Lidhje


Rama “kapet mat”: Intervista që nxori zbuluar servilizmin ndaj Trump

 

Nga Andi Bushati në Lapsi.al

 

Nëse ka një pasqyrë të veçantë ku mund të shihen me gjithë kaosin e tyre orientimet e politikës së jashtme të Edi Ramës, ajo është intervista që ai i ka dhënë gazetares Franceze, Anne Nivat. E dërguara speciale e revistës së përjavshme Le Point i ka drejtuar atij pyetje bazike, shpesh cinike, që mëtojnë të kuptojnë thellbin e zgjedhjeve që ka bërë Shqipëria. Mos vallë rreshtimi pas linjës së ashpër të Izraelit dhe Uashingtonit po e kërcënon sikurinë e vendit? Mos qëllimi është thjeshtë një pëlqim i Trumpit? A po e rrezikon pjesmarrja në Bordin e Paqes rrugën e integrimit të Shqipërisë? Kë do të zgjidhte Rama mes dy projekteve të së ardhmes së BE-së, atë të Makronit apo atë të Orbanit? A vazhdon ai të jetë po i njëjti mbështetës si dikur i Ukrainës…

 

Eshtë dëshpëruese të lexosh se si këto pyetje mbeten në ajër dhe herë pas here marrin përgjigje evzive. Aq sa në një moment gazetarja ia kthen bashkëbiseduesit: “Unë ju pyes për SHBA-në, ju më përgjigjeni për Rusinë”.

 

 

Mjafton të shikosh versionet që jepen për të sjellurit më katolik se papa, lidhur me një luftë që zhvillohet në lindjen e mesme, dhe ku Shqipëria ka më shumë për të humbur sesa për të fituar. Edi Rama njëherë thotë se e ka bërë zgjedhjen kundër Iranit, pasi ky vend është treguar i pari armiqësor kundër nesh, pastaj se ne si shqiptarë nuk i honepsim dot diktaturat vrastare dhe më tej shpalos një argument të ri, se Irani përbën një kërcënim për fqinjët e vet. Ajo që nuk thuhet me fjalë kuptohet lehtë: dëshira për ti’u servilosur Trumpit dhe për të rekuperuar në Uashington të njëjtin pozicion që Rama kishte më parë me administratën demokrate.

 

Gazetarja nuk ia lë mangut. Ajo i kujton Edi Ramës dëshirën për të rënë në sy të presidentit amerikan, në momentin kur në Bordin e Paqes ai mbajti fjalim kundër OKB-së.

 

Por, për atë që dikur e quante “turpi i civilizimit”, “kërcënim për botën” dhe mardhëniet shqiptaro amerikane, sot kryeministri ynë e ka ndërruar pllakën. Ai thotë vetëm fjalë të mira për qasjen e Trump ndaj OKB-së, luftës së hapur në kundërshtim të ligjit ndërkombëtar kundër Iranit dhe tërheqjes së mbështetjes për Zelenskin dhe Ukrainën. Kur i duhet të përgjigjet se me pjesmarrjen në këtë tryezë diktatorësh ai rrezikon të bëhet një kalë troje i SHBA, në Evropë, Edi Rama nuk përdor tonet triumfalist që i shiti publikut shqiptar për pjesmarrijen në Bordin e Paqes. Kjo prani tani më nuk është një nderim për Shqipërinë dhe as një arritje e paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, por thjeshtë respektimi i një ftese “që do ishte çmenduri ti thuhej jo”.

 

Nga ana tjetër Ukraina është një pikë ku diplomacia shndërrohet në komedi. Kush e kthen filmin disa vite më pas, e mban mend Edi Ramën, të marshonte krenarisht përkrah Zelenskit gjatë samitit të liderve Evropianë në Tiranë. Ai vizitoi triumfalisht Kievin duke paketuar në avionin personal edhe atë kryeministrin kukull të Podgoricës, që e përdorte  për Ballkanin e Hapur. Aq radikal ishte Rama në mbështetje të betejës kundër Putinit, sa e detyroi ambasadën ruse në Tiranë të zhvendosej, duke urdhëruar riemërtimin e rrugës ku gjendej selia e saj “Ukraina e Lirë”.

