Lidhje


Raporti i fundit: 74% e botës dhe Shqipëria në autokraci – Kosova në zonën e demokracisë!

 

Rreth 74 për qind e popullsisë së botës jeton në vende me sisteme autokratike, ndërsa Kosova renditet në zonën e demokracisë. Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit të fundit ndërkombëtar mbi gjendjen e demokracisë në botë, i cili analizon zhvillimet politike globale dhe trendet e qeverisjes.

 

Sipas raportit, vitet e fundit janë shënuar nga një rritje e ndjeshme e regjimeve autokratike, duke bërë që pjesa më e madhe e popullsisë globale të jetojë nën sisteme ku pushteti është i përqendruar dhe liritë politike janë të kufizuara.

 

Në këtë panoramë globale, Kosova pozicionohet në kategorinë e vendeve demokratike, duke reflektuar funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin e proceseve zgjedhore. Megjithatë, raporti vë në dukje se edhe demokracitë përballen me sfida të vazhdueshme, përfshirë nevojën për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve.

 

Artikulli thekson se ndarja mes demokracive dhe autokracive është thelluar në vitet e fundit, duke krijuar një realitet ku shumica e popullsisë botërore jeton në sisteme jo-demokratike, ndërsa një pjesë më e vogël në vende që konsiderohen demokratike.

 

Në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në zonën e demokracisë shihet si një zhvillim pozitiv në raport me trendin global, duke e vendosur atë në një grup më të kufizuar vendesh që ruajnë standarde demokratike.

 


SHBA dhe BE bashkojnë forcat për dialogun Kosovë–Serbi – Sorensen takon Hanrahan në DASH

 

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me zyrtarin e lartë amerikan Brendan Hanrahan, ku është diskutuar për hapat e ardhshëm të procesit të dialogut.

 

Sipas Sorensen, në këtë takim është arritur një harmonizim mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për vijimin e dialogut, duke u fokusuar te arritjet e fundit dhe koordinimi për fazat e ardhshme. Ai e cilësoi takimin si “shumë të mirë” dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për këtë proces.

 

Ky zhvillim vjen pas një sërë lëvizjesh në terren në Kosovë. Një javë më parë, Sorensen u takua me kryeministrin Albin Kurti, pikërisht në prag të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, që prekin drejtpërdrejt komunitetin serb në Kosovë.

 

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë lehtësira të përkohshme për qytetarët serbë, duke përfshirë leje qëndrimi dhe njohjen e dokumenteve ekzistuese, si dhe një periudhë 12-mujore tranzitore për sektorë kyç si arsimi dhe shëndetësia. Këto masa synojnë të shmangin ndërprerjen e shërbimeve bazike për komunitetin lokal.

 

Vendimi është mirëpritur nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë theksuar rëndësinë e konsultimit me komunitetin serb dhe gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të dyja palët.

 

Ndërkohë, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se është krijuar një momentum i ri për avancimin e dialogut dhe se një takim i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndërmjetësohet së shpejti.

 

Dialogu mes Kosovo dhe Serbia ka mbetur i bllokuar në nivel të lartë që prej vitit 2023, ndërsa zhvillimet e fundit sinjalizojnë përpjekje të reja ndërkombëtare për ta rikthyer procesin në tryezë.

 


Reagon ambasadori i Shqipërisë: Donika Gërvalla non-grata? Ja cila është e vërteta!

 

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj hodhi poshtë sot zërat e publikuar së fundmi në media mbi një udhëzim në lidhje me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla.

 

Në një reagim për mediat, Malaj theksoi se një informacion i tillë për shpallje “non grata” nuk është i vërtetë dhe nuk mbështetet në asnjë vendim zyrtar.

 

Sipas tij, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë nuk konfirmon ekzistencën e një mase të tillë, duke nënvizuar se bëhet fjalë për spekulime që qarkullojnë në media dhe që nuk kanë bazë institucionale.

 

“Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim të tillë. Lajme të kësaj natyre janë hamendësime, të cilat nuk i komentojmë më tej”, është shprehur ambasadori.

 

Malaj nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës mbeten të qëndrueshme dhe të konsoliduara, duke i cilësuar ato si të qarta, të forta dhe gjithëpërfshirëse, në vijim të komunikimeve të fundit mes përfaqësuesve të dy qeverive./ ATSH


Marrëveshje fshehtë për minierat, mediat greke zbulojnë takimin Rama–Guilfoyle

 

Gazeta greke Kathimerinit ka hedhur dritë mbi sfondin e takimit të zhvilluar disa ditë më parë në Tiranë mes ambasadores amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle dhe kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur atë me një projekt të mundshëm investimi në sektorin minerar në juglindje të Shqipërisë.

 

Ajo që bie në sy në shkrimin e Ekathimerini nuk është vetëm pesha strategjike e projektit, por mënyra se si ai po del në publik: jo përmes transparencës institucionale në Tiranë, por përmes shkrimeve teë mediave greke në Athinë. Një marrëveshje që përfshin burime kritike, kapital amerikan dhe një investim potencial prej 1 miliard eurosh, por që deri më tani nuk është prezantuar në mënyrë të detajuar për publikun shqiptar, duke krijuar përshtypjen e një procesi që po zhvillohet më shumë në prapaskenë sesa në dritë.

 

Sipas raportimit të medias greke, bëhet fjalë për një iniciativë greko amerikane që synon shfrytëzimin e burimeve minerare në zonën e Bilishtit, me fokus të veçantë te mineralet strategjike.

 

“Marrëveshja kuadër e nënshkruar me BNI Foundation lidhet me bashkëpunimin ekskluziv për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare kritike në vendin fqinj (Shqipëri), veçanërisht të nikelit dhe kobaltit. Burimet shpjegojnë se ky zhvillim vendos de facto një kompani greke në qendër të përpjekjeve evropiane dhe amerikane për sigurimin e lëndëve të para kritike, sidomos atyre të nevojshme për prodhimin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike,” shkruan Kathimerini.

 

Marrëveshja parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët sipas legjislacionit shqiptar, ku grupi grek AKTOR do të zotërojë 51% të aksioneve përmes filialeve të tij, ndërsa 49% do të mbahen nga BNI Foundation, përmes strukturave të saj. Kjo e fundit do të kontribuojë me të drejtat dhe licencat minerare që ka tashmë në zotërim.

 

Në të njëjtin shkrim, Kathimerini thekson edhe dimensionin financiar dhe strategjik të projektit: “Vlera e investimit, në fazën e zhvillimit të plotë, parashikohet të arrijë 1 miliard euro. Është e rëndësishme që financimi do të mbështetet kryesisht në kapital amerikan, ndërsa projekti do të përfitojë këshillim teknik dhe mbështetje nga kompani me seli në SHBA. Pjesëmarrja e faktorëve amerikanë nënvizon rëndësinë e projektit për zinxhirin furnizues perëndimor dhe shpjegon përfshirjen e AKTOR-it, i cili ka zhvilluar më parë marrëdhënie tregtare me kompani amerikane, për shembull në tregtinë e gazit natyror të lëngshëm. Interesi investues i kësaj iniciative greko-amerikane është i fokusuar në zonën e Bilishtit,” vijon artikulli.

 

Sipas Kathimerini, ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt edhe me vizitën në Tiranë të drejtuesit të grupit AKTOR, Aleksandros Eksarhos, i cili shoqërohej nga ambasadorja amerikane në Athinë, gjatë së cilës u zhvillua edhe takimi me kryeministrin shqiptar.

 

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e ka përshkruar takimin si një bisedë në kuadër të interesave strategjike amerikane në rajon:

 

“Ambasadorja erdhi për një takim njohjeje, për të diskutuar disa çështje të interesit të lartë amerikan në rajon, që lidhen me energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave të treta. Ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese e njohur në politikën amerikane,” deklaroi Rama në një konferencë për shtyp.

 

Megjithatë, fakti që detajet konkrete të një projekti kaq të madh dalin fillimisht nga një burim i huaj dhe jo nga institucionet shqiptare, lë hapur pyetjen nëse kemi të bëjmë me një proces të mirëstrukturuar transparence apo me një marrëveshje që po ndërtohet larg vëmendjes publike, për t’u paraqitur si fakt i kryer vetëm në fazat e fundit./Lapsi.al


Beogradi provokime në kufi me Kosovën, Kurti: Alarmuese! Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur sot shqetësimin në lidhje me demonstrimin e pajustifikueshëm të forcave ushtarake serbe pranë zonave të banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit, shumë pranë kufirit me Kosovën.

 

Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë, Kurti u shpreh se një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni dhe nxitje tensioni për banorët që po përballen me spastrim etnik e administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur për Kosovën.

 

Kryeministri vuri në dukje se këto provokime përfshijnë manovra të ushtrisë serbe pranë brezit kufitar në Karaqevë, nga njësia e brigadës 63 e parashutistëve, me stërvitje me helikopter H-145M dhe hedhje me parashutë disa metra larg kufirit, grup ky i cili ka trajnuar edhe grupin e kriminelit Milan Radoiçiç.

 

“Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se njëjta njësi ka trajnuar e mbështetur grupin e kriminelit Milan Radoiçiç të cilët realizuan sulmin terrorist në Banjskë ku vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku. Këto lëvizje ushtarake të kombinuara me retoriken nxitëse të presidentit të Serbisë, Vuçiç kinse Serbia po përgatitet nga një sulm i mundshëm nga një aleancë Kroaci-Shqipëri-Kosovë dhe blerja e armatimit kinez e rus, konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm”, tha Kurti.

 

Ai gjithashtu u bëri thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mos bien pre e politikave destabilizuese dhe theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për tu përballur me çfarëdo kërcënimi.

 

“Institucionet e Kosovës mbesin vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim, por është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destablizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale”, tha Kurti.

XS
SM
MD
LG