Lidhje


Irani nis sulme me raketat e reja ndaj vendeve të Gjirit – tronditen tregjet botërore

 

Raketat dhe dronët iranianë vazhdojnë të godasin vendet e Gjirit, ndërsa kompania shtetërore e naftës në Bahrein shpalli të hënën forcë madhore (force majeure) për dërgesat e saj, pasi rafineria e saj mori flakë nga një sulm iranian.

 

Hapësira ajrore në Gjirin Persik është mbyllur dhe prodhimi e furnizimi me naftë janë ndërprerë pasi Irani goditi objektiva amerikane të vendosura në vendet e Gjirit, në shenjë hakmarrjeje për sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit që nga 28 shkurti.

 

Kompania shtetërore energjetike e Bahreinit, Bapco, shpalli forcë madhore pasi disa valë sulmesh iraniane goditën instalimet e saj energjetike.

 

“Bapco njofton shpalljen e forcës madhore për operacionet e saj të grupit, të cilat janë prekur nga konflikti i vazhdueshëm rajonal në Lindjen e Mesme dhe nga sulmi i fundit ndaj kompleksit të rafinerisë”, thuhet në deklaratën e kompanisë të publikuar të hënën.

 

Arabia Saudite ndërkohë interceptoi katër dronë që po drejtoheshin drejt fushës së naftës Shaybah, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Kuvajti raportuan sulme me raketa.

 

Të dielën, të paktën dy persona u vranë dhe 12 u plagosën pasi një predhë ra në një zonë banimi në provincën Al-Kharj të Arabisë Saudite.

 

Gazetari i Al Jazeera, Mohammed Jamjoom, duke raportuar nga Doha, tha se alarmet u dhanë rreth 03:15 të mëngjesit sipas orës lokale (00:15 GMT).

 

“Pak minuta më pas filluam të dëgjonim shpërthime që vinin nga raketat interceptuese që po neutralizonin raketat që vinin nga Irani. Dëgjuam rreth 12 deri në 13 shpërthime”, tha ai.

 

“Në Bahrein, të paktën 32 qytetarë, përfshirë edhe fëmijë, u plagosën në një sulm me dron iranian në Sitra, një zonë në jug të kryeqytetit Manama, sipas mediave shtetërore. Në Emiratet e Bashkuara Arabe ka qenë një tjetër natë dhe mëngjes i ngarkuar për mbrojtjen ajrore, pasi Ministria e Mbrojtjes deklaroi se sistemet e saj po përballeshin me kërcënime raketore dhe dronësh që vinin nga Irani.

 

“Ne gjithashtu dimë se pati një zjarr në zonën industriale të naftës në Fujairah, si rezultat i mbetjeve që ranë nga një dron i interceptuar”, shtoi Jamjoom.

 

Ndërkohë, Arabia Saudite e dënoi ashpër Iranin, duke i quajtur sulmet ndaj mbretërisë dhe vendeve të Gjirit “të papranueshme”.

 

Arabia Saudite “ripërsërit dënimin kategorik të Mbretërisë së Arabisë Saudite ndaj agresioneve të papranueshme iraniane kundër Mbretërisë, shteteve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, disa vendeve arabe dhe islame, si dhe vendeve mike, të cilat nuk mund të pranohen apo justifikohen në asnjë rrethanë”, thuhej në deklaratën e publikuar në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Jashtme në platformën X.

 

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, bëri thirrje për uljen e tensioneve në një intervistë për Sky News.

 

“Ne do të vazhdojmë të flasim me iranianët dhe do të vazhdojmë përpjekjet për de-eskalim”, tha ai.

 

Ai i përshkroi sulmet ndaj Katarit si një “ndjenjë të madhe tradhtie” nga udhëheqja iraniane.

 

“Vetëm rreth një orë pas fillimit të luftës, Katari dhe vendet e tjera të Gjirit u sulmuan menjëherë”, tha Sheikh Mohammed, duke shtuar se kjo ndodhi pavarësisht deklaratave të disa vendeve të rajonit se nuk do të merrnin pjesë në ndonjë luftë kundër Iranit dhe pavarësisht përpjekjeve diplomatike për një zgjidhje.