 

Po sot, kur erërat në Uashington duket se kanë ndryshuar? Edhe skifteri ynë është shndërruar në pëllumb. Radikali i dikurshëm pohon me gojën plot se Viktor Orbani kishte të drejtë kur kërkoi armëpushim në frontin ruso-ukrainas, por liderët evropianë bën gabim që se dëgjuan.

 

Të ndryshosh mendim është njërëzore si për Trumpin po ashtu edhe për Ukrainën, por ama Edi Rama këtë e bën me një lehtësi për ta pasur zili, fiks ashtu sikurse e kërkon situata. Vetëm se kur e habitur gazetarja franceze e fton të zgjedhë mes modeleve të Makronit dhe Orbanit, ai nuk ka përgjigje dhe kamuflohet pas miqësisë për këta dy burra, që kanë në fakt këndvështrime diametralisht të kundërta, si për botën, po ashtu edhe për të ardhmen e kontinentit tonë.

 

Pikërisht për këto pirueta, kjo intervistë është një nga ato që nuk duhen humbur. Sepse për të gjithë ata që interesohen për politikën e jashtme, ajo tregon se sa e paparashikueshme, e personalizuar dhe jo serioze është diplomacia e një njeriu që e shet ata si medalje që i ka bërë bashëkombasit e tij të ndihen krenarë. Në fakt është e kundërta: duke mos vënë në bazë të saj, as traditën historike, as parime të qarta, Edi Rama e ka shndërruar politikën e jashtme në një karikaturë që i shërben vetëm interesave të tij të momentit. Ai sillet si një kameleon që ndryshon gjithçka për të mos ndryshuar vetëm pushtetin e tij.

 

Dhe kulmi i bashkëbisedimit arrin kur udhëheqësi i vendit më të vogël dhe më të varfër të Evropës shpërndan receta se si ajo duhet të sillet me Kinën dhe Rusinë. Sipas Edi Ramës Evropa sot mungon në tryezën e të mëdhejve sepse nuk ka ditur të flasë me Putinin dhe Xi Jimpingun.

 

Por kur Anne Nivat e pyet “naivisht” nëse ai është idhtar i parimit se duhet folur me të gjithë kryeministri i përgjigjet se vetëm me terrorristë si ata të regjimit iranian kjo nuk mund të bëhet.

 

Tani mbetet të shpresohet që Donald Trumpi të mos vendosë shpejt për një marëveshje përfundimi lufte, sepse ne do të shohim të sfilojë para syve tanë, partizani më i flaktë i një pakti të domosdoshëm me Teheranin.


Gotat bosh dhe një shoqëri në ndryshim/ Kriza e konsumit të pijeve alkoolike dhe ndikimi i Islamit në Shqipëri

Sektori i bareve dhe restoranteve në Shqipëri po përballet me një realitet të ri: më pak klientë, më pak konsum dhe një ndryshim i dukshëm në mënyrën si njerëzit e jetojnë përditshmërinë. Rënia deri në 20% e konsumit në muajt e parë të vitit 2026 nuk është thjesht një shifër ekonomike, por një tregues i një transformimi më të thellë shoqëror.


Dikur, kafenetë dhe baret ishin qendra e jetës urbane. Ato nuk shërbenin vetëm për konsum, por për komunikim, përkatësi dhe ritëm social. Sot, ky rol duket se po zbehet gradualisht.

Read more ...


Trump fundosi Amerikën në Iran - Dështimi që e shpall presidentin më të keq në histori?

 

Nga Redi Shehu 

 

Nëse dikush ka pasur dyshime mbi përgjigjen e pyetjes nëse Trump është presidenti më i keq që SH.B.A-të kanë pasur ndonjeherë, me agresionin ndaj Iranit, dyshimet duket se fashiten. Po, Trump po renditet në presidentin me performancën me të keqe në historinë e presidentëve amerikanë qe pas luftes civile, duke e veçuar atë si dhe administratën e tij si më “kakistokratikët”. Gazeta britanike “The Independent”e fillon faqen e parë me titullin “Lufta e Iranit përfundimisht shfaqi limitet e fuqisë Trump”.
 
