Lidhje


Greqia miraton projektin 4 miliardë euro për sistemin kundër raketave dhe dronëve

 

Greqia ka miratuar blerjen e një sistemi të ri shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore dhe kundër dronëve, si dhe modernizimin e 38 avionëve luftarakë F-16.

 

Vendimi u mor nga një komision parlamentar, ndërsa kostoja totale e projektit vlerësohet rreth 4 miliardë euro, sipas dy burimeve të cituara nga Reuters.

 

Një pjesë e madhe e sistemit raketor pritet të furnizohet nga Izraeli. Sistemi, i quajtur “Achilles Shield”, parashikohet të kushtojë rreth 3 miliardë euro dhe synon të krijojë një mburojë kundër raketave dhe dronëve.

 

Në të njëjtën mbledhje me dyer të mbyllura, komisioni miratoi edhe modernizimin e 38 avionëve F-16 Block 50, që datojnë nga vitet 1990. Avionët do të përditësohen në versionin më të avancuar “Viper”, me një kosto të vlerësuar rreth 1 miliard euro.

 

Greqia ka aktualisht rreth 150 avionë F-16 në flotën e saj dhe tashmë ka modernizuar rreth 40 prej tyre.

 

Qeveria greke ka bërë të ditur se synon të investojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për modernizimin e forcave të armatosura. Ky plan vjen ndërsa vendi përpiqet të forcojë kapacitetet ushtarake pas krizës së borxhit të viteve 2009-2018 dhe të mbajë ritmin me rivalin historik në rajon, Turqinë.

 

Projekti duhet të marrë edhe miratimin e organit më të lartë vendimmarrës për çështjet e jashtme dhe të mbrojtjes në Greqi, KYSEA.

 

Komisioni parlamentar miratoi gjithashtu modernizimin e katër fregatave të vjetra MEKO 200 dhe një marrëveshje mirëmbajtjeje për avionët transportues ushtarakë C-29J.

 


Axios: Irani dhe SHBA po shkëmbejnë mesazhe në prapaskenë

 

Një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi është riaktivizuar ditët e fundit. Lajmin e ka dhënë agjencia Axios që citon një zyrtar amerikan dhe një burim me njohuri për çështjen. Ky është komunikimi i parë i njohur i drejtpërdrejtë midis dy palëve që nga fillimi i luftës më shumë se dy javë më parë.

 

Sipas të njëjtave burime, Araghchi i dërgoi mesazhe të shkruara Wittkoff që përqendroheshin në përfundimin e luftës. Nuk është e qartë se sa mesazhe u shkëmbyen ose përmbajtja e tyre e saktë. Një zyrtar amerikan tha se ministri i jashtëm iranian ishte përpjekur të hapte kanalin e komunikimit, por shtoi se SHBA-të “nuk po flisnin” me Iranin.

 

Më herët, Donald Trump ka thënë se Irani ka kontaktuar SHBA-në, por shtoi se nuk ishte e qartë nëse zyrtarët iranianë të përfshirë kishin autoritetin për të negociuar. “Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Po flasin me njerëzit tanë, kemi njerëz që duan të negociojnë, por nuk kemi idenë se kush janë ata”, – tha ai.

 

Pavarësisht dyshimeve të tij nëse Teherani është gati për një marrëveshje, ai tha se nuk është kundër bisedimeve “sepse ndonjëherë prej tyre mund të dalin gjëra të mira”.

 

Një zyrtar i lartë amerikan hodhi poshtë kërkesën e Iranit për “kompensime” si pjesë të një marrëveshjeje paqeje, por vuri në dukje se Trump mbetet i hapur për një marrëveshje që do t’i lejonte Iranit “të ribashkohej me ekonominë globale dhe të fitonte para nga nafta e tij”.

 

Nga ana e tyre, zyrtarët iranianë kanë deklaruar publikisht ditët e fundit se nuk po zhvillohen negociata për armëpushim me administratën Trump.

 

Ata argumentojnë se Teherani nuk është i interesuar për një armëpushim të përkohshëm që do t’u lejonte SHBA-ve dhe Izraelit të riorganizoheshin, por po kërkon garanci se çdo marrëveshje paqeje do të jetë e përhershme.

