Lidhje


Si po mashtrohen shqiptarët duke blerë apartamente me 2700 euro metri katror

 

Ngjarja e rëndë e pasdites së sotme pranë QSUT-së, ku një pallat u përfshi nga flakët në një kohë rekord, ka nxjerrë sërish në dritë një nga skandalet më të mëdha të ndërtimit në Tiranë: raportin mes çmimit "luksoz" dhe cilësisë skandaloze të materialeve. Ndërsa flakët "përpinë" fasadën brenda pak minutash, ajo që mbetet pas është hiri i një investimi që qytetarëve u kushton sa një jetë.

Read more ...


SKANDAL NË JON: Greqia firmos për gazin, por hartat fshijnë kufirin me Shqipërinë!

 

Mediat greke shkruajnë se sot në Athinë pritet të nënshkruhet marrëveshja për shpimet në “Bllokun 2” në Detin Jon, duke shënuar një hap të rëndësishëm për nisjen e kërkimeve për gaz nga konsorciumi ExxonMobil, Energean dhe HELLENiQ Energy. Projekti parashikon që shpimi i parë eksplorues të kryhet në vitin 2027, duke rikthyer aktivitetin në këtë zonë pas gati gjysmë shekulli.

 

Por paralelisht me këtë zhvillim, mediat greke kanë publikuar edhe hartat përkatëse të zonave të kërkimit (me të verdhë), ku bie në sy se kufiri detar në veri të “Bllokut 2” paraqitet sipas një vije të ndërprerë, që përkon me versionin grek të delimitimit me Shqipërinë.

 
Harta e kërkimeve e publikuar nga mediat greke
Harta e kërkimeve në “Bllokun 2” e publikuar nga mediat greke

 

Në këto harta, vija e ndërprerë që tregon se kufiri është i pafinalizuar, i jep efekt të plotë ishujve grekë përballë bregdetit shqiptar, duke e shtyrë kufirin drejt veriut, pavarësisht se ai mbetet ende i pazgjidhur juridikisht dhe pjesë e një procesi të pritshëm ndërkombëtar.

 

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj për marrëveshjen detare të vitit 2009 rrëzoi përdorimin e një ndarje mekanike dhe theksoi se kufiri duhet të jetë rezultat i një procesi të drejtë, jo thjesht matematik.

 

Siç thuhej në vendimin e Kushtetueses për kufirin: “Nuk duhej të ishte zbatuar parimi i barazlargësisë strikte… duhej zbatuar parimi i barazlargësisë i kombinuar me ekuitetin” 

 

Po ashtu, Gjykata vuri në dukje efektin shtrembërues të ishujve grekë në këtë ndarje duke thënë mes të tjerash se: “Ishulli i Korfuzit krijon rrethana gjeografike… në disfavor të palës shqiptare”.

 

Pjesë e konsorciumit që do të kryejë shpimet është kompania gjigande amerikane ExxonMobil, ku disa muaj më parë u emërua ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

 

Ndërsa në cermoninë e kontratës së shpimit për Bllokun 2 në Detin Jon Veriperëndimor do të marrë pjesë, veç palës greke, edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë, Kimberly Guilfoyle, që pak javë më parë ishte në një takim me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.


Shqipëria, e para në rajon për rritjen e çmimeve, sipas fuqisë blerëse

 

Në 10 vitet e fundit Shqipëria i është afruar BE-së me çmimet e larta më shpejt se çdo vend i Rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2015 niveli i çmimeve sipas fuqisë blerëse ishte sa 48.3% e mesatares së BE, duke pasur çmimet më të lira në rajon, së bashku me Maqedoninë e Veriut.

 

Në një dekadë, ndërsa pagat vijojnë të mbeten më të ulëtat në rajon, çmimet kanë kërcyer.

 

Në vitin 2024, (e dhëna e fundit e Eurostat), çmimet në tërësi ishin sa 70.6% e mesatares së BE-së, duke e renditur vendin tonë si më të shtrenjtin në rajon, nga më i liri që ishte një dekadë më parë, duke ia kaluar Serbisë e Malit të Zi, që kanë pasur historikisht produktet më të shtrenjta.


Eurostat e mat treguesin e nivelit të çmimeve në raport me mesataren e BE-së, bazuar në fuqinë blerëse, ku mesatarja e Bashkimit Europian merret 100%. Ky tregues tregon sa të shtrenjta janë çmimet në një vend krahasuar me mesataren e BE-së, duke marrë parasysh fuqinë blerëse, pra sa mallra dhe shërbime mund të përballohen realisht me të njëjtën shumë parash.

 

Një dekadë më parë, çmimet në vend ishin sa gjysma e mesatares së BE-së, ndërsa në 2024-n ishin sa dy të tretat e BE-së. Madje çmimet e ushqimeve për herë të parë kapën mesataren e Bashkimit Europian (101%) dhe ishin më të shtrenjtat në rajon.

 

Kjo ecuri dëshmon se kostoja e jetesës në Shqipëri po i afrohet me ritme të shpejta niveleve europiane, duke u shtrenjtuar ndjeshëm për konsumatorin vendas, por ndërkohë pagat dhe pensionet nuk po ndjekin të njëjtin trend. Teksa çmimet tona po europianizohen me shpejtësi, pagat mesatare në Shqipëri mbeten ende në nivele shumë më të ulëta.


Të dhëna të tjera të publikuara më herët nga Monitor treguan se paga mesatare në vend vijon të jetë më e ulëta në rajon, duke e bërë më të ndjeshme rritjen e çmimeve.

 

Paga mesatare mujore bruto, që marrin punonjësit në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Bosnjë-Hercegovinë ishte 30-50% më e lartë sesa e atyre shqiptarë, bazuar në statistikat e vendeve përkatëse. Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte 860 euro në 2025-n, përkundrejt 1290 euro në Serbi, 1245 euro në Bosnjë Hercegovinë, 1206 euro në mal të Zi, 1100 euro në Maqedoninë e Veriut. Vetëm Kosova e ka pagën më të ulët në 639 euro, për vitin 2024.

 

Të dhënat tregojnë se çmimet në vendin tonë pësuan një rritje të fortë pas vitit 2021. Rritja e kërkesës nga turizmi masiv ka ushtruar presion mbi çmimet e shërbimeve dhe ushqimeve, banesave dhe qirave, të cilat sipas raporteve të fundit të Eurostat, kanë arritur nivele që në disa kategori i kalojnë edhe vendet fqinje të BE-së.


Shqipëria ka arritur standardin europian me çmimet shumë më shpejt se sa te të ardhurat, duke krijuar një presion të lartë mbi buxhetet familjare, ku një pjesë e madhe e pagës shkon vetëm për nevojat bazë si ushqimi dhe strehimi. Familjet shqiptare janë të vetmet që çojnë 40% të shpenzimeve për ushqim e pije joalkoolike, nga 13% që është mesatarja e BE-së, ndërsa në rajon kjo peshë varion nga 25-35%.

 

Rajoni amortizon çmimet, Shqipëria nuk mundet dhe shkon të blejë tek fqinjët


Konvergjenca e çmimeve, tregon se diferenca e dikurshme e madhe mes kostos së jetesës në rajon dhe asaj në Europë po ngushtohet me ritme të shpejta, veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit. Në fillim të periudhës, në vitin 2015, vendet e Rajonit ( Bosnia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria) luhateshin mes 48% dhe 56% të nivelit të çmimeve të BE-së, ndërsa në 2024, ky raport ka pësuar një rritje domethënëse. Shqipëria spikat si rasti më ekstrem, nga një vend që në vitin 2015 kishte një nivel çmimesh prej vetëm 48.3% të mesatares evropiane, ajo arriti në 70.5% në vitin 2024.

 

Në krahun tjetër, Serbia dhe Mali i Zi ndjekin një trend rritës por shumë më të avashtë. Në vitin 2024 çmimet në Serbi ishin sa 67% e mesatares së BE-së, nga 51.4 % qind që ishin në 2015, duke shënuar një rritje 15.6 pike% në krahasim me mesatare n e BE-së. Kjo ecuri e Serbisë reflekton integrimin e saj të shtuar në zinxhirët e furnizimit evropian dhe rritjen e pagave në sektorin privat. Mali i Zi rezulton gjithashtu më i lirë se Shqipëria me çmime mesatare sa 64.2% e BE me rritje 8 pikë % në krahasim me 2015.

 

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina paraqesin një ecuri më të ngadaltë të çmimeve, duke u renditur me kostot më të ulëta në Rajon. Bosnja i kishte çmimet sa 58.4% e BE-së me 2024 me rritje vetëm 4.6 pike % në krahasim me 2025. Në Maqedoninë e Veriut çmimet ishin sa 54% e mesatares së Be-së me 2024, me rritje 6 pike % në krahasim me 2015, duke u renditur me koston më të ulët në rajon.


Diferenca e çmimeve është e lartë jo vetëm bazuar në fuqinë blerëse, por edhe në vlerë absolute. Kjo ka bërë që shumë familje shqiptare, sidomos në kufi, të bëjnë blerje në vendet e rajonit. Shembulli kryesor është nafta, që në Shqipëri është 30-40% më e shtrenjtë se në Mal të Zi apo Serbi, duke nxitur “turizmin” e blerjeve jashtë. E njëjta tendencë është dhe për ushqimet, që shumë i blejnë në Mal të Zi, Maqedoni, apo dhe në Greqi, deri te ilaçet./ Monitor

XS
SM
MD
LG