Zelensky i gatshëm të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim të Ukrainës në NATO, në këmbim të garancive të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa. Lëvizja synon të nxisë përparimin e bisedimeve të paqes që po zhvillohen në Berlin, raporton Financial Times. “Po flasim për garanci bilaterale sigurie mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, pra garanci sipas modelit të Nenit 5, si edhe për garanci sigurie për ne nga partnerët tanë europianë dhe vende të tjera si Kanadaja, Japonia dhe të tjerë”, ka deklaruar Zelensky.
Bisedimet mes Zelenskyt dhe përfaqësuesve të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, së bashku me kancelarin gjerman Friedrich Merz, përfunduan sot pas më shumë se pesë orësh diskutimesh intensive dhe pritet të vazhdojnë edhe nesër.
Nga ana e tij, Steve Witkoff deklaroi se gjatë takimeve me presidentin ukrainas është shënuar “shumë përparim” lidhur me një propozim për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë./panorama