Lidhje


Ushtarët izraelitë bastisën spitalin "Kemal Advan" në Gaza dhe plagosën 5 persona

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 5 anëtarë të personelit mjekësor dhe një pacient u plagosën me armë zjarri në spitalin "Kemal Advan", i cili u bastis nga forcat izraelite.

 

Ministria bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me situatën në spitalin "Kemal Advan" në qytetin Beit Lahiya në veri të Rripit të Gazës, të cilin dje e bastisi ushtria izraelite. Në deklaratë thuhet se forcat izraelite ndaluan për një kohë shumë personel mjekësor, pacientë, të plagosur dhe më pas liruan disa prej tyre.

 

Në deklaratë thuhet se 5 nga personeli mjekësor i liruar dhe pacientët u plagosën nga të shtënat me armë zjarri gjatë kthimit në spital dhe se forcat izraelite ende e mbanin spitalin nën rrethim dhe nuk lejuan lëvizjen brenda ndërtesës.

 

Forcat izraelite përdorën armë dhe hapën zjarr brenda spitalit dhe nuk lejuan pacientët në spital të kenë qasje në ushqim, ujë dhe energji elektrike. Personeli mjekësor nuk mund të ofronte trajtimin e nevojshëm për fëmijët në terapi intensive dhe nuk kishte ujë as për të përgatitur ushqim.

 

Në deklaratë i bëhet thirrje OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar të "marrin veprime urgjente" për të shpëtuar fëmijët, të plagosurit dhe pacientët në spital.

 

Në deklaratën e djeshme të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza thuhej se ushtria izraelite bastisi spitalin "Kemal Advan", largoi drejtorin e spitalit, Ahmed al-Kahlut dhe më shumë se 70 personel mjekësor nga spitali dhe dërgoi ata në një vend të panjohur.

 

Ushtria izraelite ka kërkuar që stafi mjekësor dhe pacientët të qëndrojnë në spital të mblidhen në një ndërtesë të vetme dhe të evakuojnë ndërtesat e mbetura. Më tej thuhet se në spital janë 65 të lënduar dhe 12 pacientë fëmijë dhe se në spital nuk kishte energji elektrike, ujë dhe ushqim.

 

Burimi: AA


Ministria e Shëndetësisë: Gazës i mbaruan vaksinat për fëmijët palestinezë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Rripit të Gazës i kanë mbaruar vaksinat për fëmijët palestinezë në enklavën e rrethuar.

 

"Vaksinat e fëmijëve mbaruan plotësisht në Rripin e Gazës", tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza.

 

Ministria tha se mungesa e vaksinave do të ketë pasoja katastrofike shëndetësore për fëmijët dhe do të shkaktojë përhapjen e sëmundjeve, veçanërisht në mesin e personave të zhvendosur në strehimoret e mbushura me njerëz në të gjithë enklavën.

 

Ministria u bëri thirrje agjencive shëndetësore të Kombeve të Bashkuara (OKB) "të ndërhyjnë shpejt për të siguruar vaksinat e nevojshme dhe për të garantuar mbërritjen e tyre në të gjitha zonat e Gazës për të parandaluar katastrofën".

 

Rripi i Gazës vazhdon të vuajë nga mungesa e madhe e të gjitha ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore si rezultat i luftës shkatërruese të vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

 

Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje të sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

 

Të paktën 18.412 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 50.100 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që atëherë.

 

Burimi: AA


Qeveria në Gaza: Të paktën 87 gazetarë të vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori

Zyra e qeverisë për media në Rripin e Gazës ka bërë të ditur se të paktën 87 gazetarë janë vrarë në fushatën e vazhdueshme ushtarake izraelite në enklavën e rrethuar palestineze që nga 7 tetori.

 

Zyra e qeverisë tha se viktima e fundit ishte Abdulkarim Oda, i cili u vra në një sulm izraelit, pasi më parë të hënën njoftoi se numri i gazetarëve të vrarë ishte 86.

 

Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje për sulmin ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

 

Të paktën 18.412 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 50.100 të tjerë janë plagosur në sulmin izraelit që atëherë.

 

Burimi: AA


Izraeli bombardon shtëpitë në Jenin, vret 7 palestinezë dhe plagos disa të tjerë

Ushtria izraelite bombardoi tre shtëpi në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor nën pushtim dhe ka vrarë shtatë palestinezë, si dhe ka plagosur disa të tjerë.

 

Forcat izraelite vazhdojnë sulmet e tyre kundër qytetit Jenin dhe kampit të refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor, duke i zgjeruar ato në mënyrë që të përfshijë pjesën më të madhe të qytetit.

 

Po ashtu forcat izraelite kanë rrethuar plotësisht rajonin duke e bllokuar me automjete ushtarake dhe buldozerë, ndërsa kanë vendosur snajperë në çatitë e ndërtesave të larta në qytet.

 

Dëshmitarët theksuan se forcat izraelite bombarduan tre shtëpi të palestinezëve në qytet. Ata theksuan se në sulm kanë humbur jetën shtatë palestinezë dhe se ka edhe të plagosur.

 

Në rajon vazhdojnë konfliktet dhe dëgjohen shpërthime, theksojnë dëshmitarët të cilët janë shprehur se buldozerët izraelitë kanë shkatërruar infrastrukturën e kampit të refugjatëve Jenin dhe kanë dëmtuar pronat e qytetarëve.

 

Edhe në një deklaratë nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë thuhet se dje në qytetin në fjalë nën pushtim dhe në kampin e refugjatëve u arrestuan të paktën 100 persona, ndërsa që nga 7 tetori kur filluan sulmet ndaj Gazës janë arrestuar 400 persona.

 

Ministria palestineze e Shëndetësisë së fundmi ka konfirmuar se 282 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori e deri më tani nga forcat izraelite dhe kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim.

 

Që kur forcat izraelite filluan sulmet e tyre në Gaza, është shënuar rritje e arrestimeve dhe bastisjeve kundër palestinezëve në rajonin nën pushtim.

 

Burimi: AA


Në sulmet izraelite në Gaza vriten 22 palestinezë, përfshirë fëmijë

Në sulmet e kryera nga forcat izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës, janë vrarë 22 palestinezë, përfshirë fëmijë ndërsa janë plagosur shumë persona.

 

Siç raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, Izraeli kreu sulme në pjesë të ndryshme të Khan Younis, duke përfshirë jugun, perëndimin dhe kampin e refugjatëve.

 

Në lajm thuhet se 20 persona në Khan Yunus humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën nga sulmet. Në mesin e të vrarëve ka edhe fëmijë.

 

Dy fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve izraelite në rajonin Deir el-Beleh të Rripit të Gazës.

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG