Lidhje


Pse duhet të marrë fund “marrëdhënia e veçantë” SHBA-I.zrael

Dekada të tëra mbështetjeje të pakushtëzuar të SHBA-së për Izraelin e kanë dëmtuar, në vend që ta kenë çuar përpara, paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. Palestinezët kanë qenë viktimat kryesore të këtyre dështimeve, por edhe Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë e  paguar një kosto.

 

Nga Andrew P.Miller “Foreign Affairs”

 

Lidhja midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ka mbetur jashtëzakonisht e ngushtë për 3 dekadat e fundit. SHBA-ja ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin gjatë ditëve të vështira të procesit të paqes të viteve 1990 me Organizatën për Çlirimin e Palestinës; Intifadës së Dytë, kryengritjes 5-vjeçare palestineze që filloi në vitin 2000; dhe më pas, gjatë dy dekadave të ardhshme, në një seri konfliktesh në Gaza dhe Liban.

 

Lidhja e veçantë vazhdoi gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit dhe luftës që pasoi në Gaza, me dy administrata presidenciale amerikane që i dhanë Izraelit mbështetje diplomatike dhe ushtarake kryesisht të pakushtëzuar.

 

Por lufta në Gaza, e ka bërë të qartë gjithashtu, se ruajtja e kësaj lloj marrëdhënieje të ngushtë, shoqërohet me kosto shumë të larta. Me pak përjashtime - më së shumti armëpushimi që hyri në fuqi në fillim të tetorit- Uashingtoni është përpjekur pa sukses që të diktojë sjelljen e Izraelit gjatë luftës.

 

Dhe ky dështim nuk është një anomali; ai është i rrënjosur në natyrën e marrëdhënies SHBA-Izrael. Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Britania mund të kenë midis tyre një “marrëdhënie të veçantë”, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë një “marrëdhënie të jashtëzakonshme”.

 

Ndaj Izraelit SHBA-ja ka një trajtim që nuk e gëzon asnjë aleat ose partner tjetër. Kur vendet e tjera blejnë armë amerikane, shitjet i nënshtrohen një mori ligjesh të SHBA-së. Ndërkohë Izraeli nuk është detyruar kurrë t’i zbatojë vërtet ato.

 

Partnerët e tjerë përmbahen nga shfaqja e preferencave të hapura për një parti politike amerikane; udhëheqësit e Izraelit e bëjnë këtë dhe nuk përballen me pasoja. Uashingtoni nuk mbron zakonisht politikat e një vendi tjetër që janë në kundërshtim me të sajat, dhe as nuk bllokon kritikat e lehta ndaj tyre në organizatat ndërkombëtare.

 

Ndërkohë, kur flitet për Izraelin kjo është praktikë standarde. Ky lloj përjashtimi që bëhet për Tel Avivin, i ka penguar interesat e të dy vendeve, përveçse ka shkaktuar dëm të madh mbi palestinezët. Në vend se të ndihmojë në sigurimin e mbijetesës së Izraelit - qëllimi kryesor - mbështetja e pakushtëzuar e SHBA-së ka mundësuar shfaqjen e instinkteve më të këqija të udhëheqësve izraelitë.

 

Rezultatet kanë qenë rritja e pamëshirshme e vendbanimeve të paligjshme izraelite dhe dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor dhe viktimat masive civile në Gaza, së bashku me urinë në disa zona. Mbështetja amerikane, ka mundësuar veprime të pamatura ushtarake izraelite në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe i ka përshkallëzuar rreziqet ekzistenciale të vetë Izraelit.

 

Në Shtetet e Bashkuara, lufta në Gaza e ka gërryer në mënyrë dramatike mbështetjen publike për Izraelin, me qëndrime të pafavorshme ndaj këtij të fundit në nivele rekord në të gjithë spektrin politik. Për të gjitha këto arsye, marrëdhënia aktuale SHBA-Izrael nuk mund të vazhdojë në formën e saj aktuale për një kohë të pacaktuar.

 

Ajo kërkon një paradigmë të re dhe më të qëndrueshme, në lidhje me mënyrën se si Uashingtoni angazhohet me vendet e tjera, përfshirë aleatët e tij më të ngushtë. Kjo qasje e re duhet të përfshijë pritshmëri dhe kufizime të qarta, llogaridhënie për pajtueshmërinë me ligjin amerikan dhe atë ndërkombëtar, kushte për mbështetje kur politikat izraelite shkojnë kundër interesave të SHBA-së dhe mosndërhyrje në politikën e brendshme.

 

Me pak fjalë, një marrëdhënie dypalëshe shumë më normale. Për Shtetet e Bashkuara, ky rregullim i vonuar është një detyrim strategjik, politik dhe moral. Nga parandalimi i aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli e deri tek krijimi i një strategjie të përbashkët për të adresuar programin bërthamor të Iranit, një marrëdhënie normale SHBA-Izrael do të prodhonte rezultate më të mira sesa një marrëdhënie e “jashtëzakonshme”, që shumë shpesh nxit sjellje të rrezikshme izraelite dhe e dobëson ndikimin global të Uashingtonit.

 

Nëse Shtetet e Bashkuara e vonojnë këtë transformim, rezultati mund të jetë dëmtimi i pozicionit të saj ndërkombëtar, distancimi pothuajse total i Izraelit nga populli amerikan dhe pjesa tjetër e botës, si dhe kolapsi i shoqërisë palestineze në Gaza dhe përfundimisht në Bregun Perëndimor. Ndryshimi i kursit para se të jetë tepër vonë, është në interesin më të mirë të të gjithëve - amerikanëve, izraelitëve dhe palestinezëve.

