Lidhje


Vriten 11 civilë në sulmet e Izraelit në Gaza

Në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në Rafah në jug të Rripit të Gazës të bllokuar dhe në kampin e refugjatëve Nuseyrat në pjesën qendrore humbën jetën 11 civilë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

 

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, avionët luftarakë izraelitë bombarduan një shtëpi në lagjen Tel es-Sultan të qytetit Rafah. Në sulm humbën jetën 6 palestinezë, kryesisht fëmijë ndërsa shumë persona u plagosën.

 

Në sulmin ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Nuseyrat humbën jetën 5 palestinezë, mes tyre 3 fëmijë. Ka pasur persona të plagosur në sulmin në rajonin El-Bassa të Deir el-Belah.

 

Forcat izraelite kryen sulme të shumta ajrore në kampin e refugjatëve Al-Megazi në pjesën qendrore të Gazës, në rrethin Al-Shujaiyyah në lindje të qytetit të Gazës dhe në kampin e refugjatëve Jabalia në veri.

 

Burimi: AA


Anketa: 80 për qind e amerikanëve mendojnë se politikat e Bidenit lidhur me Gazën nuk i shërbejnë paqes

Një anketë e zhvilluar nga CBS News, zbuloi se vetëm 20 për qind e amerikanëve mendojnë se administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, i shërben paqes lidhur me Rripin e Gazës.

 

CBS News zhvilloi një anketë me 2.144 pjesëmarrës të rritur amerikanë në datat 6-8 dhjetor.

 

Sipas sondazhit, 34 për qind e të anketuarve thonë se veprimet e qeverisë së SHBA-së nuk i shërbejnë paqes lidhur me Gazën, ndërsa 20 për qind e tyre mendojnë se e kanë afruar drejt zgjidhjes paqësore.

 

Ndërsa ata që mendojnë se veprimet e administratës së Bidenit nuk kanë ndonjë ndikim, përbëhet nga 46 për qind e pjesëmarrësve. Po ashtu 61 për qind e të anketuarve thanë se nuk pajtohen me "mënyrën e trajtimit të luftës Izrael-Hamas" nga presidenti Biden.

 

Ky qëndrim tregon ndryshime në përgjigjet nga grup-moshat e ndryshme. Ndërsa 68 për qind e pjesëmarrësve të moshës 30-44 vjeç nuk i miratuan veprimet e Bidenit. Kjo situatë është vërejtur edhe tek 63 për qind e grup-moshës 45-64 vjeç, 60 për qind e grup-moshës 65 vjeç e lart dhe 50 për qind e grup-moshës 18-29 vjeç.

 

Ka rritje në mesin e demokratëve që mendojnë se Izraelit po i jepet mbështetje më shumë sesa duhet

 

Shumica e të anketuarve preferojnë të mos komentojnë rreth qasjes së Bidenit ndaj protestave pro-palestineze në SHBA ndërsa theksohet se numri i atyre që duan dënimin e këtyre protestave është më i madh sesa i atyre që mbështesin ato.

 

Vihet në dukje se qasja e Bidenit ndaj Izraelit ka shkaktuar dallime në rritje edhe brenda Partisë Demokratike.

 

Burimi: AA


Hamasi: Në 48 orët e fundit kemi vrarë 40 ushtarë izraelitë dhe kemi shkatërruar 44 automjete ushtarake

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Kassam, njoftuan se në 48 orët e fundit kanë vrarë 40 ushtarë izraelitë dhe kanë shkatërruar 44 automjete ushtarake.

 

Nga llogaria Telegram e Brigadave Kassam u bë një deklaratë ku thuhet se "Në të gjitha frontet e konflikteve në Rripin e Gazës kemi shkatërruar 44 automjete ushtarake gjatë 48 orëve të fundit".

 

Po ashtu në deklaratë theksohet se "Kemi vrarë 40 ushtarë izraelitë dhe kemi plagosur dhjetëra të tjerë në veprimet ku janë shënjestruar forcat izraelite që kanë hyrë në Rripin e Gazës nga toka".

 

Ndër të tjera në deklaratë informohet se "përmes kurtheve janë hedhur në erë shumë ndërtesa, është shënjestruar qendra e komandës tokësore e forcave izraelite si dhe janë shënjestruar me mortaja dhe raketa të distancës së shkurtër zonat e grumbullimit të ushtarëve izraelitë".

 

Izraeli ende nuk ka bërë një deklaratë lidhur me këtë.

 

Burimi: AA


Altun: Izraeli përhap lajme të rreme për të fshehur gjenocidin në Gaza

Drejtori i Komunikimeve i Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun, tha se fushatat sistematike të dezinformimit të Izraelit për të mbuluar "masakrat brutale" të tij në Gaza duhet të përballen me përpjekje të bashkërenduara për t'iu kundërvënë atyre fushatave.

 

"Në një përpjekje për të fshehur mizoritë dhe masakrat që arrijnë nivelin e gjenocidit, Izraeli ka fabrikuar sistematikisht lajme mashtruese dhe dezinformata, duke punuar për t'i shpërndarë ato", tha Altun në Forumin e shtatë vjetor të TRT World, ngjarje e cila mbahet në Istanbul.

 

Për të parandaluar përdorimin e dezinformimit si një instrument "helmues" në betejat globale dhe rajonale për pushtet, Altun theksoi se komunikimi strategjik është i domosdoshëm.

 

Ai theksoi përpjekjet e Qendrës së Türkiyes për Luftimin e Dezinformimit për të ndihmuar në zbulimin e gënjeshtrave të shpërndara nga Tel Avivi. "Ne ekspozuam qindra gënjeshtra nga Izraeli", tha ai, duke shtuar se "çdo ekspozim thellonte krizën e legjitimitetit me të cilën përballet Izraeli".

 

Duke folur më tej rreth bashkëpunimit ndërkombëtar të Türkiyes, veçanërisht nën Organizatën e Bashkëpunimit Islam dhe Këshillin Turk, ai theksoi përpjekjet në edukimin rreth mediave sociale dhe punën individuale për të luftuar dezinformimin.

 

“Në krizat e fundit, duke përfshirë pandeminë globale, luftën e Karabakut, konfliktin Rusi-Ukrainë dhe veprimet e Izraelit në Gaza, ne kemi parë se komunikimi strategjik mund të frenojë helmin e dezinformatave në betejat globale dhe rajonale për pushtet”, tha ai.

 

Teksa mbahet Forumi Botëror i TRT-së, pjesëmarrësit nga Türkiye dhe e gjithë bota pritet të përfshihen në diskutime gjithëpërfshirëse mbi tema të ndryshme, duke pasqyruar temën e ngjarjes "Të lulëzojmë së bashku: Përgjegjësitë, veprimet dhe zgjidhjet".

 

Burimi: AA


Erdoğan: Turqia e gatshme të marrë përgjegjësi për të parandaluar gjakderdhjen në Gaza

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan tha se vendi i tij është i gatshëm të marrë përgjegjësi për të parandaluar gjakderdhjen në Gaza.

 

Erdoğan, mbajti një fjalim në hapjen e aktivitetit "TRT World Forum 2023" që u mbajt në Istanbul.

 

"Türkiye është e gatshme të marrë përgjegjësi për të parandaluar gjakderdhjen, shkatërrimin e mëtejshëm", tha Erdoğan duke folur në lidhje me luftën që ndodh në Palestinë.

 

"Sot e kuptojmë më mirë se institucionet ndërkombëtare që kanë për detyrë sigurimin e paqes dhe sigurisë globale, nuk kanë aftësi për zgjidhjen e problemeve", shtoi ai.

 

Duke tërhequr vëmendjen në vrasjen e punonjësve të medias në Gaza, presidenti turk rikujtoi se deri më tani në Gaza kanë humbur jetën mbi 70 punonjës të mediave. "Ku është bota, ku janë ata organet e njohura botërore mediatike? Pse nuk e ngritin zërin?", pyeti Erdoğan, duke shtuar:

 

"Kartelet globale të medias po përpiqen ta anashkalojnë brutalitetin në Gaza, ta legjitimojnë masakrën ndaj gazetarëve duke u arsyetuar në Hamasin".

 

Erdoğan, mes tjerash në fjalimin e tij, u ndal edhe tek vrasja e kameramanit të Anadolu-t në sulmet ajrore izraelite. "Ne kemi një dëshmor tek Anadolu. Ku? Në Gaza", tha ai.

 

Montaser Al-Sawaf, një kameraman i pavarur i Anadolu-t që raportonte nga Gaza, u vra në sulmet ajrore izraelite të premten e kaluar. Sulmi erdhi një javë pasi 45 anëtarë të familjes së tij të gjerë, përfshirë prindërit dhe vëllezërit e tij, u vranë në një sulm të mëparshëm ajror izraelit.

 

Erdoğan përgëzoi shtëpitë mediatike turke për punën e tyre gjatë kësaj periudhe. "Përgëzoj TRT-në, Anadolu-n dhe mediat tona tjera për hapjen e një korridori jetik komunikimi nga Gaza drejt botës duke marrë çdo lloj rreziku", theksoi presidenti turk.

 

Ai më tej tha se Izraeli, "me gjithë barbarizmin e tij nuk mund të thyej vendosmërinë e banorëve të Gazës për rezistencë", duke theksuar se ai gjithashtu është duke humbur luftën e propagandës në media.

 

Duke folur për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe mbështetësit e tij, Erdoğan tha: "Këta janë terroristë si ndihmës të terrorizmit dhe do të gjykohen patjetër në Gjykatën e Drejtësisë në Hagës".

 

"Ashtu siç Millosheviqi u gjykua dhe u dënua, besoj se edhe Netanyahu dhe bashkëkryerësit e tij në fund do të gjykohen dhe dënohen", shtoi Erdoğan duke vazhduar:

 

"Nëse nuk mund të parandalojmë mizorinë e Izraelit, askush në asnjë vend të botës nuk mund të ndihet i sigurt. Sepse Kutia e Pandorës tashmë është hapur".

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG