SHBA drejt rishikimit rrënjësor të politikës së jashtme, Trump gati të ndërpresë financimit të gjykatave ndërkombëtare, edhe në ballkan
Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka nisur përgatitjet për ndryshime të thella në politikën e jashtme dhe atë gjyqësore, duke përfshirë anulimin ose reduktimin drastik të financimit për gjykatat ndërkombëtare dhe projektet gjyqësore që kanë ndikuar për dekada në rajone të ndryshme, përfshirë Ballkanin, raporton Newsmax Balkans, duke cituar burime pranë administratës.
Sipas këtyre burimeve, në Uashington ka filluar një proces rishikimi i gjerë i mbështetjes financiare për institucionet gjyqësore ndërkombëtare, të cilat administrata e re i konsideron si “të vjetëruara”, të politizuara dhe të paqëndrueshme financiarisht. Pretendohet se gjatë dekadave të fundit SHBA ka investuar mbi 100 miliardë dollarë në gjykata ndërkombëtare, dhoma të specializuara dhe fonde të ndryshme gjyqësore në mbarë botën.
Burimet theksojnë se qëndrimi dominues në administratën Trump është parimi “Amerika e para”, me synimin për të shmangur ndërhyrjet në çështjet e brendshme të vendeve të tjera, veçanërisht kur ato, sipas tyre, rëndojnë mbi taksapaguesit amerikanë. Si pjesë e këtij rishikimi, financimi për gjykatat ndërkombëtare mund të pezullohet plotësisht, ndërsa fondet të ridrejtohen drejt prioriteteve të brendshme të SHBA-së.
Në fokus të mundshëm janë edhe institucionet që kanë luajtur rol kyç në Ballkan, përfshirë këshillat e specializuar në Kosovë dhe projekte të tjera gjyqësore ndërkombëtare në rajon, të cilat kanë qenë kryesisht të mbështetura nga fondet amerikane.
Debate për rolin e administratës së mëparshme
Sipas Newsmax Balkans, në Uashington po diskutohet gjithnjë e më shumë edhe roli i ish-Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken dhe i aparatit të politikës së jashtme të administratës Biden. Burimet pretendojnë se ky aparat ka ndërtuar një sistem ndikimi politik përmes sanksioneve dhe proceseve gjyqësore ndërkombëtare, përfshirë në Ballkan, duke ushtruar presion ndaj udhëheqësve rajonalë që nuk përputheshin me interesat amerikane të asaj kohe.
Sipas këtyre pretendimeve, institucionet ligjore dhe gjyqësore ndërkombëtare kanë qenë pjesë përbërëse e këtij mekanizmi, i cili, sipas burimeve, shpesh është udhëhequr nga interesa politike dhe personale, duke lënë pas një situatë të ndërlikuar institucionale në rajon.
Administrata Trump nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar publik mbi këto plane, por burimet pranë saj sugjerojnë se vendime konkrete mund të merren në muajt në vijim./syri.net