Lidhje


Ushtria izraelite tërhiqet nga kampi Jenin pas operacionit ushtarak 3-ditor

Ushtria izraelite u tërhoq nga kampi i refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar pas një operacioni ushtarak tre-ditor që rezultoi me vdekjen e më shumë se dhjetë palestinezëve.

 

Dëshmitarët raportuan se qindra banorë kanë filluar të kthehen në kamp për të vlerësuar dëmet në shtëpitë e tyre pas operacionit ushtarak.

 

“Numri i martirëve deri të martën në qytetin Jenin dhe kampin e tij në Bregun Perëndimor verior është rritur në 12 palestinezë, të cilët ranë viktimë të të shtënave me armë zjarri të ushtrisë izraelite”, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

 

Numri i viktimave palestineze në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori është rritur në 287.

 

Ushtria izraelite kreu një operacion të gjerë ushtarak në Jenin dhe në kampin e tij, gjatë të cilit u shkatërruan 20 shtëpi dhe u arrestuan 700 palestinezë.

 

Sipas ushtruesit të detyrës guvernator i Jeninit, Kamal Abu al-Rub, shumica u liruan pasi u morën në pyetje për orë të tëra.

 

Ushtria izraelite po përshkallëzon operacionet e inkursionit, arrestimit dhe forcës vdekjeprurëse në qytetet e Bregut Perëndimor, njëkohësisht me luftën shkatërruese që ka zhvilluar në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.

 

Burimi: AA


Hamasi njofton se ka vrarë 10 ushtarë dhe oficerë izraelitë në Gaza

Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam njoftuan se kanë vrarë të paktën 10 ushtarë dhe oficerë izraelitë në lindje të qytetit të Gazës.

 

Në sulmin në fjalë theksohet se u vrarë të paktën 10 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë izraelite.

 

Më tej thuhet se në Al-Shuja‘iyya dy tanke të ushtrisë izraelite u shënjestruan me raketat anti-tank "Yasin 105" ndërsa në lagjen Sheikh Ridwan u goditën 4 tanke dhe 4 automjete ushtarake të ushtrisë izraelite.

 

Një tank izraelit u shënjestrua në lagjen Al-Zeitoun në juglindje të qytetit të Gazës.

 

Dje ushtria izraelite njoftoi se gjatë përleshjeve në Jabalia dhe Al-Shuja‘iyya humbën jetën 10 ushtarë izraelitë, përfshirë një oficer. Gjithashtu sot në mëngjes ushtria njoftoi vrasjen e një oficeri izraelit në luftimet në jug të Rripit të Gazës.

 

Ushtria izraelite ka njoftuar se që kur filloi sulmet e saj në Rripin e Gazës nga 7 tetori e deri më tani janë vrarë 445 ushtarë të saj, ndërsa 116 prej tyre janë vrarë që nga fillimi i pushtimit tokësor.

 

Burimi: AA


Eurodeputeti belg Botenga në fjalimin për Gazën kritikon BE-në për "standarde të dyfishta"

Në median sociale është postuar në mënyrë intensive fjalimi i mbajtur nga anëtari i Parlamentit Evropian (PE) i Partisë Punëtore të Belgjikës, Marc Botenga lidhur me vrasjet e fëmijëve në Gaza ku Izraeli vazhdon sulmet pa dallim.

 

Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së, Botenga rikujtoi vlerësimin e bërë nga Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) se në Gaza po zhvillohet "një luftë kundër fëmijëve" duke shtuar se deri më sot në Gaza janë vrarë mbi 7.700 fëmijë.

 

"Kur kjo ndodhte në Ukrainë ju e emërtonit gjenocid", deklaroi Botenga duke kritikuar "standardin e dyfishtë" të BE-së.

 

Duke iu drejtuar atyre brenda BE-së të cilët mbështesin Izraelin, Botenga tha: "Unë nuk dua t'iu përgjigjem sepse nuk ka dallime politike mes jush dhe meje. E thënë thjeshtë, ka ndryshim humanizmi".