 

Lideri i ri suprem

 

Izraeli nisi të hënën një valë të re sulmesh, duke goditur infrastrukturën në Iranin qendror, pasi Mojtaba Khamenei u emërua pasardhës i babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra më 28 shkurt në sulme të përbashkëta të SHBA dhe Izraelit. Figura kryesore politike të vendit kanë shpallur besnikëri ndaj liderit të ri suprem.

 

Të paktën 1,255 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite dhe amerikane në të gjithë Iranin. Të dielën, Izraeli bombardoi për herë të parë gjatë konfliktit disa objekte të naftës në Iran.

 

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili më parë e kishte cilësuar Mojtaba Khamenein si një “figurë të dobët”, deklaroi të dielën se edhe ai duhej të kishte një rol në zgjedhjen e liderit të ri.

 

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi javën e kaluar se lideri i ri suprem do të bëhej “një objektiv”, ndërsa ushtria izraelite premtoi se do të godasë çdo pasardhës të tij.

 

Ndërsa Irani po hakmerret ndaj vendeve arabe të Gjirit të pasura me naftë, çmimi ndërkombëtar i naftës kaloi për herë të parë mbi 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga pushtimi rus i Ukrainës katër vite më parë.

 

Trump e minimizoi këtë rritje të çmimit, një çështje politikisht e ndjeshme në SHBA, duke e quajtur atë “një çmim të vogël për t’u paguar” për eliminimin e kërcënimit të supozuar nga programi bërthamor iranian.

 

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, deklaroi se megjithëse Irani vazhdon të pasurojë uranium në nivele të larta, aktualisht nuk ka prova për një program sistematik për prodhimin e armëve bërthamore.

 

Në një shenjë se SHBA nuk pret një përfundim të shpejtë të luftës, Departamenti Amerikan i Shtetit urdhëroi personelin jo-thelbësor të largohet nga Arabia Saudite, disa ditë pasi një dron goditi ambasadën amerikane.

 

Ndërsa shtohen pyetjet për kohëzgjatjen e luftës, Trump i tha The Times of Israel se vendimi për përfundimin e konfliktit do të merret së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

 

“Mendoj se është një vendim i përbashkët… kemi qenë në bisedime. Unë do të marr vendimin në kohën e duhur, por gjithçka do të merret në konsideratë”, tha Trump.

 

Lufta përhapet në Liban

 

Lufta me shumë fronte u intensifikua edhe në Liban, ku grupi i mbështetur nga Irani, Hezbollah, deklaroi se po përballej me forcat izraelite që zbarkuan në Libanin lindor me 15 helikopterë përmes kufirit sirian.

 

Libani u përfshi në luftë javën e kaluar pasi Hezbollah sulmoi Izraelin në përgjigje të vrasjes së Ali Khameneit.

 

Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve raportoi më herët për “përleshje të ashpra” rreth qytetit Nabi Chit, ku një operacion izraelit gjatë fundjavës vrau 41 persona.

 

Izraeli kishte goditur të dielën një hotel në Bejrutin qendror, duke synuar pesë komandantë të Forcës Quds të Gardës Revolucionare iraniane, të cilët po takoheshin në hotel.

 

Sipas vlerësimeve të fundit, të paktën 390 persona janë vrarë dhe mbi 1,000 janë plagosur në Liban që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt.

 

Në Izrael, sulmet me raketa nga Irani kanë vrarë të paktën 10 persona, ndërsa gati 2,000 të tjerë janë plagosur.


Tronditëse: Izraeli vret gazetaren palestineze Amal Shamali në Ditën Ndërkombëtare të Gruas!

 

Një organizatë e gazetarëve palestinezë ka njoftuar se gazetarja Amal Shamali (46 vjeç) ka humbur jetën gjatë konfliktit në Gaza, duke akuzuar ushtrinë izraelite për përgjegjësi në vrasjen e saj. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate të Bllokut të Gazetarëve Palestinezë, i cili shprehu ngushëllime për familjen dhe kolegët e gazetares.

 

Në deklaratë thuhet se Shamali u vra në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ndërsa organizata pretendon se gazetarët palestinezë, dhe veçanërisht gazetaret femra, po përballen me rrezik të madh gjatë raportimit nga zona e konfliktit.

 

Sipas këtij grupimi, vrasja e gazetares është pjesë e një serie incidentesh që kanë prekur punonjësit e medias gjatë luftës. Organizata pretendon se 38 gazetare palestineze janë vrarë deri tani, ndërsa dhjetëra të tjera ndodhen në paraburgim në Izrael. Ajo gjithashtu deklaron se që nga fillimi i konfliktit janë vrarë qindra gazetarë palestinezë, duke e cilësuar situatën si një nga periudhat më të rënda për gazetarët në rajon.

