidenca e KRG-së.

 

Dy zyrtarët shqyrtuan marrëdhëniet mes Iranit dhe Qeverisë Rajonale të Kurdistanit dhe diskutuan zhvillimet e fundit në rajon si dhe pasojat e mundshme të tyre. Të dyja palët theksuan rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

 

Barzani deklaroi se KRG-ja “nuk do të jetë pjesë e konflikteve” dhe se “do të vazhdojë të jetë një faktor paqeje”, duke mbështetur nismat diplomatike që synojnë uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e popujve të rajonit nga rreziku i luftës.

 

Palët theksuan gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së sigurisë në kufij për të parandaluar përpjekjet që mund të destabilizojnë rajonin ose të përshkallëzojnë më tej tensionet.

 

Sipas Ministrisë së Jashtme të Iranit, gjatë telefonatës u diskutuan edhe zhvillimet rajonale dhe pasojat e sulmeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

 

Barzani shprehu gjithashtu ngushëllime për Iranin për humbjen e jetëve në këto sulme dhe rikonfirmoi angazhimin e Qeverisë Rajonale të Kurdistanit për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet miqësore me Teheranin, thuhet në deklaratë.

 

Nga ana e tij, Araghchi tha se veprimet ushtarake kanë rritur pasigurinë në të gjithë rajonin dhe mund të kenë pasoja më të gjera edhe në nivel global.

 

Të dyja palët diskutuan gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit mes Iranit dhe KRG-së, përfshirë në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të sigurisë Iran-Irak, me synim ruajtjen e sigurisë kufitare dhe parandalimin që palë të treta të shfrytëzojnë rajonin për të krijuar paqëndrueshmëri.

 

Izraeli dhe SHBA-ja kanë vazhduar një ofensivë të gjerë kundër Iranit që prej së shtunës, duke shkaktuar të paktën 926 të vrarë, mes tyre edhe Ajatollah Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

 

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa, duke goditur objektiva në Izrael si dhe në vendet e Gjirit ku ndodhen baza dhe asete ushtarake amerikane./AA


Kryeministri i Irakut: Nuk do të lejojmë që territori ynë të përdoret për kërcënime ndaj Iranit

 

Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, deklaroi të mërkurën se Iraku nuk do të lejojë që nga territori i tij të lindë asnjë “kërcënim” kundër Iranit dhe dënoi sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj këtij vendi.

 

Al-Sudani i bëri këto komente gjatë një telefonate me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme iraniane të publikuar në platformën X të kompanisë amerikane të mediave sociale.

 

Të dy diskutuan zhvillimet rajonale në sfondin e sulmeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

 

Sipas deklaratës, Al-Sudani dënoi agresionin ushtarak ndaj Iranit dhe e cilësoi atë në kundërshtim me rregullat, parimet dhe etikën ndërkombëtare.

 

“Gjatë telefonatës, kryeministri irakian shprehu ngushëllimet e tij ndaj qeverisë dhe popullit të Iranit për martirizimin e Udhëheqësit Suprem të Republikës Islamike (Ajatollah Ali Khamenei), që ndodhi gjatë sulmit brutal të Shteteve të Bashkuara dhe regjimit sionist kundër Iranit”, thuhet në deklaratë.

 

Ai theksoi gjithashtu se qeveria irakiane “nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që nga kufijtë e Irakut të lindë ndonjë kërcënim ndaj Republikës Islamike”, shtohet më tej.

 

Nga ana e tij, Araghchi falënderoi qeverinë, popullin dhe autoritetet fetare të Irakut për qëndrimin e tyre në dënimin e sulmeve dhe për shprehjen e solidaritetit me Iranin.

 

Ai tha se iranianët janë të vendosur të mbrojnë dinjitetin e vendit, sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.

 

Araghchi e përshkroi gjithashtu paqëndrueshmërinë në rajon si rezultat të veprimeve të SHBA-së dhe Izraelit dhe theksoi rëndësinë e vigjilencës së vendeve rajonale dhe atyre islame për të parandaluar përpjekjet që synojnë destabilizimin e rajonit dhe krijimin e përçarjeve mes shteteve myslimane.

 

Izraeli dhe SHBA-ja kanë vazhduar një ofensivë të gjerë kundër Iranit që prej së shtunës, duke shkaktuar të paktën 926 të vrarë, mes tyre edhe Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

 

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa, duke goditur objektiva në Izrael si dhe në vendet e Gjirit ku ndodhen baza dhe asete ushtarake amerikane./AA


Turqia i përcjell shqetësimin Teheranit për municionin e neutralizuar iranian pranë hapësirës ajrore turke

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan i përcolli shqetësimin e Ankarasë homologut të tij iranian, Abbas Araghchi lidhur me një municion balistik të lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke që u neutralizua.

 

Gjatë bisedës telefonike, Fidan i tha Araghchit se çdo hap që mund të çojë në përshkallëzimin e konfliktit duhet të shmanget, thanë burimet e Ministrisë së Jashtme turke.

Read more ...


Ish-koloneli amerikan: “Trump po ju gënjen” – Macgregor paralajmëron katastrofë për SHBA në Lindjen e Mesme

 

 

Ish-koloneli i Ushtrisë së SHBA-së dhe analisti ushtarak Douglas Macgregor ka bërë deklarata të forta për situatën në Lindjen e Mesme, duke akuzuar administratën amerikane dhe median se po fshehin realitetin e konfliktit me Iranin.

 

Në një intervistë që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale dhe në disa media ndërkombëtare, Macgregor deklaroi se opinioni publik amerikan po mashtron për zhvillimet në terren.

 

“Trump po ju gënjen — të gjitha bazat tona ushtarake janë shkatërruar,” tha ai, duke shtuar se informacioni që po jepet nga media dhe establishmenti amerikan nuk pasqyron situatën reale në rajon.

 

Sipas Macgregor, “media kryesore, kontraktorët e mbrojtjes dhe establishmenti po ju gënjejnë për atë që po ndodh realisht në Lindjen e Mesme tani”.

 

Ai e përshkroi situatën si një zhvillim shumë më të favorshëm për Iranin sesa ishte parashikuar nga strategët amerikanë.

 

“Është një katastrofë, dhe Irani po ia del shumë më mirë sesa kemi menduar,” deklaroi ish-koloneli.

 

Macgregor pretendoi gjithashtu se Teherani po përfiton nga mbështetje indirekte nga dy fuqi të mëdha globale.

 

“Ne nuk po luftojmë vetëm me Iranin. Rusia dhe Kina po qëndrojnë në prapavijë dhe po furnizojnë qeverinë iraniane drejtpërdrejt me inteligjencë satelitore të nivelit të lartë. Ata po ndjekin çdo lëvizje tonën,” tha ai.

 

 

Sipas tij, ky rrjet inteligjence po i jep Iranit avantazh në fushën e betejës.

 

“Për shkak të këtij rrjeti inteligjence, Irani po përjeton suksese të mëdha kundër Izraelit dhe pozicioneve të SHBA-së,” u shpreh Macgregor.

 

Në deklaratat e tij ai paralajmëroi edhe për një rrezik më të madh strategjik për praninë ushtarake amerikane në rajon.

 

“Prania jonë në rajon po shembet aq shpejt, saqë Marina Amerikane po detyrohet të tërhiqet drejt porteve indiane vetëm për të mbijetuar,” tha ai.

 

Në fund të analizës së tij, ish-koloneli paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në një konflikt të gjatë dhe të kushtueshëm.

 

“Kjo është katastrofike. Ne po hyjmë në një luftë të gjatë, të zgjatur dhe të pashpresë në Lindjen e Mesme,” deklaroi Macgregor.

 

Ai shtoi gjithashtu një kritikë të fortë ndaj industrisë së mbrojtjes në SHBA.

 

“Kompleksi ushtarako-industrial po brohoret për një masakër, ndërsa ushtarët tanë janë si shënjestra të lehta,” përfundoi ai.

 

Deklaratat e Macgregor kanë nxitur debat të madh në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare, ndërsa autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar pretendimet e tij për shkatërrimin e bazave ushtarake amerikane në rajon.

XS
SM
MD
LG