 
Që pas fitores së mandatit të tij në Nëntor të 2024-tës si presidenti i 47-të i Sh.B.A-ve, komunikimi i tij publik u karakterizua me kontradiksione të mëdha, më një gjuhë bullizuese koloniale ndaj çdo aleati. Kjo, la përshtypjen e një personi ta dale nga akuariumi i ngrirjes së thellë historike të shekullit XIX, i cili qëndron si i huaj në botën e institucioneve dhe të drejtës ndërkombëtare. Që nga ekstaza me tarifat, e deri tek epshi për ta kollofitur Groelandën me një kafshatë të vetme, figura e tij pozohej ngjashëm me ish gjeneralin dhe presidentin Andrew Jackson (1830) në urinë e pafund për marrje tokash dhe të drejtash me hir e pahir. Ndryshimi mes tyre qëndron tek kollarja e gjate dhe e varur e Trump.
 
 
Pas pothuaj katër javësh bombardimesh të ndërsjellta, Trump vendos të tërhiqet drejt bisedimeve të cilave ishte po ai që ia kishte vënë shkelmin në fund të Shkurtit. Llogaritjet ishin bërë gabim. Mendjemadhësia dhe arroganca kanë qenë dhe do jenë gjithmonë verbueset më të mëdha ndaj njohjes së faktit dhe realitetit. Tani, Trump përveç kostos së tërheqjes, do na dhurojë një Iran edhe më të fortë dhe një regjim akoma më të pa çmontueshëm dhe më ekstrem. Por ajo që është më e rrezikshme, eshte se Trump do na dhuroje në fund të mandatit, një rikthim tërbues të agjendave neolibeale të cilat do turren edhe më me epsh drejt shoqërive tona për t’i shkalafitur edhe më keq se përpara. Trump jo vetëm që turpëroi konservatorizmin por rrezikon ta debojë atë me dekada nga skena politike amerikane.
 
 
Kanë qenë jo të pakta kritikat në shtypin perëndimor, që nga “Financial Times” ”The Guradian”, “New York Times”, “BBC”, etj të cilat e kanë kosideruar aventure të rrezikshme dhe të pastrukturuar luftën në Iran. Personalitete te medias amerikane dhe analistë të njohur si David Ignatus, Thomas Friedman, Tucker Carlson, Fareed Zakaria, Anderson Cooper, Rachel Maddow, Chris Hayes, Bret Stephens etj, kanë sensibilizuar opinion publik amerikan për faktin se përshkallëzimi i luftës është më i lehtë se kthimi në paqe, kanë folur për vendimarrje të pa studiuar dhe impulsive, mungesë strategjie afatgjatë, mungesë ligjshmërie dhe transparence, mungesë konsistence politike. Ata kanë sjellë në vëmendje mësimet nga luftra si Vietnami, Afganistani dhe Iraku, madje ka pasur edhe të tillë si Tucker Carlson i cili ka bërë thirrje për rikthim në linjën konservatore anti- intervencioniste. Cila ka qenë përgjigjia e Trump ndaj tyre? Thjesht “Fake news”!
 
 
Pas pothuaj katër javësh lufte, regjimi është rikonfiguruar i tëri në formatin më të egër militar. Populli po del ne sheshe por jo për të rrezuar regjimin por për ta forcuar atë më shumë. Opozita iraniane ndjehet në pozicionin sandwich midis revoltës ndaj regjimit dhe mbrotjes së atdheut dhe struket e pazëshme. Ushtria iranane vazhdon me valën 79 të sulmeve duke rritur numrin, rrezen goditëse dhe sofistikuar shënjestrën. Marina iraniane mban të bllokuar Hormuzin me pasoja të pariparueshme në tregjet financiare dhe energjetike, dronët dhe raketat e tyre sa vijnë e shtohen, bombardimet mbi fabrikat e pasurimit të uraniumit nuk sollën rezultatin e shkatërrimit të pasurimit të tij, vendet e Gjirit Persik janë në një krizën rajonale më të madhen tashmë. Për më tepër, sipas specialistëve të fushës, Irani para luftës eksportonte 1.1 million fuçi në ditë me çmimin 65 dollar fuçia, sot ai eksporton 1.5 milion fuçi në ditë me çmimin 110 dollarë fuçia. Dështim më të qartë se ky vështirë të gjesh. Pra, edhe objektivi për dobësimin e Iranit rezulton i pashpresë.
 
 
Dëmi më i madh nuk është ky, është fakti se një shtet si Izraeli, mundet të marrë peng një shtet të fuqishëm si SH.B.A dhe ta orientojë sipas prioriteve strategjike të tija. Fillimisht duke e nxjerrë nga marrëveshja me Iranin në 2018-tën, dhe në fund duke kulmuar me fillimi e luftës ndaj tij. Aleatët e tij në Gjirin Persik janë tashmë jo vetëm të tronditur nga lufta, por edhe të zhgënjyer nga aleati i cili supozohej t’u ofronte siguri. Kush mund ta mendonte se vetem në një vit Trump do të poshtërohej kaq shumë?!


ANALIZA/ Pse myslimanët agjërues e braktisën masivisht iftarin e Ramës?

 

Nga dr. Justinian Topulli

 

Në shkrimin e vet, dr. Justinian Topulli, argumenton se marrëdhënia e kryeministrit Edi Rama me komunitetin mysliman në Shqipëri po përfundon, duke e interpretuar bojkotin e iftarit të organizuar prej tij në datën 12 mars si shenjë të pakënaqësisë së besimtarëve praktikantë. Sipas autorit, kjo distancë lidhet jo vetëm me pakënaqësitë ndaj qeverisjes dhe akuzat për korrupsion, por sidomos me qëndrimin e Ramës ndaj luftës në Gaza dhe mbështetjen e perceptuar ndaj Izraelit, gjë që sipas tij ka dëmtuar rëndë raportin e kryeministrit me një pjesë të besimtarëve myslimanë në vend.

 

Marrëdhënieve flirtuese të Edvin Ramës me myslimanët shqiptarë duket se po i vjen fundi

 

 
Në iftarin që ai si kryeministër shtroi, kishte një bojkot masiv nga hoxhallarët dhe myslimanët praktikantë. Edhe pse Rama ftesat ua ka dërguar përmes punonjësve të Bashkisë së Tiranës dhe jo përmes KMSH-së, ndoshta për të pasur më shumë siguri në pjesëmarrje, në fakt ndodhi e kundërta. Sipas filmimeve, por edhe informacionit që kemi, iftari i tij është bojkotuar në mënyrë masive nga myslimanët agjërues. Edhe ata pak që qenë aty, një pjesë dihet mirë se qenë nga zori. Kështu që Rama ka qenë i detyruar ta mbushë sallën me joagjërues.
 
 
Myslimanët e këtij vendi, sado që deri më sot mund të jenë tërhequr për hundësh, të paktën një pjesë e tyre, duke u joshur me akrobacitë dhe me retorikën prej snobi të Kryeministrit, sjelljet e tij të pështira në krah të kriminelëve sionistë, e kanë damkosur atë tashmë keqas mes këtij komuniteti. Sigurisht që edhe skandalet e korrupsionit në qeverisjen e tij kanë rolin e tyre, si tek të gjithë shqiptarët e tjerë, por qëndrimi i turpshëm i tij dhe i qeverisjes së tij ndaj gjenocidit në Gaza, që ka tejkaluar edhe neutralitetin, duke u bërë palë në miratim, kanë tronditur rëndë marrëdhënien e tij me besimtarët myslimanë të kësaj toke.
 
 
Ne jemi një komunitet që edhe pse na drejtojnë institucionalisht njerëz që nuk na përfaqësojnë as moralisht e as fetarisht, autoritetin më të lartë kemi fjalën e Zotit dhe të Profetit, interpretimin e të cilave Rama nuk ka luksin të na e imponojë me injorancën dhe keqinterpretimin e tij prej profani. Braktisja masive e iftarit të tij zyrtar si kryeministër dhe linçimi i iftarit të tij si autor privat i një libri për myslimanët, është mesazhi më i qartë dhe i fortë se periudhës "së lumtur" mes tij, qeverisjes së tij dhe besimtarëve myslimanë i ka ardhur fundi.
 
