Lidhje


Netanyahu fajëson Albanesen për sulmin te.rrorist: Lejove antisemitizmi të përhapet

Udhëheqës nga e gjithë bota shprehën shqetësimin e tyre për sulmin terrorist të së dielës në plazhin Bondi, ku të paktën 16 persona humbën jetën. Në disa raste, reagimet u shoqëruan edhe me kritika të ashpra ndaj qeverisë australiane për mangësi të pretenduara në trajtimin e antisemitizmit gjatë dy viteve të fundit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se i kishte shkruar homologut të tij australian, Anthony Albanese, në muajin gusht, duke paralajmëruar se vendimi i qeverisë për të njohur një shtet palestinez “i hedh benzinë zjarrit të antisemitizmit, i inkurajon ata që kërcënojnë hebrenjtë australianë dhe nxit urrejtjen ndaj hebrenjve që tashmë po shfaqet në rrugët tuaja”.

 

Ai pretendoi se Albanese kishte “zëvendësuar dobësinë me dobësi dhe pajtimin me më shumë pajtim”.

 

“Qeveria juaj nuk bëri asgjë për të ndalur përhapjen e antisemitizmit në Australi. Nuk bëtë asgjë për të frenuar qelizat kancerogjene që po rriteshin brenda vendit tuaj. Nuk morët asnjë veprim. Lejuat që sëmundja të përhapej dhe rezultati janë sulmet e tmerrshme ndaj hebrenjve që pamë sot”, është shprehur ai.

 

Albanese refuzoi të përgjigjej drejtpërdrejt kur u pyet për komentet e Netanyahut gjatë një konference për media të hënën në mëngjes.

 

“Ky është një moment për unitet kombëtar. Ky është një moment që australianët të bashkohen. Pikërisht këtë do të bëjmë”, tha Albanese si përgjigje.

 

Netanyahu vlerësoi veprimet e një kalimtari që i rrëmbeu armën njërit prej sulmuesve, duke thënë se përshëndeste “një burrë trim mysliman” që parandaloi vdekjen e “hebrenjve të pafajshëm”.

 

“Por ne tani jemi të shqetësuar për njerëzit tanë, për sigurinë tonë, dhe nuk qëndrojmë në heshtje. Ne luftojmë ata që përpiqen të na shfarosin”, tha Netanyahu.

 

Ndërkohë, presidenti izraelit, Isaac Herzog, tha në një video mesazh të publikuar online se “terroristë të neveritshëm shënjestruan qëllimisht familje hebreje të pafajshme që po festonin natën e parë të Hanukës”.

 

“Populli i Izraelit qëndron së bashku me të gjithë ju në këtë moment shumë të errët dhe të vështirë, populli hebre është i fortë, i qëndrueshëm dhe i bashkuar, dhe mesazhi ynë është i qartë, dritat e Hanukës duhet të vazhdojnë dhe do të ndizen në mbarë botën, veçanërisht në plazhin Bondi, në Sidnei dhe në gjithë Australinë”, u shpreh Herzog./euronews

XS
SM
MD
LG