Vlera strategjike e rrënjëve farefisnore, paradigmës qytetëtimore dhe pranëvendosjes globaliste në marrëdhëniet e sotme Turqi-Kosovë
Milazim KRASNIQI/ Prishtinë
Pavarësisht sentimenteve historike e interesave aktuale, marrëdhëniet ndërmjet shteteve e kombeve në kohën tonë, nuk janë asnjëherë statike, madje as të sigurta se nuk kalojnë nga një gjendje normaliteti në ndonjë gjendje krize a konflikti. Dinamikat e marrëdhënieve nuk varen vetëm prej vullneteve e interesave të shteteve a kombeve konkrete, po edhe nga akterë të tjerë, të cilët me dinamikat e veta, qoftë konstruktive, qoftë destruktive, shkaktojnë zhvendosje të vazhdueshme të raporteve.
Brenda kësaj logjike e dinamike duhet të shihen edhe marrëdhëniet e sotme të Turqisë me Shqipërinë, me Kosovën e me Maqedoninë e Veriut, po të kufizohemi në këto tre shtete, ku interesat shqiptare janë të theksueshme. Natyrisht kufizimi është vetëm kondicional, sepse edhe marrëdhëneit e Turqisë me Serbinë dhe me Bosnjen e Hercegovinën, që përbëjnë një trilaterale të proklamuar, po edhe me shtetet e tjera ballkanike, kanë ndikimet e veta. Përtej kësaj kornize rajonale e gjeopolitike, në formën e rrathëve koncentrikë, mbi këto marrëdhënie të Turqisë me shtetet tona, ndikojnë edhe politikat e integrimit të Bashkimit Evropian, politika e zgjerimit e NATO, lidershipi global i SHBA-së, roli malinj i Rusisë, ndikimi separat i Britanisë së Madhe, inkursionet ekonomike e teknologjike të Kinës e madje edhe akterë të tjerë më pak ndikues.
Në tërë këtë hartë marrëdhëniesh e ndikimesh, shtetet e vogla e të dobëta si Kosova, e cila as nuk as është anëtare e OKB-së, ka mundësi fare të vogla të paraqitet si partner kredibil përballë shtetesh të mëdha e të fuqishme sikundër është në kohën tonë edhe Turqia. Kosova, po deri dikund edhe Maqedonia e Veriut e edhe Shqipëria kanë tregje të vogla e të varfëra, janë shtete në tranzicion dhe me një konfuzion latent lidhur me orientimet e tyre strategjike. Kjo gjendje e tyre paraqet vështirësi për vetë këto shtete, po paraqet vështirësi edhe për shtetet e mëdha që synojnë të kenë marrëdhënie strategjike me to, sikundër ka synim edhe Turqia. Prandaj në shtete të tilla të vogla e në tranzicion, duhet të ketë më shumë kreativitet në kërkimin e pikave më të forta për partneritet me shtete më të mëdha, në këtë rast specifikisht për parnteritet strategjik me Turqinë.
Ku mund të gjenden këto pika në rastin e Kosovës e të Shqipërisë, pjesërisht edhe të Maqedonisë së Veriut? Do të përpiqem t’i identifikoj disa prej tyre. E para dhe më e rëndësishmja në këtë rast ka të bëjë me lidhjet emocionale që e kanë motivin te lidhjet farefisnore e fetare. Emigrimi i shqiptarëve drejt Turqisë ka histori të gjatë dhe ndikim evident në marrëdhëniet turko-shqiptare.
Por, kontigjentet e shqiptarëve që shkuan në Turqi gjatë luftërave ballkanike e më vonë, kryesisht nga Kosova, paraqesin kontigjentin më të rëndësishëm për modelimin e marrëdheniëve turko-kosovare në kohën tonë. Pasardhësit e këtyre kontigjenteve kanë ende një lidhje emocionale me mymleqetin, si i quajnë ata Kosovën dhe viset shqiptare nga të cilat janë dëbuar me spastrim etnik e gjenocid paraardhësit e tyre.
Nuk e di sa është tipike përvoja ime, por po e ekspozoj me këtë rast, me synimin që ta provokoj debatin në këtë aspekt, pra në kërkim të mundësive të fuqizimit të marrëdhënieve shqiptaro-turke, mbi atë sentiment dhe mbi atë mundësi. Unë jam rritë në një familje ku shpesh të rriturit flisnin për familjarët që ishin shpërngulur në Turqi në vitin 1913, disa në vitet pesëdhjetë. I kujtonin, qanin kur mernin lajm se ndokush prej tyre kishte vdekur, hapnin të pame për ta. Ndonëse nuk i kishin takuar me decenie, i përjetonin si të ishin prezent dikund aty afër. Në vitin 1988 shkova për herë të parë te të afërmit tanë në Arifi të Adapazarit. Nuk arrij ta përshkruaj atë gëzim të tyre, atë ngashërim, atë afrimitet familjar. Dy episode nga ato që më kanë rrëfyer janë ilustruese: dada Hyrë në ditën e Bajramit e kishte zakon të vendoste tre gur para vetes e bënte bajram me ta, sikur po ua uronte festën vëllezërve, Çunit, Bajramit e Hasanit. (Hasani ishte baba im.) Ndërsa nipi ynë, Ali Xhakja, e kishte zakon që shpesh në mbrëmje mblidhte fiq të freskët e i fuste në valixhe dhe thoshte se të nesërmen do të nisej për te dajtë në Kosovë. Aliu nuk arriti kurrë të vinte në Kosovë, por rrëfimin e tij unë e kam pasë shndërruar në poezi. Këto janë vargjet për udhëtimin e tij të planifikuar e të parealizuar. Vargjet janë këto: “A thua janë pjekur tashmë ullinjtë/Në Arifi/ A pikin vetiu nga rrembat/E rrokullisen kodrinës/ Deri në liqen/ A thua shëtit ende Ali Gjakja/Tërë ditën e lume nëpër ullishtë/Duke kërkuar shëmbëllesa/ Me fytyrën mjegullore të atdheut/Që e la e më s’e pa// Mos janë kalbur tashmë ullinjtë/E mbetur veç bërthamat/Dhe Ali Gjakja vetë rrokulliset kodrinës/T’i lajë sytë në liqen/Që t’i kujtohet më e plotë/ Përralla për Udhën që s’kthen.”
Pra, nga përvoja ime mund të them se ato lidhje ende janë aktive dhe mund të shndërrohen në energji të rinjohjes farefisnore, po edhe të ndikimit e bashkëpunimit ndërmjet shteteve tona. Njërëzit që kanë prirje për t’u afruar më shumë, për t’i besuar njëri tjetrit më shumë në biznes, për ta përkrahë njëri tjetrin në vështirësi më shumë, mund t’i japin shtysë bashkëpunimit politik, kulturor e ekonomik edhe shteteve. Kjo mundësi e afrimit dhe forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë deri sot ka mundur të ketë ndonjë efekt spontanisht, por nuk është kalkuluar si element strategjik për këto marrëdhënie. Ndërsa, tash nuk ka shumë kohë në dispozicion për shfrytëzimin e kësaj përparësie, meqë gjeneratat e fundit janë gjithnjë e më të shkëputura edhe shkaku i ndikimitn të koncepteve postmoderniste mbi jetën e tyre. Pra, mundësitë ende janë në dispozicion.
Si ilustirm po evokoj një inicativë të një shoqate të Kosovës në vitet nëntëdhjetë, e cila sot në Kosovën e pavarur do të mund të shndërrohej në politikë shtetërore. Në vitet nëntëdhjetë ajo shoqatë bëri një apel që të jipeshin troje falas për shqiptarët që do të ktheheshin nga Turqia në Kosovë. Mediet patën raportuar për shumë raste që u falën troje për këtë destinim. Njëri prej njerëzve që pata dhuruar publikisht pesë ari tokë kam qenë edhe unë. Në kulmin e okupimit, kjo ishte një iniciativë thjesht patriotike, por me simbolikë të fuqishme. Kjo ishte iniciativë e një shoqate dhe pati shumë jehonë, ndërsa shtetet kur kanë projekte të qarta dhe që i shndërrojnë në pioritete strategjike mund të bëjnë gjëra të mëdha edhe më të kaluarën e vdekur e lëre më me njerëzit e gjallë. Pra, edhe ajo iniciativë sot mund të modelohet, fjala vjen, në një ligj që do t’ua jipte të drejtën e kthimit atyre që do të dëshironin të ktheheshin në atdheun e të parëve të vet. Bile në këtë rast edhe Turqia do të mund të ofronte ndihmë për këtë projekt, me çka do të distancohej politikisht nga projektet e gabueshme të viteve tridhjetë e pesëdhjetë të shekullit XX, pra nga Marrëveshja Stojadinoviq-Aras dhe nga Marrëveshja Tito-Kyprilli. Edhe pse ato marrëveshje nuk qenë ratifikuar, në kujtesën tonë kanë lënë një vrragë, e cila do të duhej të eliminohej. Pra, besoj se ka nevojë për një lloj distancimi zyrtar nga ajo politikë, e cila e ndihmoi shpërnguljen e shqiptarëve, me ç’rast Turqia, ndonëse me motive të tjera, ishte palë me Serbinë e Jugosllavinë për spastrimin etnik të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën okupimin e Serbisë/Jugosllavisë. Iniciativa edhe po të jetë simbolike, mund të ketë një rol rehabilitues në raportet e Kosovës e të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Turqinë.
Mund të them se pas pavarësimit të Kosovës, ndër shqiptarët në Turqi ka pasë një rikthim të vëmendjes ndaj Kosovës, gjë që mund të shërbejë në kuadër të një projekti më shumëplanësh bashkëpunimi ndërmjet sy vendeve. Në këtë kontekst do të duhej të bëhej një identifikim i familjeve me prejardhje shqiptare, që ende kanë një vëmendje për vendlindjen e të parëve të tyre, të shikoheshin kapacitetet e tyre intelektuale e ekonomike dhe të hartoheshin politika për aktivizimin e tyre në drejtim të bashkëpunimit shumëplanësh me Kosovën, Maqedoninë e Veriut e me Shqipërinë. Sikundër dihet, pas pavarësisë së Shqipërisë më 1912, nga Turqia u kthyen shumë ushtarakë, politikanë e diplomatë, të cilët patën dhënë kontribute të mëdha për konsolidimin fillestar të shtetit shqiptar. Përvojat e tilla nuk duhet të harrohen, përkundrazi duhet të shfrytëzohen ehde në realitetet e reja. Nga ana tjetër, komuniteti turk në këto shtete është i identifikuar dhe realisht i aktivizuar për të ndikuar në marrëdhëniet turko-shqiptare, megjithëse kapacitetet e tij demografike janë të limituara.
E lidhur me këtë përpjekje të riaktivizimti të lidhjeve farefisnore e të lidhjeve me vendlindjen, do të ishte edhe riafirmimi, në një sfond të së ashtuquajturës paradigmë qytetërimore, të ngjarjeve të përbashkëta dhe figurave të përbashkëta historike e kulturore. Në këto ngjarje mund të përfshihen luftërat ballkanike, Lufta e Parë Botërore, me luftën e Qanakalasë si simbol të saj, koha e bombardimit të Jugosllavisë nga NATO, kontributi i Turqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, orientimet e përbashkëta euroatlantike të Turqisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e të Kosovës. Ndërsa figura të përbashkëta si Qyprillinjtë, familja e Vlorajve, familja Frashëri, Jahja Dukagjini, Hoxha Tahsini, Mehmet Akifi e shumë të tjerë, do të shërbenin si pika të afrimit, mirëkuptimit e miqësisë. Në këtë kontekst, rindërtimi i fshatit të prejardhjes së Qyprillinjve dhe shëndërimi i tij në atraksioin turistik, i cili sot është i rrënuar dhe i braktisur, do të mund të merrte vlera konkrete të arimit e mirëkuptimit.
