Loja perverse e emocioneve për një lavdi të munguar
I rrënuar nga skandalet e panumërta dhe i mundur përfundimisht nga dështimi se në 12 vite rresht nuk arriti të regjistrojë një sukses të vetëm në krye të vendit, Edi Rama po tenton një fabul të re, sa të shëmtuar po aq edhe pa vlerë: lojën me ndjenjat patriotike dhe emocionale të shqiptarëve që jetojnë larg vendit të tyre.Takimi në Milano, ashtu si ai në Athinë e të tjerë që presin në radhë, janë shfaqja më e ulët dhe më e pamëshirshme për të shpëlarë një regjim të korruptuar e të kriminalizuar, me djersën dhe gjakun e qindra mijëra emigrantëve. Përdorimi i simbolikave patriotike e folklorike, i flamujve kuqezi, i këngëve të tipit “fol shqip se je shqiptar” apo i imazheve prekëse të eksodit biblik të viteve ’90, nuk është gjë tjetër veçse vjedhja e paskrupullt e emocioneve, nostalgjisë, lotëve dhe shpirtit të atyre që u mungon atdheu i tyre, për të mbushur gropën e lavdisë boshe të një lideri të dështuar.