Lidhje


NATO refuzon planin e Trump për bllokadën në Ngushticën e Hormuzit: Angazhim vetëm pas përfundimit të konfliktit

 

Aleatët e NATO-s kanë deklaruar se nuk do të përfshihen në planin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për vendosjen e një bllokade në Ngushtica e Hormuzit, duke sinjalizuar një ndarje të qartë qëndrimesh brenda aleancës.

 

Sipas deklarimeve të fundit, disa vende të NATO-s kanë theksuar se do të angazhohen vetëm pas përfundimit të armiqësive, duke mbështetur më shumë një mision stabilizues dhe jo një ndërhyrje në fazën e konfliktit aktiv.

 

Plani i SHBA-së dhe sqarimet ushtarake


Trump kishte deklaruar se ushtria amerikane do të bashkëpunonte me partnerë ndërkombëtarë për të kufizuar trafikun detar në Ngushticë, pas dështimit të bisedimeve me Iranin gjatë fundjavës për të arritur një marrëveshje.

 

Megjithatë, më vonë autoritetet ushtarake amerikane sqaruan se çdo bllokadë do të zbatohej vetëm ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, duke e kufizuar fushën e veprimit të operacionit.

 

Qëndrimi i Evropës: “Jo përfshirje në luftë”


Vende kyçe evropiane si Britania dhe Franca kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në një bllokadë ushtarake aktive. Kryeministri britanik Keir Starmer tha se vendi i tij nuk do të përfshihet në luftë dhe se prioritet mbetet sigurimi i lundrimit detar pas përfundimit të konfliktit.

 

Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar një iniciativë shumëkombëshe për të garantuar lirinë e lundrimit në zonë, por vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për ndërprerje të armiqësive.

 

Qëndrimi i NATO-s dhe roli i ardhshëm


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca mund të luajë rol në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit vetëm nëse të 32 vendet anëtare bien dakord për një mision të përbashkët.

 

Disa vende evropiane janë shprehur të gatshme të kontribuojnë, por vetëm pas arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një marrëveshjeje me Iranin që garanton sigurinë e anijeve tregtare.

 

Tensione të reja mes SHBA-së dhe aleatëve


Refuzimi i aleatëve të NATO-s për të mbështetur menjëherë planin e Trump pritet të shtojë tensionet brenda aleancës, në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe disa kryeqyteteve evropiane janë tashmë të ndjeshme.

 

Analistët paralajmërojnë se mosmarrëveshjet mbi strategjinë në Ngushticën e Hormuzit mund të kthehen në një tjetër pikë përçarjeje në politikën transatlantike.


OKB: Lufta në Iran mund të çojë 32 milionë njerëz drejt varfërisë

 

Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara thekson se 32 milionë njerëz të tjerë mund të shkojnë drejt varfërisë në mbarë botën, për shkak të ndikimit të luftës në Iran.

 

“Bota po përballet me një tronditje të trefishtë”, tha raporti i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, me energjinë, ushqimin dhe rritjen ekonomike të prekura nga konflikti dhe vendet në zhvillim që pritet të goditen më rëndë.

 

“Ndërsa ndikimet janë të përqendruara në vendet e prekura drejtpërdrejt nga konflikti dhe ato që varen nga energjia e importuar, gjetjet tregojnë dëme të konsiderueshme afatgjata për vendet më të varfra që janë shumë larg luftimeve”, tha UNDP.

 

32 milionë njerëz të tjerë mund të shkojnë në varfëri “nën skenarin më të keq”, thuhej në raport.

 

Administratori i UNDP-së, Alexander De Croo, tha se lufta ishte “zhvillim në të kundërt”.

 

“Konflikti mund të zhbëjë brenda disa javësh atë që vendet kanë ndërtuar gjatë viteve”, vijoi më tej Alexander De Croo.


Spanja rihap ambasadën e saj në Teheran

 

Ambasada e Spanjës në Teheran, e cila ishte mbyllur përkohësisht për arsye sigurie, pas luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, është rihapur.

 

Agjencitë iraniane të lajmeve raportuan se ambasada rifilloi punën e saj më 13 prill, për të mbështetur “ndërmjetësimin” pas një armëpushimi dyjavor, i cili hyri në fuqi më 8 prill.

 

Ambasadori spanjoll, i cili mbërriti në Iran një ditë më parë, tha se do të përpiqet “t’i mbështesë përpjekjet për paqe nga të gjitha palët”.

 

Spanja e ka pozicionuar veten si një nga kritikët kryesorë perëndimorë të SHBA-së dhe Izraelit që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.

 

Duke folur pas sulmeve izraelite në Liban më 8 prill, ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, tha se ato shkelën armëpushimin dhe ligjin ndërkombëtar.

 

SHBA-ja, Irani dhe Izraeli nuk ishin dakord nëse armëpushimi zbatohet në Liban, ku Izraeli thotë se ka në shënjestër luftëtarët e Hezbollahut, të mbështetur nga Irani.

 

Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord më 7 prill për armëpushimin dyjavor, për t’u dhënë të dyja palëve kohë për të negociuar një marrëveshje paqeje.

 

Megjithatë, bisedimet që u mbajtën në fundjavë në Islamabad, nuk rezultuan të suksesshme.

 

Për pasojë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ushtria amerikane do të bllokojë gjithë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane dhe zonat bregdetare në Gjirin Persik, duke filluar nga 13 prilli në orën 10:00, sipas kohës lindore.


Lavrov në Pekin për Iranin: Rusia dhe Kina thellojnë aleancën mes konfliktit globale

 

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov mbërriti në Kinë të martën për bisedime mbi luftërat në Ukrainë dhe Iran, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

 

Lavrov u shfaq në televizionin shtetëror rus duke mbërritur në Pekin, ku pritet të zhvillojë bisedime me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi.

 

“Pritet një shkëmbim i plotë pikëpamjesh mbi një numër ‘temash të nxehta’ dhe çështjesh rajonale, përfshirë krizën ukrainase dhe situatën në Lindjen e Mesme”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë.

 

Lavrov dhe Wang do të diskutojnë bashkëpunimin dypalësh dhe bashkëpunimin në forume shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, BRICS, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, G20 dhe Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), tha ministria.

 

Kina dhe Rusia shpallën një partneritet “pa kufij” në shkurt të vitit 2022, kur Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Pekinin, disa ditë para se të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë. Putini ndonjëherë e ka përshkruar Kinën si një “aleat”.

 

Në vlerësimin e tyre vjetor të kërcënimeve, agjencitë e inteligjencës amerikane i paraqesin Kinën dhe Rusinë si konkurrentët kryesorë të Uashingtonit në gjithçka, nga Arktiku dhe inteligjenca artificiale te hapësira dhe armët bërthamore.


Anija kineze ‘çan’ bllokadën amerikane dhe kalon Hormuzin - Kina ofron plan paqeje me 4 pika

 

Sanksionet nuk po arrijnë ta frenojnë plotësisht tregtinë ndërkombëtare në Gjirin e Hormuzi, e dëshmi e qartë e këtij fakti u bë petroliera kineze “Rich Starry” e cila kaloi përmes ngushticës, duke carë kështu bllokadën amerikane.

 

Cisterna kineze e sfidoi seriozisht nismën e SHBA-së shënjestron trafikun detar iranian. “Rich Starry” e udhëtoi gjatë natës dhe doli nga ngushtica e Hormuzit në orët e para të së martës, pa hasur me sa duket, asnjë pengesë gjatë rrugës së saj. E njohur më parë si “Full Star”, kjo anije është subjekt i sanksioneve amerikane. Ajo figuron në listën e Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja pranë Departamentit amerikan të Thesarit si e lidhur me Iranin dhe është sanksionuar lidhur me përfshirjen e saj në transportin e produkteve iraniane.

 

Cisterna ka qenë e ankoruar pranë bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Gjirin e Omanit. Ajo u rikthye 10 ditë më parë në Gjirin Persik dhe që nga ajo kohë, kishte qëndruar në pritje. Lajmi i kalimit të saj vjen në kohën kur presidenti kinez Xi Jinping i paraqiti një plan katër-pikësh për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme princit të Abu Dhabit, Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Plani përfshin respektimin e bashkëjetesës paqësore, sovranitetit kombëtar, sundimit të ligjit ndërkombëtar dhe koordinimin ndërmjet zhvillimit dhe sigurisë.

XS
SM
MD
LG