Lidhje


Malajzia ndalon ankorimin e anijeve izraelite në portet e saj

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim deklaroi se për shkak të "persekutimit" të palestinezëve është ndaluar ankorimi në porte për të gjitha anijet me flamur izraelit dhe që i përkasin këtij vendi.

 

Në një deklaratë me shkrim, Ibrahim tha se ndalesa është në cilësinë e përgjigjes ndaj qëndrimit të Izraelit në sulmet ndaj Palestinës dhe se ky vendim do të hyjë në fuqi menjëherë.

 

Ai theksoi se me vendim të ish-qeverisë, kompanitë dhe anijet me qendër Izraelin, janë lejuar të ankorohen në porte që nga viti 2005 por ky vendim është shpallur i pavlefshëm.

 

"Ky sanksion është përgjigje ndaj masakrës dhe shtypjes së vazhdueshme të Izraelit mbi popullin palestinez si dhe ndaj veprimeve të tij që shpërfillin parimet themelore humanitare dhe shkelin ligjin ndërkombëtar", tha kryeministri malajzian.

 

Ai vuri në dukje se krahas anijeve me flamur izraelit, ankorimi në portet e vendit për një kohë të pacaktuar ndalohet edhe për të gjitha anijet që i përkasin kompanisë izraelite të anijeve ZIM, të cilave u është dhënë leje e hyrjes që nga viti 2002.

 

Ibrahim potencoi se ndalesë është vendosur për të gjitha anijet që ngarkojnë mallra në portet e Malajzisë dhe që shkojnë në Izrael. Sipas tij, ky vendim nuk do të ndikojë në aktivitetet tregtare të Malajzisë.

 

Burimi: AA

 


Gjykata e Lartë e Kolorados përjashton Trumpin nga zgjedhjet e vitit 2024

Gjykata e Lartë e Kolorados vendosi të martën se ish-presidenti Donald Trump është përjashtuar nga mbajtja e detyrës së presidentit sipas të ashtuquajturës klauzola amerikane e kryengritjes dhe nuk mund të figurojë në fletëvotimet e shtetit për zgjedhjet e vitit 2024.

 

"Shumica e gjykatës mendon se ish-presidenti Trump është skualifikuar nga mbajtja e detyrës së presidentit sipas Seksionit 3 të amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA-së", thuhet në vendimin e gjykatës, duke shtuar se "për shkak se ai është skualifikuar, do të ishte një veprim i gabuar sipas Kodit zgjedhor që sekretari ta fusë atë si kandidat në listat preliminare presidenciale".

 

Me vendimin e saj, gjykata ndryshoi një vendim të gjykatës më të ulët. Megjithatë, Gjykata e Lartë e SHBA-së pritet të ketë fjalën e fundit.

 

Seksioni 3 i amendamentit të 14-të ndalon këdo që ka bërë më parë betimin nga mbajtja e posteve publike nëse ata janë "angazhuar në kryengritje ose rebelim" kundër SHBA-së.

 

Burimi: AA

 

 

 


Putin: Rusia nuk ka pasur kurrë për qëllim të sulmojë NATO-n

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska nuk ka pasur kurrë për qëllim të sulmojë vendet e NATO-s.

 

Duke folur në një takim me Bordin e Zgjeruar të Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, presidenti Putin tha se tema e “kërcënimit rus” po promovohet nga SHBA-ja për të ruajtur “statusin e zotërisë” në kontinentin evropian.

 

Sipas presidentit rus, SHBA-ja ishte e shqetësuar për afrimin e Rusisë me Evropën dhe filloi të promovojë temën e “kërcënimit rus”, megjithëse Moska nuk ka pasur kurrë synime të tilla.

 

Përkundrazi, theksoi Putin, NATO në kundërshtim me premtimet e liderëve të saj është duke u afruar gjithnjë e më shumë me kufijtë rusë dhe tani është në “gardhin e saj”.

 

Ai theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i papranueshëm për Rusinë në çdo periudhë kohore.

 

"Nga pikëpamja e perspektivës historike dhe e interesave strategjike të shtetit rus, edhe pas 10, edhe pas 15 vitesh, kjo është e papranueshme”, tha ai.

 

Putin gjithashtu theksoi se Rusia me dekada të tëra ishte përpjekur të ndërtojë marrëdhënie fqinjësore me Ukrainën, por Perëndimi duke përdorur nacionalistët e “mposhti” Rusinë në vitin 2014 dhe “dy kombe vëllazërore” i çoi në luftë.

 

“Në vitin 2014 bënë një grusht shteti dhe kaq… vazhduan me këtë paligjshmëri. Epo, thjesht na detyruan t’i përgjigjemi kësaj indinjate”, tha ai.

 

Më tej, Putin argumentoi se “do të kishte pasur një masakër në Krime nëse Moska nuk do ta kishte njohur referendumin për ri-bashkimin me Rusinë, të mbajtur në gadishull pas grusht shtetit në Kiev në vitin 2014”.

 

Presidenti rus tha se edhe pas grusht shtetit situata në Ukrainë mund të ishte zgjidhur në mënyrë paqësore nëse Perëndimi do të kishte zbatuar Marrëveshjen e Minskut, por sipas tij, liderët e Gjermanisë dhe Francës, të cilët hynën si garantues të zbatimit të Marrëveshjes së Minksut në vitin 2014, më vonë zbuluan se marrëveshja ishte e nevojshme vetëm për t’i dhënë kohë Ukrainës për t’u përgatitur për luftë kundër Rusisë.

 

“I vetmi garantues, e kam thënë tashmë këtë, garantuesi i vetëm i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës ishte Rusia. Vendet e tjera, mbi të gjitha SHBA-ja, po përdornin Ukrainën për interesat e tyre”, theksoi ai.

 

Siç tha ai, ushtria ruse po përshtatet shpejt me realitetet e reja. Ai shtoi se industria e mbrojtjes arriti të rrisë shpejt prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

 

“Niveli i armëve dhe pajisjeve moderne në forcat bërthamore strategjike në tërësi është arritur në 95 për qind dhe komponenti detar në pothuajse 100 për qind. Është e nevojshme të vazhdohet të ruhet në maksimum gatishmëria ushtarake luftarake e forcave strategjike. Të gjitha planet e miratuara në këtë fushë sigurisht që do të realizohen”, tha Putin.

 

Burimi: AA


Zgjedhjet në Serbi, edhe KE shpreh shqetësim: Ka nevojë që të përmirësohet dhe reformohet procesi

Zëdhënësja e Komisionit Europian Ana Pisonero deklaroi sot në një konferencë për shtyp se KE konkludon, me shqetësim, se është e nevojshme të përmirësohet dhe reformohet procesi zgjedhor në Serbi.

 

Ajo tha se janë marrë parasysh të rezultatet preliminare të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-së për zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor. Pisonero shtoi se krahas progresit të procesit zgjedhor dhe reformës zgjedhore, funksionimi i duhur i institucioneve demokratike është baza e integrimit europian të Serbisë.

 

“Komisioni Europian shprehu shqetësimin për procesin zgjedhor në Serbi, duke konsideruar se funksionimi i duhur i institucioneve demokratike është kushti kryesor për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian”, tha ajo.

 

Në konferencën e mbajtur në selinë e BE-së, u theksua se Komisioni pret raportin përfundimtar nga vëzhguesit dhe rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet të zbatohen sa më shpejt dhe para zgjedhjeve të ardhshme.

 

Burimi: Ora News

XS
SM
MD
LG