 

Sipas burimeve, zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Araghchi ka autoritet të plotë vendimmarrës. Megjithatë, ata besojnë se ai po koordinohet me Ali Larijani, sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili thuhet se ka marrë një rol politik de facto pas vrasjes së ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei. ©LAPSI.al


Starmer: Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në një luftë më të gjerë me Iranin

 

Kryeministri Keir Starmer tha se Britania nuk do të përfshihej në një luftë më të gjerë në Iran, por do të punonte me aleatët, përfshirë ata në Evropë, për të rihapur Ngushticën kyçe të Hormuzit, megjithëse pranoi se kjo nuk do të ishte e lehtë.

 

Starmer, i cili është përballur me presion nga kritikët në vend dhe nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump mbi mbështetjen që duhet ofruar për sulmet ndaj Iranit, tha se rihapja e një rruge ujore që është jetike për naftën dhe gazin natyror të lëngshëm ishte çelësi për stabilizimin e tregjeve të energjisë.

 

Ai gjithashtu përcaktoi mbështetjen e parë financiare si rezultat i konfliktit, një paketë prej 53 milionë paundësh (70.30 milionë dollarë) për familjet më vulnerabël të cilat mbështeten në naftë për ngrohje, një burim energjie që është rritur ndjeshëm pas fillimit të konfliktit.

 

Trump tha në fundjavë se donte që aleatët, përfshirë Kinën, Francën, Japoninë, Korenë e Jugut, Britaninë dhe të tjerë, të dërgonin anije në zonë për ta mbajtur Ngushticën të hapur dhe të sigurt, shkruan Reuters.

 

Starmer tha në një konferencë për shtyp të hënën se në fund të fundit Ngushtica e Hormuzit duhej të rihapej për të “siguruar stabilitetin në tregun (e naftës)”. Por ai shtoi: “Kjo nuk është një detyrë e thjeshtë”.

 

“Pra, ne po punojmë me të gjithë aleatët tanë, përfshirë partnerët tanë evropianë, për të hartuar një plan kolektiv të qëndrueshëm që mund të rivendosë lirinë e lundrimit në rajon sa më shpejt të jetë e mundur dhe të lehtësojë ndikimin ekonomik.”

 

Rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm global kalon normalisht nëpër ngushticë, një kalim i ngushtë uji midis Iranit dhe Omanit. Aftësia e Teheranit për të ndaluar transportin detar përmes kanalit mund t’i japë atij një ndikim të madh mbi SHBA-në dhe aleatët e saj.


Lufta me Iranin, çmimi i naftës rritet sërish në 100 dollarë për fuçi

 

Çmimet e naftës kanë shënuar sërish rritje në tregjet aziatike në orët e para të mëngjesit, të ndikuara nga zhvillimet në konfliktin në Lindjen e Mesme dhe shqetësimet për ndërprerje të furnizimit global.

 

Çmimi i një fuçie të naftës amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 2.71%, duke arritur në 96.03 dollarë, pas një rënieje prej mbi 5% një ditë më parë.

 

Ndërkohë, nafta e referencës evropiane Brent North Sea u rrit me 2.78%, duke kapur nivelin e 103 dollarëve për fuçi, pasi kishte pësuar gjithashtu rënie në sesionin e mëparshëm.

 

Rritja e çmimeve vjen pavarësisht përpjekjeve të vendeve anëtare të Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë për të stabilizuar tregun përmes lirimit të rezervave strategjike.

 

Analistët theksojnë se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme dhe rreziqet për furnizimin global me energji vazhdojnë të mbajnë të larta presionet mbi tregjet e naftës, duke shtuar pasigurinë për ekonominë botërore.


J.D. Vance sulmon gazetarin: Më parë kishim presidentë budallenj, tani kemi president të zgjuar!

 

Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance tha sot se ka besim në mënyrën se si Presidenti Donald Trump po e trajton luftën në Iran.

 

Një gazetar e pyeti Vance nëse kishte rezerva në lidhje me përfshirjen e SHBA-së në luftën kundër Iranit, duke kujtuar kritikat që kishte bërë në të kaluarën – para se të merrte detyrën – në lidhje me ndërhyrjet amerikane në Lindjen e Mesme.

 

Fillimisht ai akuzoi gazetarin që bëri pyetjen se po përpiqej të shkaktonte një “përçarje” midis tij dhe Trump, ndërsa Vance tha më pas se ndryshimi është se tani “kemi një president të zgjuar, ndërsa në të kaluarën kemi pasur presidentë budallenj”.

 

“Unë i besoj Presidentit Trump se do ta bëjë punën, do të bëjë një punë të mirë për popullin amerikan dhe do të sigurojë që gabimet e së kaluarës të mos përsëriten”, theksoi Vance.

XS
SM
MD
LG