50% e bizneseve i japin ryshfet administratës së Ramës për të mbaruar punë
Ryshfeti që bizneset paguajnë ndaj administratës publike në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit. Anketa tregon se 50% e bizneseve e konsiderojnë pagesën e ryshfetit si praktikë të zakonshme për të përfunduar punët me zyrtarët, nga 41% që ishte ky perceptim në vitin 2024, një rritje prej 9 pikë përqindje brenda vetëm një viti.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se është ulur numri i bizneseve që shprehen hapur kundër kësaj praktike, duke sinjalizuar një dobësim të rezistencës ndaj normalizimit të ryshfetit. Sipas raportit, klima e perceptuar e korrupsionit në marrëdhëniet mes biznesit dhe administratës është përkeqësuar, pavarësisht se shumë shërbime janë zhvendosur në platforma online.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria shënon një përkeqësim më të fortë se mesatarja ballkanike. Bosnja kryeson me 67% të bizneseve që e shohin ryshfetin si mekanizëm të zakonshëm, e ndjekur nga Mali i Zi me 59%, ndërsa Shqipëria renditet e treta me 50%. Sipas Barometrit, barra administrative, paqartësitë rregullatore dhe trajtimi selektiv i bizneseve formale dhe informale krijojnë hapësirë për pagesa të parregullta./joq