Hamasi: S’ka kuptim të vazhdojnë negociatat nën bllokadë, shfarosje dhe urie
Kryetari i Hamasit në Rripin e Gazës, Khalil al-Hayya, deklaroi të dielën se “nuk ka kuptim të vazhdojnë negociatat ndërkohë që populli ynë po përjeton bllokadë, shfarosje dhe uri”.Në një fjalim të publikuar në Telegram, ai bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm të popujve arabë dhe muslimanë drejt Palestinës, si dhe për rrethimin e ambasadave izraelite me qëllim thyerjen e bllokadës ndaj Gazës.
Al-Hayya u bëri apel vendeve arabe dhe islame që të ndërpresin çdo marrëdhënie politike, diplomatike dhe tregtare me Izraelin, si dhe të bojkotojnë ekonominë dhe turizmin izraelit.Ai theksoi se Hamasi ka treguar fleksibilitet në negociata për 22 muaj, por Izraeli është tërhequr nga raundi i fundit i bisedimeve me mbështetje të qartë amerikane, duke përdorur negociatat si mjet për të zvarritur kohën dhe për të ushtruar presion ndaj Gazës.Sipas tij, Izraeli vazhdon të përdorë ndihmat si “kurthe vdekjeje” dhe synon të krijojë një zonë tampon në Rafah për të shtyrë popullsinë drejt zhvendosjes jashtë Gazës, duke zbatuar një plan të rrezikshëm për spastrimin etnik të palestinezëve.Ai hodhi poshtë ndihmat ajrore të kufizuara si “skena propagandistike që nuk zëvendësojnë hyrjen e ndihmave në mënyrë të denjë përmes pikave kufitare”.