Një ndihmesë të madhe brenda asaj paradigme, do të mund të jipet nga shkenca turke për ndriçimin e së vërtetës për Betejën e Kosovës, e cila edhe sot qëndron në qendër të konfliktit ndërmjet serbëve e shqiptarëve. Veçmas në këtë çështje historiografia turke e ka një obligim moral ndaj Kosovës, të cilin jam i bindur se ka dokumente e kapacitetet që ta ndriçojë. Distancimi për një kohë të gjatë i Turqisë moderne nga trashëgimia osmane, ka lënë pasoja edhe në këtë çështje. Por, më ndryshimet evidente që kanë ndodhë në Turqi, sa i takon qëndrimit ndaj trashëgimisë osmane, edhe kjo temë do të mund të rishikohej. Në këtë kontekst, mund të ofrojnë kontribute studiuesit shqiptarë që studiojnë në universitetet turke e të cilët financohen me bursa nga qeveria turke. Me prioritet ata do të duhej të orientoheshin në studimin e këtyre ngjarjeve e figurave, që mund të ndriçojnë të vërtetat historike dhe të kontribuojnë edhe për miqësinë e kombeve tona sot dhe në të ardhmen. Turqia është hapur shumë në decenien e fundit ndaj studentëve shqiptarë, por më duket se kjo më shumë përshkohet nga njëfarë dashamirësie spontane e gati naive, se sa nga ndonjë projekt.
Në fakt pa riaktivizimin komplementar të komponentes emocionale dhe komponntes që mbështetet në paradigmën qytetërimore, nuk mund të ketë rezultate. Këtë e ilustroj edhe ky fakt: në vitet 2008-2011, sa kam qenë anëtar i Bordit drejtues të Universitetit të Prishtinës, janë nënshkruar rreth dhjetë marrëveshje bashkëpunimi të universitetit tonë me universitete turke. Në marrëveshje figurojnë një spektër i aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta akademike, por në realitet pak gjë është realizuar. Ka një lloj mungese të identifikimit, ka edhe një shkallë refuzimi të bashkëpunimit me turqit, që motivohet nga islamofobia, e cila në Kosovë është shumë aktive dhe me gjasë e sponsorizuar.
Prandaj ana emocionale e mbështetur në lidhjet farefisnore, e fuqizuar nga mbështetja në një paradigmë të qartë qytetërimore, në kuptimin hantingtonian, janë me rëndësi vendimtare në këtë kontekst.
Disa nga iniciativat turke në këtë aspekt tashmë kanë dhënë rezultate konkrete: restaurimi i disa xhamive emblematike në Kosovë si Xhamia e sulltan Mehmet Fatihut dhe Xhamia e Çarshisë në Prishtinë e Xhamia e Sinan Pashës në Prizren. Ndërsa ndërtimi i Xhamisë së re në Prishtinë, e cila është në proces ndërtimi, poashtu është e financuar nga Turqia, gjë që gjithsesi lidhet me atë tërheqje magnetizuese të paradigmës qytetërimore. Mesazhi i këtyre investimeve dhe projekteve është se Turqia e konsideron trashëgiminë islame në Kosovë edhe vlerë të sajën dhe nga ana tjetër, financon një xhami të re e moderne e që mund të bëhet simbol i Prishtinës për të ardhmen.
