Lidhje


Izraeli përgatitet për sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit

Izraeli po planifikon një sulm ushtarak ndaj objekteve bërthamore të Iranit, pavarësisht mosmarrëveshjeve të brendshme në nivel politik dhe ushtarak, si dhe rifillimit të konfliktit në Gaza, sipas mediave të huaja.

Një sulm i planifikuar për në maj, i cili shihej si pjesë e axhendës strategjike të kryeministrit Benjamin Netanyahu, u shty pas ndërhyrjes së presidentit amerikan Donald Trump, raportoi The New York Times.

 

Ky zhvillim pasoi një vizitë të papritur të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë më 7 prill. Gjatë takimit të tensionuar me Trump, ai u informua papritur për fillimin e negociatave SHBA-Iran për një marrëveshje të mundshme bërthamore, çka e zuri në befasi.

 

Gjatë muajve të fundit, Izraeli i ka propozuar administratës Trump disa opsione për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit, përfshirë plane me afate në fund të pranverës dhe verës. Këto plane përfshijnë një kombinim të sulmeve ajrore dhe operacioneve komando, me shkallë të ndryshme intensiteti, që mund të vonojnë aftësinë e Teheranit për të zhvilluar armë bërthamore për disa muaj deri në një vit ose më shumë.

 

Sipas analistëve, heshtja e Izraelit lidhur me këto plane mund të tregojë se ambicia e tij e kahershme për të dobësuar programin bërthamor të Iranit po kalon nga retorika në veprim. Burimet raportojnë se Izraeli po përparon me përgatitjet, përfshirë gatishmërinë e trupave dhe koordinimin në terren me forcat amerikane.

 

Administrata Trump ka deklaruar më herët se çdo ndërhyrje do të nxirrte në pah aftësinë e Uashingtonit për të ndikuar në vendimmarrjen izraelite kur e sheh të nevojshme. Një sulm i suksesshëm do të kërkonte mbështetje amerikane, veçanërisht nga Forcat Ajrore të SHBA-së, qoftë përmes pjesëmarrjes direkte, qoftë përmes koordinimit për mbrojtje.

 

Me mbrojtjen ajrore të Iranit të dobësuar dhe ndikimin e tij të zvogëluar në rajon, Izraeli e konsideron momentin aktual si të favorshëm për veprim. Netanyahu synon jo vetëm të ndryshojë dinamikat në Lindjen e Mesme pas luftës në Gaza, por edhe të forcojë trashëgiminë e tij politike përmes arritjeve ushtarake, duke përfshirë frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit, dobësimin e Hezbollahut dhe shtypjen e rezistencës palestineze.


SHBA tërheq qindra trupa nga Siria

Dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë se ushtria po mbyll tre nga tetë bazat e saj të vogla operative në verilindje të Sirisë dhe po redukton nivelet e trupave në rreth 1.400 nga 2 mijë.

 

SHBA-ja ka filluar tërheqjen e qindra trupave nga Siria verilindore, transmeton Anadolu.

Duke cituar dy zyrtarë të lartë amerikanë, New York Times tha se ushtria po mbyll tre nga tetë bazat e saj të vogla operative në verilindje të Sirisë dhe po redukton nivelet e trupave në rreth 1.400 nga 2 mijë.

 

Zyrtarët thanë se komandantët amerikanë do të vlerësojnë nëse do të bëjnë shkurtime shtesë pas 60 ditësh.

Komandantët gjithashtu rekomanduan mbajtjen e të paktën 500 trupave në Siri.

 

Raporti thotë se presidenti Donald Trump ka shprehur "skepticizëm të thellë" për mbajtjen e trupave amerikane në Siri.

Në fund të muajit janar, Trump tha se SHBA-ja "do të vendosë" për trupat në Siri pas një raporti që pretendonte se ai synon të tërheq forcat amerikane.

 

“Nuk e di kush e tha këtë, por ne do të vendosim për këtë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

"Ne nuk jemi të përfshirë në Siri. Siria është në rrëmujën e saj. Ata kanë mjaft rrëmujë atje. Ata nuk kanë nevojë që ne të përfshihemi”, shtoi ai.

 

Sipas New York Times, të paktën tani për tani reduktimet që filluan së fundmi bazohen në rekomandimet e komandantëve tokësorë për mbylljen dhe konsolidimin e bazave dhe u miratuan nga Pentagoni dhe komanda qendrore.


Netanyhau: Ne nuk do të lejojmë që Irani të prodhojë armë bërthamore

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se nuk do të lejojë Iranin që të zhvillojë armë bërthamore.

 

Netanyahu theksoi se Izraeli ka ndërmarrë veprime të panumërta që Irani të mos prodhojë armë bërthamore.

 

“Izraeli nuk do të lejojë që Irani të ketë armë bërthamore. Kryeministri ka ndërmarrë veprime të panumërta, të hapura dhe të fshehta, kundër programit bërthamor të Iranit, pa të cilin Irani do të kishte një arsenal bërthamor sot. Këto veprime e shtynë programin bërthamor të Iranit për gati një dekadë”, tha Netanyahu. 


Shkëputen kabllot e teleferikut në Itali, humbin jetën tre persona

Një aksident i rëndë ka ndodhur në teleferikun e Monte Faitos në Itali, ku tre persona kanë humbur jetën, një është plagosur rëndë dhe shoferi i kabinës është ende i zhdukur. Aksidenti ka ndodhur pas shkëputjes së kabllove që mbanin teleferikun, dhe ndodhi në orët e pasdites të së enjtes, kur një nga kabinat e sipërme ra në tokë, pak para mbërritjes në stacionin përfundimtar.

 

Teleferiku lidh qytetin Castellammare di Stabia me malin Faito, një zonë turistike e njohur. Në kabinën tjetër, ndodheshin 16 pasagjerë, shumica turistë të huaj. Fatmirësisht, kjo kabinë mbeti pezull pranë stacionit të nisjes dhe të gjithë pasagjerët u shpëtuan në mënyrë të sigurt nga ekipet e shpëtimit.

 

Sipas të dhënave paraprake, kablloja tërheqëse e teleferikut u këput dhe ra mbi linjën hekurudhore Circumvesuviana që kalon më poshtë, duke shkaktuar ndërprerjen e trafikut hekurudhor.


Një kabinë tjetër është ende e bllokuar, dhe në të mendohet se ndodhen katër pasagjerë dhe një operator. Mjegulla e dendur ka penguar shikimin e kabinës dhe nuk ka pasur komunikim radio me të. Ekipet e shpëtimit, përfshirë zjarrfikësit, policinë dhe shërbimet e emergjencës, janë angazhuar për të ndihmuar dhe për të siguruar vendin e ngjarjes. 

 

Teleferiku Monte Faito kishte rifilluar aktivitetin më 10 prill pas një periudhe mbylljeje sezonale dhe është i njohur për pamjet spektakolare që ofron mbi det dhe male. Vetëm këtë vit, ishte përdorur nga mbi 113 mijë persona.

XS
SM
MD
LG