 

Së pari, duhet të arrihet një mirëkuptim mbi qëllimet dhe objektivat e përbashkëta por dhe të ndryshme, çfarë është i përgatitur të bëjë secili vend për të mbështetur interesat e tjetrit dhe cilat veprime do ta rrezikonin këtë mbështetje. Pra të identifikohen si pritshmëritë, ashtu edhe kufizimet.

 

Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet të zbatojnë ligjet, rregulloret dhe standardet amerikane dhe ndërkombëtare ndaj Izraelit në të njëjtën mënyrë siç bëjnë me vendet e tjera. Këtu duhet të përfshihet ligjet Leahy mbi shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, Akti i Ndihmës së Huaj dhe Ligji i Konfliktit të Armatosur, i cili kërkon që palët ndërluftuese të bëjnë dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve në të gjitha operacionet ushtarake.

 

Për shembull, një njësi e ushtrisë izraelite që abuzon me palestinezët duhet të mbahet përgjegjëse në mënyrë të përshtatshme nga sistemi ligjor izraelit; dhe derisa të zbatohet një dënim i tillë, njësia nuk duhet të marrë ndihmë nga SHBA-ja.

 

Kjo është praktikë standarde e SHBA-së në marrëdhëniet me vendet e tjera, duke përfshirë ato me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë një traktat mbrojtjeje të ndërsjellë. Mosndëshkimi vetëm sa inkurajon shkelje të mëtejshme, madje edhe midis aleatëve.

 

Së treti, kushtëzimi duhet të bëhet një tipar i marrëdhënies SHBA-Izrael. Edhe aleatët më të ngushtë nuk motivohen gjithmonë nga thirrjet për miqësinë, aleancën dhe mbështetjen e dikurshme.

 

Kur është ky rasti, kushtëzimi i formave të ndryshme të ndihmës amerikane, mund të imponojë ose të kërcënojë të imponojë një kosto të prekshme për ata që veprojnë kundër interesave të SHBA-së, duke rritur gjasat që ata të ndryshojnë kursin, ose të paktën ta distancojnë Uashingtonin nga sjellja e tyre nëse nuk e bëjnë këtë.

 

Së fundmi, Uashingtoni duhet të këmbëngulë që të dyja palët të përmbahen nga ndërhyrja në politikat elektorale dhe partiake të njëra-tjetrës. Netanjahu ka ndërhyrë vazhdimisht në politikën e brendshme amerikane për të çuar përpara axhendën e tij.

 

Për shembull, duke mbështetur pothuajse tërësisht kandidatin republikan Mit Romni për president në vitin 2012, dhe duke folur para një sesioni të përbashkët të Kongresit në vitin 2015, me ftesë të anëtarëve republikanë, për të denigruar marrëveshjen bërthamore me Iranin. Edhe administratat amerikane janë gjithashtu të përfshira në politikën izraelite, por më rrallë. Shembulli më i dukshëm ishte një përpjekje e administratës Klinton për të mbështetur kundërshtarin e Netanjahut si kryeministër, Shimon Peresin, në zgjedhjet e vitit 1996 duke e ftuar atë në Shtëpinë e Bardhë pak javë para se izraelitët të shkonin në votime.

 

Problemi nuk është se një qeveri shpreh pikëpamjet e saj mbi veprimet e një tjetre apo takohet me politikanë dhe zyrtarë të opozitës; por kur e bën këtë me qëllimin për të forcuar një parti të caktuar. Asnjë administratë amerikane nuk do të toleronte llojin e ndërhyrjes së hapur që Izraeli ka ndërmarrë nga ndonjë partner tjetër.

 

Një veprim i tillë, është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që duhet të ekzistojë midis aleatëve. Dhe në rastin e raporteve SHBA-Izrael, kjo i ka dëmtuar të dyja vendet.

 

Dekada të tëra mbështetjeje të pakushtëzuar të SHBA-së për Izraelin kanë dëmtuar, në vend se ta kenë çuar përpara, paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.

 

Palestinezët kanë qenë viktimat kryesore të këtyre dështimeve, por edhe Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë e paguar një kosto. Dhe derisa të zgjidhet problemi thelbësor me marrëdhënien dypalëshe, ky çmim vetëm do të rritet.

 

Nëse duan që raporti midis tyre të mbijetojë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli do të duhet të përshtaten, duke kaluar nga një bashkëpunim i jashtëzakonshëm, por vetë-shkatërrues, në një marrëdhënie më normale që mund të formojë ende bazën e një aleance.

 

Për sa kohë që Trump është në Zyrën Ovale dhe Netanjahu me koalicionin e tij ekstremist janë në krye të qeverisë izraelite, është e dyshimtë nëse Uashingtoni do të angazhohet plotësisht për një qasje të re koherente dhe të institucionalizuar.

 

Megjithatë, nuk është shumë herët për të filluar të përballemi me atë që ka shkuar keq dhe për të diskutuar se si ta rregullojmë qasjen. Nëse do të humbet mundësia e radhës për të rivendosur marrëdhënien gjithnjë e më të cenueshme SHBA-Izrael, kjo do të jetë e dëmshme si për amerikanët, izraelitët ashtu edhe palestinezët.

 

Marrë me shkurtime

XS
SM
MD
LG