Deri tani, në dy shkrime, duke u mbështetur mes të tjerash në botimin më së fundi në Tiranë nga Fondacioni Arsimor Kulturor Humanitar i të gjitha botimeve të “Kalendarit Kombiar” (drejtuar prej rilindasve Kristo Luarasi dhe Mit’hat Frashëri në vitet 1897-1928), vumë në dukje se na kanë shpëtuar nga vëmendja e duhur dy rrethana: e para, Naim Frashëri me librin e tij poemë të zjarrtë “Istori ei Skënderbeut” ka dëshmuar që në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë profilin e qartë të një politikani mjaft aktiv për të luftuar me armë në dorë sundimin osman dhe çliruar Shqipërinë; e dyta, që midis tij dhe të vëllait filozof dhe enciklopedist, politikan projektues i organizimit të ardhshëm proevropian të shtetit tonë, Sami Frashërit, kishte një diferencim.
DISKURSI NAZIST NË TEMPULLIN E DEMOKRACISË
Nga Bashkim Aliu
Me 28.05.2024, në parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u zhvillua seanca konstituive për përbërjen e njëmbëdhjetë të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u zhvilluan më 8 maj. Me 76 vota pro dhe 6 kundër si kryetar i Parlamentit u zgjodh deputeti nga koalicioni VLEN, Afrim Gashi. Zgjedhja e një shqiptari në krye të organit ligjvënës, u kundërshtu ashpër nga partia nacionaliste “E Majta”. Nga foltoreja e parlamentit, i cili njihet si “tempull i demokracisë”, para zgjedhjes, kryetari i kësaj partie mbajti një fjalim me diskurs ksenofob, që nxori në pah urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.
Sjelljet, veprimet dhe vokabullari skajshmërisht diskriminues i disa eksponentëve partiakë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e që në mënyrë më flagrante manifestohet përmes foltores së parlamentit të RMV-së dhe mediuemeve të tjera publike nga partia “Levica” (E Majta) dhe nga kryetari i saj Dimitar Apasiev, flasin për një urrejtje patologjike kundër avansimit të të drejtave të shqiptarëve autoktonë, që akoma vazhdon të kultivohet në mendjet dhe shpirtërat e disa palëve në këtë vend.