 

Blloku i Gazetarëve Palestinezë i bëri thirrje organizatave ndërkombëtare, përfshirë Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe organizatat e të drejtave të njeriut, që të ndërmarrin hapa për hetimin e rasteve të vrasjeve të gazetarëve dhe për mbrojtjen e punonjësve të medias në zonat e konfliktit.

 

Deri tani nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm publik nga autoritetet izraelite lidhur me këtë rast specifik. Izraeli ka deklaruar vazhdimisht se nuk synon qëllimisht gazetarë apo civilë dhe se operacionet ushtarake kanë në shënjestër objektiva të lidhura me grupet militante.

 

Organizatat ndërkombëtare të mediave kanë paralajmëruar vazhdimisht se konflikti në Gaza është bërë një nga më të rrezikshmit për gazetarët në botë, ndërsa kanë kërkuar hetime të pavarura për çdo rast të vrasjes së punonjësve të medias.


ALARM! Nafta arrin mbi 100 dollarë për fuçi/ G7 diskuton përdorimin e rezervave strategjike

 

Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi, duke u rritur me mbi 25% brenda pak ditësh, ndërsa tregjet globale reagojnë ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe frikës për ndërprerje të furnizimit. Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, kjo është rritja më e fortë e çmimeve që nga kriza energjetike e vitit 2022.

 

Nafta e referencës globale Brent crude oil është rritur në mbi 108–116 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate ka kaluar 105 dollarë për fuçi, pasi tensionet në rajonin e Gjirit kanë rritur rrezikun për furnizimin global.

 

Tregjet janë veçanërisht të ndjeshme për shkak të situatës rreth Gjirit të Hormuz, një korridor detar nga i cili kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë. Çdo ndërprerje e trafikut të cisternave në këtë zonë mund të reduktojë ndjeshëm ofertën në tregjet globale. Ndërkohë, vendet e G7 po shqyrtojnë një lhedhje të koordinuar në treg të rezervave strategjike të naftës, në bashkëpunim me International Energy Agency, për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të stabilizuar tregun. Sipas raportimeve, disa vende anëtare kanë mbështetur një skenar për lirimin e 300 deri në 400 milionë fuçive naftë nga rezervat emergjente nëse situata përkeqësohet.

 

Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka deklaruar se aktualisht “të gjitha opsionet janë në tryezë, por për momentin nuk ka një vendim për një ndërhyrje kolektive”, duke theksuar se tregu global i naftës ende ka furnizime të mjaftueshme.

 

Analistët paralajmërojnë se nëse konflikti në rajonin e Gjirit vazhdon dhe transporti i naftës mbetet i kufizuar, çmimet mund të qëndrojnë mbi 100 dollarë për fuçi për një periudhë të zgjatur, duke rritur presionin inflacionist mbi ekonominë globale./Monitor.al


Tragjedi në Minab: Amerikanët e goditën shkollën disa herë, OKB kërkon hetim për vrasjen e nxënësve

 

Forcat amerikane ishin ka shumë gjasa përgjegjëse për bombardimin e një shkolle fillore në qytetin jugor iranian të Minabit, i cili la të vdekur të paktën 168 fëmijë, si dhe mësues dhe staf, përfundoi Neë York Times (NYT) në një analizë të publikuar të enjten.

 

Sulmi i 28 shkurtit mbi shkollën e vajzave “Shajarah Tayyebeh” erdhi në ditën e parë të sulmit SHBA-Izrael ndaj Iranit, i cili çoi në vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei dhe disa komandantëve të lartë iranianë, si dhe qindra civilëve.

 

Në analizën e saj, e cila bazohej në pamje satelitore të sapopublikuara, postime të verifikuara në rrjetet sociale dhe video të gjeolokuara, NYT doli në përfundimin se shkolla u godit nga sulme të sakta në të njëjtën kohë me sulmet e shumta të forcave amerikane mbi një bazë detare ngjitur, që i përket Korpusit të Gardës Revolucionare Islame të Iranit (IRGC).

 

Pamjet historike tregojnë se ndërtesa e shkollës ishte e ndarë nga kompleksi ushtarak që në vitin 2016 dhe mbante shenja të qarta të një objekti arsimor civil, duke përfshirë një fushë sporti dhe murale për fëmijë.

 

Wes J. Bryant, një ish-ekspert i shënjestrimit të Forcave Ajrore të SHBA-së, tha për NYT se sulmet ishin goditje “objektive të përsosura”, duke sugjeruar se shkolla ishte ose një “identifikim i gabuar i objektivit” ose u godit në bazë të inteligjencës së vjetëruar, shkruan Rt.

 

BC publikoi një analizë të ngjashme të enjten, duke vënë në dukje se pamjet satelitore sugjerojnë se shkolla u godit disa herë, duke gjykuar nga shenjat e djegies rreth ndërtesës, dhe se afërsia e vendeve të goditjes midis bazës së IRGC-së dhe shkollës sugjeron se “goditja e zonës ishte e qëllimshme”.

 

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni kanë ofruar përgjigje evazive, me Sekretaren e Shtypit Karoline Leavitt që u tha gazetarëve të mërkurën se “Departamenti i Luftës po e heton këtë çështje”. Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, këmbënguli se forcat amerikane “asnjëherë nuk shënjestrojnë objektiva civilë”.

 

Të martën, mijëra njerëz u mblodhën në Minab për varrimin masiv. Pamjet treguan rreshta të gjatë varresh të vegjël e të cekët, dhe arkivolë të mbuluar me flamuj iranianë që kalonin mes turmave të njerëzve në zi. Një baba në vendngjarje akuzoi “Amerikën kriminelle” dhe Izraelin se janë “vrasës fëmijësh”.

 

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka bërë thirrje për një hetim, duke e quajtur sulmin një shembull të “mungesës së sensit dhe mizorisë së këtij konflikti”. UNESCO deklaroi se “vrasja e nxënësve” përbën një “shkelje të rëndë” të së drejtës ndërkombëtare humanitare.


Trump ndërron mendje: Nuk dua që kurdët të luftojnë në Iran!

 

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk dëshiron që grupet kurde të përfshihen në një ofensivë kundër Iranit, pavarësisht se disa prej tyre janë shprehur të gatshme për të luftuar.

 

Duke folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump tha se luftëtarët kurdë janë të gatshëm të hyjnë në Iran, por ai u ka kërkuar të mos e bëjnë këtë, sipas JP.

 

“Janë të gatshëm të hyjnë, por u kam thënë se nuk dua që ta bëjnë. Lufta është mjaft e ndërlikuar siç është. Nuk dua të shoh kurdët të lëndohen apo të vriten,” tha Trump.

 

Deklarata vjen pas raportimeve të fundit se grupe opozitare kurde iraniane, të vendosura kryesisht në rajonin autonom kurd të Irakut, mund të nisnin një ofensivë kundër regjimit iranian.

 

Vetë grupet kurde i kanë mohuar këto raportime, duke thënë se janë ende në pritje të zhvillimeve.

 

Vëmendja ndaj kurdëve u rrit pas 28 shkurtit, kur SHBA dhe Izraeli filluan sulme ndaj Iranit. Në ditët që pasuan, disa media raportuan gabimisht se grupet kurde kishin nisur një ofensivë brenda territorit iranian.

 

Ndërkohë, Irani i ka marrë seriozisht këto raportime dhe ka vazhduar sulmet me dron ndaj bazave të grupeve kurde në rajonin e Kurdistanit në veri të Irakut.

 

Në Iran veprojnë disa grupe kryesore kurde opozitare, përfshirë Partinë për Jetën e Lirë të Kurdistanit, Partinë Demokratike të Kurdistanit Iranian dhe disa fraksione të partisë Komala. Shumica e tyre janë bashkuar në një koalicion kundër regjimit iranian.

 

Analistët paralajmërojnë se një kryengritje e mundshme kurde mund të shkaktonte një efekt zinxhir në rajone të tjera të Iranit, ku jetojnë pakica të tjera si azerët, baluçët dhe arabët. Megjithatë, brenda opozitës iraniane ekzistojnë edhe përçarje, pasi disa grupe i shohin pakicat si lëvizje separatiste.

 

Sipas raportimeve, administrata amerikane po mban një qëndrim të kujdesshëm ndaj këtyre grupeve, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.

 

 

XS
SM
MD
LG