 
Ne jemi një komunitet, që edhe pse si gjithë njerëzit e tjerë kemi gabimet dhe mangësitë tona, kemi edhe ne në mesin tonë të mashtruar nga retorika e magjistarit dhe hipokrizia e tij, kemi edhe njerëz të dobët e oportunistë, por në fund, jemi nga njerëzit më të sinqertë dhe më të moralshëm në këtë vend, ndaj dhe morali me amoralitetin e korrupsionit dhe pro-sionizmin aktiv, nuk bëhen kurrë bashkë dhe nuk kanë për të gjetur kurrë miratim mes nesh, përkundrazi.


“SHBA dhe Izraeli e kanë humbur luftën!” – Gazetari izraelit Alon Mizrahi: Irani po godet rëndë bazat amerikane në rajon

 

Gazetari izraelit Alon Mizrahi ka bërë një analizë të fortë mbi zhvillimet e fundit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ku ai pretendon se Irani ka arritur të godasë rëndë praninë ushtarake amerikane në rajon dhe se Shtetet e Bashkuara, së bashku me Izraelin, e kanë humbur tashmë këtë luftë.

 

Në tekstin e tij, Mizrahi shkruan se brenda vetëm pak ditësh Irani ka arritur të zgjerojë ndjeshëm ndikimin dhe dominimin e tij ushtarak në rajon, duke goditur instalime strategjike amerikane në disa vende të Gjirit Persik. Sipas tij, bazat amerikane në Bahrein, Kuvajt, Katar dhe Arabinë Saudite – të cilat përfaqësojnë disa nga instalimet më të mëdha ushtarake në botë – janë vënë në shënjestër të sulmeve iraniane.

 

Ai argumenton se këto baza janë ndërtuar gjatë dekadave me investime të mëdha dhe përbëjnë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës globale të ushtrisë amerikane. Sipas Mizrahit, sulmet iraniane kanë arritur të shkatërrojnë sisteme radarësh dhe pajisje ushtarake shumë të kushtueshme, ndërsa disa instalime janë dëmtuar rëndë ose janë braktisur.

 

Gazetari izraelit shprehet se situata ushtarake është shumë më serioze sesa ajo që shfaqet në publik. Ai pretendon se informacionet mbi zhvillimet në terren janë gjithnjë e më të kufizuara dhe se mungesa e pamjeve nga lufta mund të tregojë se realiteti në terren është shumë më i rëndë për ushtrinë amerikane.

 

Mizrahi sjell si krahasim Luftën e Gjirit të vitit 1991, kur sipas tij publiku shihte çdo natë pamje nga bombardimet dhe operacionet ushtarake. Sipas tij, fakti që sot publikohen shumë pak pamje nga operacionet ajrore është një tregues se situata në front është shumë më komplekse.

 

Në analizën e tij ai thekson gjithashtu se, pavarësisht ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit, nuk ka shenja të qarta të dominimit ajror amerikan mbi Iranin. Sipas tij, avionët amerikanë nuk po shfaqen duke operuar lirshëm mbi territorin iranian, ndërsa një pushtim tokësor i Iranit do të ishte praktikisht i pamundur për shkak të madhësisë së territorit dhe përgatitjes së gjatë ushtarake të vendit.

 

Mizrahi kritikon edhe disa ide të përmendura në Uashington për dërgimin e eskortave ushtarake për anijet që transportojnë naftë në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit. Sipas tij, një lëvizje e tillë do të vendoste anijet amerikane brenda rrezes së mijëra raketave iraniane dhe do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme.

 

Në fund të analizës së tij, gazetari izraelit shprehet se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli mund të vazhdojnë bombardimet dhe të shkaktojnë dëme të mëdha, por sipas tij infrastruktura ushtarake iraniane është e shpërndarë dhe e mbrojtur thellë nën tokë, gjë që e bën shumë të vështirë neutralizimin e saj.

 

Ai përfundon se lufta e nisur kundër Iranit është një konflikt që, sipas tij, SHBA dhe Izraeli nuk kanë mundësi reale ta fitojnë dhe se pas përfundimit të saj prania amerikane në Lindjen e Mesme mund të ndryshojë rrënjësisht.

XS
SM
MD
LG