Sa u përket marrëdhënieve brenda pranëvendosjes globabiste, mund të thuhet se ajo ndodhë edhe pa ndonjë projekt, meqë bota është shndërruar në një fshat global, ku ndërvarësia është rritur tej mase. Në rastin e Kosovës ndërvarësia ka të bëjë edhe me statusin e saj ende të pezullt, më saktë si një krizë ndërkombëtare, e cila menaxhohet nga disa organizata ndërkombëtare, veçmas nga OKB në bazë të rezolutës 1244 dhe në bazë të Marrëveshjes Ushtarake-Teknike ndërmjet NATO-s dhe ish RFJ-së. Në këtë kontekst, prezenca e Turqisë është signifikante veçmas në kuadër të KFOR-it. Momentalisht Turqia e kryeson të gjithë prezencën ushtarake të NATO-s në kuadër të KFOR- it në Kosovë dhe ka një numër të konsiderueshëm ushtarësh. Përballë kësaj prezence në mision paqeruajtës, Turqia është prezente në Kosovë edhe me një numër të madh të serialeve televizive, të cilat tashmë kanë një audiencë të madhe. Pra, ndërmjet ruajtjes së paqes me ushtarë të armatosur dhe ofrimit të argëtimit me seriale televizive, prezenca e Turqisë në Kosovë është mjaft dinamike dhe sfiduese.
Në këtë spektër të pranëvendosjes globaliste hyjnë edhe aktivitete si menaxhimi i aeroportit të Prishtinës, shkolla Maarif, qendra kulturore e shumë biznese e aktivitete të tjera, që së bashku e dëshmojnë një marrëdhënie aktive ndërmjet dy vendeve. Fatkeqësisht kjo pranëvendosje është më shumë njëdrejtimëshe, pasi Kosova nuk ka ndonjë prezencë as biznesore e as kulturore në Turqi. Ka një parapëlqim për plazhet e Antalisë, që është produkt i një shoqërie konsumeriste. Kosova po edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të duhej të hartonin plane të prezencës e bashkëpunimit arsimor e kulturor, duke pasur si target edhe komunitetin që ka prejardhje shqiptare. Mundësi që ofron pranëvendosja globaliste ende as që ka filluar të kuptohet e lëre më të shfrytëzohet. Bile as studentët e të diplomuarit shqiptarë në universitetet turke, ende nuk janë futur në një plan që të përdoren si asete të bashkëpunimit.
Një fushë shumë e madhe bashkëpunimi brenda procesit të globalizimit është në shtetet e Bashkimit Evropian, ku shqiptarët dhe turqit në shumë raste frekuentojnë xhamitë e përbashkëta dhe marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta humanitare. Krahas njohjeve personale e familjare, kjo mundëson edhe këmbimin e përvojave, veçmas nga shqiptarët që kanë organizime më të dobëta e përvoja më të pakta se sa organizimi fetar turk nën ombrellën e Dianetit.
Një mundësi gjithsesi e madhe e bashkëpunimit mbetet në tërë hapësirën e integrimeve evropiane, meqë si Turqia edhe Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut aspirojnë anëtarësimin në BE. Ndërsa brenda atlantizmit tashmë mund të thuhet se këto shtete janë bashkë dhe kjo paraqet dhe një impuls shtesë të bashkëpunimit. Besoj se edhe brenda kësaj kornize të madhe gjeopolitike e gjeokulturore, Turqia mund të ketë rolin e shtetit bërthamë për disa shtete të rajonit që quhet Ballkani Perëndimor. Roli i Turqisë në këto vitet e fundit, nën udhëheqjen energjike dhe guximtare të presidentit Erdogan është në rritje, si në Kaukaz, ashtu edhe në Lindjen e Mesme. Por, jo aq edhe në Ballkan e Evropë. Ndërsa fuqizimi në Ballkan e në Evropë është test për fuqizimin e saj të vërtetë. Pse? Sepse Shteti Osman ka lindur dhe është shndërruar në perandori globale me fuqizimin e tij në truallin ballkanik-evropian. Prandaj edhe Turqia e sotme duhet ta testojë fuqizimin e vet në sfidat ballkanike e evropiane. Në këtë hapësirë, si në të kaluarën edhe sot, shqiptarët janë aleatët e saj të natyrshëm. Tash, përveç me lidhjet farefisnore e me paradigmën qytetërimore islame, edhe në një kornizë gjeopolitike e gjeokulturore shumë më të gjerë, në kornizën gjeopolitike e gjeokulturore të atlantizmit.
(11 tetor 2023)