Lidhje


Vriten 10 ushtarë të tjerë izraelitë në luftimet në veri të Gazës

Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën se 10 trupa të saj, përfshirë komandantë, u vranë në betejat në veri të Rripit të Gazës në 24 orët e fundit,

 

Në deklaratën e parë, ushtria izraelite tha se 8 ushtarë të saj u vranë në betejat në lindje të Gazës ndërsa 3 të tjerë u plagosën rëndë.

 

Transmetuesi publik KAN tha se në mesin e të vrarëve është nënkoloneli Tomer Grinberg, 35-vjeç, komandant i Batalionit të 13-të të Brigadës Golani, majori Roei Meldasi, 23-vjeç, komandanti i kompanisë në Batalionin e 13-të të Brigadës Golani dhe majori Moshe Avram Bar, 23-vjeç, komandant kompanie në Batalionin 51 të Brigadës Golani.

 

Gazeta izraelite "Times of Israel", duke cituar një burim ushtarak, tha se 7 nga 8 ushtarët u vranë në një seri shpërthimesh ndërsa kontrollonin ndërtesa në lagjen Shejaiya të qytetit të Gazës.

 

Në një deklaratë të veçantë, ushtria izraelite tha se 2 ushtarë të tjerë, përfshirë një komandant ushtarak u vranë në betejat në veri të Gazës. Rastet e fundit e çojnë në të paktën 115 numrin e ushtarëve izraelitë të vrarë në ofensivën tokësore që nga fundi i tetorit.

 

Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur rrethim të plotë dhe ka ndërmarrë ofensivë tokësore si hakmarrje për sulmin ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor. Të paktën 18.412 palestinezë janë vrarë dhe 50.100 janë plagosur në sulmet e pamëshirshme izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

 

Numri zyrtar i izraelitëve të vdekurve është 1.200 ndërsa rreth 139 pengje izraelite mbeten në robëri, sipas shifrave zyrtare.

 

Sulmet e pamëshirshme izraelite kanë detyruar gjithashtu rreth 1.9 milionë palestinezë të largohen nga shtëpitë e tyre. Banorët e Gazës përballen me mungesa të mëdha të ushqimit, ujit dhe mallrave të tjera bazë, pasi ndihma lejohet vetëm në sasi të kufizuar.

 

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi të martën me shumicë dërmuese për një armëpushim humanitar në Gaza, me 153 vota pro, 10 kundër dhe 23 abstenime.

 

Burimi: AA


Ra nga skela ku po punonte, humb jetën punëtori shqiptar në Itali

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali pasditen e sotme, ku një 61-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi ka rënë nga skela ku po punonte.

 

Punëtori shqiptar, teksa po punonte në katin e katërt të një skele, u rrëzua nga një lartësi rreth 8-10 metra, dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Kryebashkiaku Giancarlo Canepa, i cili mbërriti menjëherë në vendin e aksidentit, shprehu pikëllim për ngjarjen.

 

“Një tragjedi, vajtojmë një tjetër vdekje të papritur dhe një tjetër familje të rrënuar. Në këto raste nuk ka fjalë, tani hetimet do të bëjnë punën e tyre për të konstatuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe për të hedhur dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes”, tha ai, shkruajnë mediat italiane.

 

Dëshmitarja e vetme , një grua që punon në një supermarket pranë godinës, iu drejtua klinikës së Infermierisë Mjekësore aty pranë për të kërkuar ndihmë të menjëhershme, por fatkeqësisht nuk mundej të bëhej gjë.

 

Burimi: AA


Aktorja Penelope Cruz bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

Aktorja spanjolle, Penelope Cruz në llogarinë e saj në rrjetet sociale bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës.

 

Cruz publikoi një postim për Gazën në llogarinë e saj në Instagram.

 

Në postimin e saj, Cruz përdori frazën "Ceasefire Now" (Armëpushim Tani).

 

Një grup yjesh të Holivudit, përfshirë edhe Cruz, publikuan një manifest duke akuzuar Izraelin për "gjenocid" në sulmet e tij në Gaza në vitin 2014 dhe kjo shkaktoi një bujë të madhe.

 

Manifesti thoshte se Izraeli ishte "vendi pushtues që më së shumti nuk i bindet rezolutave të OKB-së, më pak respekton të drejtat e njeriut dhe praktikon terrorizmin shtetëror".

 

Burimi: AA


Izraeli vret 12 palestinezë në sulmet ajrore në Rafah, përfshirë 6 fëmijë

Raportohet se 12 palestinezë përfshirë 6 fëmijë humbën jetën në sulmet ajrore që avionët luftarak izraelitë kryen në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.

 

Në lajmin e agjencisë palestineze të lajmeve WAFA thuhet se në sulm u plagosën gjithashtu edhe dhjetëra palestinezë të tjerë.

 

Në sulmin e kryer në qytetin Rafah raportohet se humbën jetën 12 persona, përfshirë 6 fëmijë, të cilët jetonin në lagjen Az-Zuhur dhe të cilët i përkisnin familjes Harb.

 

Ndërkohë nuk janë dhënë informacione lidhur m identitetin e palestinezëve që kanë humbur jetën.

 

Forcat izraelite njoftuan se krahas qytetit Rafah kanë bombarduar zona të ndryshme të Rripit të Gazës.

 

Ushtria izraelite, gjithashtu ka kryer goditje intensive me artileri ndaj qytetit Khan Jounis në jug dhe rajonit Jabalia në veri të Gazës.

 

Burimi: AA


Ushtria izraelite: 20 ushtarë tanë u vranë nga "pakujdesia" në Gaza

Ushtria izraelite njoftoi të martën se 20 ushtarë të saj u vranë nga "pakujdesia" në Rripin e Gazës që nga fillimi i operacionit tokësor në enklavën e bllokuar në fund të tetorit.

 

Nga 105 ushtarë izraelitë të vrarë në Gaza që nga fillimi i operacionit tokësor më 27 tetor, 20 u vranë nga pakujdesia, që paraqet një të pestën e vdekjeve, citoi radioja e ushtrisë izraelite duke u thirrur në një deklaratë të ushtrisë.

 

Deklarata e ushtrisë tha gjithashtu se nga 20 ushtarët e vrarë nga "pakujdesia", 13 ushtarë u vranë në aksidente me armë zjarri pasi u identifikuan gabimisht si persona të armatosur palestinezë.

 

Dy ushtarë u vranë nga automjetet ushtarake që u përmbysën mbi ta, dy të tjerë u vranë nga predha nga eksplozivi i vendosur nga vetë forcat izraelite dhe një ushtar u vra nga një plumb endacak.

 

Deklarata shton se ushtria vazhdimisht kryen vlerësime për luftimet e vazhdueshme në Gaza, përfshirë vlerësimin e incidenteve nga pakujdesia për të shmangur ripërsëritjen e tyre.

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG