Lidhje


Albin Kurti emëron Jeton Zulfajn kryenegociator të Kosovës me BE-në

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Jeton Zulfajn kryenegociator të Kosovës me Bashkimin Evropian.

 

“Zulfaj do të koordinojë procesin e integrimit evropian të Kosovës, i mbështetur nga strukturat përkatëse shtetërore”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

 

Zulfaj ka qenë këshilltar politik i Kurtit prej marsit të vitit 2021, ndërsa me emërimin e ri e zëvendëson kryenegociatorin e deritashëm, Besnik Bislimin.

 

Bislimi i ka udhëhequr edhe negociatat e Kosovës me Serbinë, të ndërmjetësuara nga blloku evropian në Bruksel. Në shkurt të këtij viti, Qeveria pati bërë të ditur se në këtë proces dialogu, Kosova do të përfaqësohet nga Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

 

Përveç rolit si kryenegociator me BE-në, sipas njoftimit, Zulfaj do të jetë edhe Koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), duke shërbyer si autoriteti kryesor koordinues në emër të Qeverisë për të gjitha çështjet që lidhen me këtë instrument.

 

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kërkesën për anëtarësim e ka dorëzuar në fund të vitit 2022, por ajo nuk është shqyrtuar ende.

 

Qeveria Kurti 3 është votuar më 11 shkurt, megjithatë Kosova vazhdon të përballet me paqartësi për shkak të ngrirjes së punës së Kuvendit.

 

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese një dekret të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, në pamundësi për të zgjedhur presidentin e ri.

 

Osmanit i skadon mandati më 4 prill.

 

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për ngrirje të punës së Kuvendit deri më 31 mars, derisa të qartësohet nëse dekreti i Osmanit është shpallur në përputhje me ligjin. /REL/


Meloni përjashton misionin ushtarak në Ngushticën e Hormuzit, thotë se BE-ja favorizon diplomacinë

 

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi të enjten se asnjë vend aktualisht nuk po shqyrton një mision ushtarak për të thyer me forcë bllokadën iraniane në Ngushticën e Hormuzit.

 

Meloni kundërshtoi ato që i cilësoi si interpretime të detyruara të një deklarate të përbashkët të Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Japonisë, e publikuar nga Downing Street, duke bërë të qartë se ajo nuk parashikonte përdorimin e forcës ushtarake dhe se vendet e Bashkimit Evropian nuk janë palë në konflikt, duke favorizuar në vend të kësaj diplomacinë dhe uljen e tensioneve.

 

Ajo sqaroi se pyetja që shtrohej ishte se si vendet mund të kontribuojnë për të garantuar lirinë e lundrimit, kur kushtet të jenë të përshtatshme në një fazë pas-konflikti dhe në marrëveshje të qartë me të gjitha palët e përfshira.

 

Deklarata e përbashkët, e mbështetur gjithashtu nga Kanadaja, dënoi sulmet iraniane ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturës civile energjetike në Gjirin Persik.

 

Ajo shprehu gatishmërinë për të “kontribuar në përpjekje të përshtatshme për të garantuar kalimin e sigurt përmes Ngushticës,” çka Meloni dhe liderë të tjerë evropianë e kanë interpretuar si mbështetje për sigurinë detare përmes diplomacisë, dhe jo përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake.


Mediat amerikane: Trump po shqyrton angazhimin e trupave tokësore në Lindje të Mesme

 

Disa media amerikane janë duke raportuar – duke cituar burime – se presidenti amerikan, Donald Trump është duke e shqyrtuar mundësinë e angazhimit të mijëra ushtarëve amerikanë shtesë për të forcuar operacionin në Lindje të Mesme, vendim që mund t’i japë Trumpit opsione shtesë në luftën kundër Iranit. Raportimet vijnë teksa vetë Trump e ka mohuar më 19 mars se synon dislokimin e trupave tokësore në rajon, ndonëse nuk e përjashtuar tërësisht si opsion.

 

“Nuk do të dislokohen trupat askund”, u ka thënë ai gazetarëve.

 

“Edhe nëse do ta veproja ashtu, nuk do t’ju tregoja juve. Por, jo. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme”.

 

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonime, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se “nuk është marrë asnjë vendim për të dislokuar ushtarë në terren, mirëpo presidenti Trump i ka të gjitha opsionet e hapura”.

 

“Presidenti është i fokusuar në arritjen e të gjithë objektivave në Operacionin Tërbimi Epik, shkatërrimin e kapaciteteve të raketave balistike të Iranit, shkatërrimin e marinës, garantimin që degëzime terroriste nuk mund ta destabilizojnë rajonin si dhe të garantojë që Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore”.

 

Pentagoni ka refuzuar të komentojë në këtë drejtim.

 

Megjithatë, raportime vazhdon të ketë. Agjencia Reuters, duke cituar katër burime, përfshirë dy zyrtarë amerikanë, ka thënë se trupat shtesë do t’i jepnin Trumpit mundësi për të siguruar rrugën detare që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.

 

Sipas burimeve, një operacion i tillë do të mund të kryhej nga forcat ajrore dhe detare, por që do të nevojiteshin edhe trupa shtesë amerikane nëpër brigjet e Iranit.

 

Sipas zyrtarëve amerikanë që kanë informacione për këto zhvillime, administrata amerikane është duke e shqyrtuar edhe mundësinë e angazhimit të trupave tokësore në Hargun e Iranit, ishull përmes së cilit kalojnë 90 për qind e eksporteve të naftës iraniane.

 

Një zyrtar ka thënë se një operacion i tillë do të ishte mjaft i rrezikshëm, marrë parasysh që Irani ka kapacitete për të goditur ishullin me raketa dhe dronë.

 

Forcat amerikane kanë kryer sulme kundër shënjestrave ushtarake në ishull më 13 mars. Atë ditë, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë shkatërruar të gjitha asetet ushtarake të ishullit, si dhe e kanë shkatërruar infrastrukturën e energjisë.

 

Ai pati kërcënuar edhe me goditje të infrastrukturës së naftës, çka do ta dëmonte rëndë ekonominë e Iranit, por edhe do t’i rriste çmimet e naftës edhe më shumë në nivel global./REL


Turqia dënon sulmet izraelite ndaj besimtarëve në Xhaminë Al-Aksa gjatë festës së Bajramit

 

 

Ky “akt barbarie nga Izraeli, që shkel ligjin, parimet dhe vlerat,” është shtuar si një tjetër faqe turpi në historinë e tij, deklaroi Burhanettin Duran.

 

Turqia dënoi të premten “fuqimisht” veprimet e Izraelit në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, duke akuzuar forcat izraelite se kanë sulmuar myslimanët që po përpiqeshin të falen në këtë vend – një nga më të shenjtët e Islamit – gjatë festës së Bajramit.

 

“Në një ditë si Fiter Bajrami, kur uniteti, paqja dhe vëllazëria përjetohen më thellë, ky sulm ndaj civilëve të mbledhur për falje bie qartësisht ndesh me lirinë e besimit dhe dinjitetin njerëzor,” tha Burhanettin Duran, drejtuesi i komunikimit në Turqi, në platformën sociale turke NSosyal.

 

“Ky akt barbarie nga Izraeli, që shpërfill ligjin, parimet dhe vlerat, i shtohet si një tjetër faqe turpi historisë së tij,” shtoi ai.

 

Duran u zotua se Turqia do të mbajë një qëndrim të fortë ndaj çdo shkeljeje që cenon statusin dhe shenjtërinë e Xhamisë Al-Aksa.


NATO zhvendos personelin e misionit në Irak drejt Evropës mes përshkallëzimit në Lindjen e Mesme

 

Pas zhvendosjes, Misioni i NATO-s në Irak do të vazhdojë operacionet nga Komanda e Përbashkët e Forcave në Napoli, Itali.

 

NATO ka zhvendosur të gjithë personelin e saj nga misioni në Irak drejt Evropës, njoftoi aleanca të premten, duke përmendur një ndryshim të pozicionimit operacional për shkak të përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme.

 

Në një deklaratë, Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE) konfirmoi se personeli i Misionit të NATO-s në Irak është larguar në mënyrë të sigurt nga Lindja e Mesme, me stafin e fundit që u largua nga Iraku më 20 mars.

 

“Dua të falënderoj Republikën e Irakut dhe të gjithë aleatët që ndihmuan në zhvendosjen e sigurt të personelit të NATO-s nga Iraku,” tha gjenerali Alexus Grynkewich, komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë.

 

Ai gjithashtu vlerësoi personelin e misionit për vazhdimin e operacioneve gjatë periudhës së tranzicionit.

 

Pas zhvendosjes, Misioni i NATO-s në Irak do të vijojë punën nga Komanda e Përbashkët e Forcave në Napoli të Italisë, thuhet në deklaratë.

 

Misioni mbetet një mision joluftarak, i fokusuar në këshillimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Irak.

 

Sipas deklaratës, objektivi i misionit është të ndihmojë Irakun në zhvillimin e forcave të sigurisë të qëndrueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse, të afta për të ruajtur stabilitetin, për të luftuar terrorizmin dhe për të parandaluar rikthimin e grupit terrorist ISIS (Daesh).

 

Përplasjet në rajon janë përshkallëzuar që prej 28 shkurtit, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme të përbashkëta ndaj Iranit, duke shkaktuar deri tani rreth 1,300 viktima, përfshirë edhe liderin suprem të atëhershëm, Ajatollah Ali Khamenei.

 

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.

XS
SM
MD
LG