 

Ai vuri në dukje se politikanët evropianë që mbështesin Izraelin duartrokasin "luftën që drejtuesit izraelitë zhvillojnë kundër të gjithë popullit të Palestinës".

 

"BE-ja duke vazhduar shitjen e armëve është bashkëfajtore në krim me Izraelin. Shpresoj që një mbrëmje të mund të shikoni fytyrën tuaj në pasqyrë pa patur turp", tha Botenga duke iu drejtuar parlamentarëve evropianë.

 

Ky fjalim i mbajtur nga Botenga u bë viral në mediat sociale.

 

Burimi: AA


Shtëpia botuese franceze tërhoqi nga shitja librin "Spastrimi etnik në Palestinë" të historianit izraelit

Shtëpia botuese franceze "Fayard" ka tërhequr nga shitja librin "Spastrimi etnik në Palestinë" të historianit izraelit, profesor Ilan Pappe.

 

Sipas revistës letrare online "Actualitte", shtëpia botuese franceze "Fayard" ka ndaluar shitjen e librit të historianit izraelit Pappe, mbi spastrimin etnik të popullit palestinez me krijimin e Izraelit në vitin 1948, që nga 7 nëntori.

 

Në deklaratën e saj me kërkesën e revistës "Actualitte" lidhur me tërheqjen e shitjes së librit, shtëpia botuese franceze tha se kontrata e librit me autorin ka përfunduar më 27 shkurt 2022, ndaj kanë vendosur ta heqin librin nga qarkullimi në nëntor.

 

Nga qarqet letrare u konsiderua e çuditshme që libri i shkruar për çështjen e Palestinës, i cili është në agjendën botërore për shkak të sulmeve të Izraelit ndaj Gazës, u tërhoq nga shitja, veçanërisht në një kohë kur shitjet e saj po rriteshin.

 

Ndonëse shtëpia botuese ka përmendur skadimin e kontratës si arsye të ndalimit të shitjes së librit, ishte kuriozitet pse ky vendim u mor 22 muaj më vonë. Për më tepër, pezullimi i shitjeve të librit pasoi blerjen e kompanisë mëmë të "Fayard", "Hachette Livre", nga miliarderi francez i ekstremit të djathtë Vincent Bollore në nëntor.

 

Sipas Edistat, një faqe interneti statistikore që publikon shitjet e librave në Francë, 203 nga 307 kopjet e librit të shitura këtë vit u shitën pas fillimit të sulmeve të Izraelit në Gaza.

 

Burimi: AA


Danimarka kërkon "pauzë humanitare" në Gaza

Danimarka ka kërkuar një pauzë humanitare në mënyrë që të mund të dërgohen më shumë ndihma urgjente për popullatën civile të vuajtur në Rripin e Gazës në mes të sulmeve të vazhdueshme nga Izraeli.

 

Ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Lokke Rasmussen, për transmetuesin lokal DR tha se "duhet të ketë një ndërprerje humanitare në armiqësitë, në mënyrë që ne të mund të japim më shumë ndihmë urgjente për popullatën civile të vuajtur".

 

Rasmussen tha se Danimarka votoi po në rezolutën e miratuar së fundmi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sepse siç theksoi ai, "situata humanitare në Gaza është katastrofike".

 

"Termi ‘armëpushim humanitar’ thekson fokusin humanitar dhe kështu nuk është një armëpushim i përhershëm", tha ai.

 

Dje, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me një shumicë dërrmuese për të kërkuar një armëpushim humanitar në Gaza. Në votim 153 vota ishin pro, 10 kundër dhe 23 abstenime.

 

Në një deklaratë të përbashkët, gjithashtu edhe kryeministrat e Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re kërkuan një përpjekje ndërkombëtare për një "armëpushim të qëndrueshëm" në konfliktin e Gazës dhe ngritën alarmin për pakësimin e hapësirave të sigurta për civilët në enklavën palestineze në mes të sulmeve të vazhdueshme izraelite.

 

Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje për sulmin ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

 

Të paktën 18.412 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 50.100 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që atëherë.

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG