Lidhje


RENEA dhe forcat speciale greke stërviten së bashku

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të stërvitjes së përbashkët mes forcave speciale të Policisë së Shtetit, RENEA, dhe njësisë elitë të policisë greke EKAM.

 

Në fjalën e tij, ministri Lamallari vlerësoi rolin e kësaj njësie speciale, duke theksuar se për vite me radhë RENEA ka qenë simbol i disiplinës, kurajos dhe sakrificës në shërbim të qytetarëve. Sipas tij, efektivët e kësaj force janë në vijën e parë në përballjen me situatat më të vështira, nga lufta kundër krimit të organizuar deri te kërcënimet terroriste dhe çdo rrezik që cenon jetën e qytetarëve. Lamallari theksoi se bashkëpunimi mes dy njësive speciale nuk është vetëm një trajnim i përbashkët, por një proces më i gjerë shkëmbimi përvoje dhe ndërtimi besimi mes dy policive.

 

“Ky trajnim është shumë më tepër se një stërvitje. Është bashkëpunim, ndarje përvoje dhe një besim që rritet mes jush, duke dëshmuar se Policia e Shtetit dhe policia greke mund të fuqizojnë më tej bashkëpunimin për të adresuar sfidat e përbashkëta”, deklaroi ai.

 

Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinëss në fushën e sigurisë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si thelbësor jo vetëm për dy vendet, por edhe për stabilitetin e rajonit.

 

Sfidat si krimi i organizuar, terrorizmi dhe krimet transnacionale, tha ministri Lamallari, kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes vendeve, sidomos në kontekstin e integrimit europian. Në këtë kuadër, ai theksoi se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në luftën kundër krimit dhe se Policia e Shtetit meriton të ketë një rol dinjitoz në platformën europiane të njësive speciale ATLAS Network.

 

Lamallari shprehu angazhimin e tij për të forcuar më tej bashkëpunimin mes policisë shqiptare dhe homologëve grekë, duke theksuar se kjo është një garanci më shumë për sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit.

 

“Dëshiroj veç t’ju falënderoj për shërbimin që ju bëni çdo ditë, si në Shqipëri dhe kolegët tuaj në Greqi, edhe është veçse kënaqësi e nder të jem drejtuesi i kësaj ministrie, shumë të rëndësishme, që përfshin skuadra elitë si RENEA dhe EKAM në rastin e homologëve grekë, të cilët janë shëmbëlltyra e misionit fisnik të policive të të dy vendeve, të cilët sigurisht arrijnë deri në sakrificë për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve dhe të rajonit”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.


PS inicion projekt-rezolutën për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në emër të grupit socialist ka depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë një projekt-rezolutë për shpalljen e Republika Islamike e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste.

 

Projekt Rezoluta parashikon gjithashtu shpalljen e Garda Revolucionare Islamike si organizatë terroriste.

 

Sipas propozimit, përmes kësaj rezolute u bëhet thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

 

Nismëtarët shprehen se presin që rezoluta të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Pas miratimit, ajo do t’i përcillet Qeverisë shqiptare, qeverive aleate si dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.


“Solidaritet të plotë me Turqinë”, Ministria e Jashtme reagon pas sulmit iranian

 

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në rrjetin social “X” , për sulmin e fundit me raketë balistike të Iranit në hapësirën ajrore të Turqisë.

 

“Republika Islamike e Iranit vijon të përshkallëzojë konfliktin, duke sulmuar jo vetëm fqinjët e saj në Lindjen e Mesme, por edhe duke vënë në shënjestër Turqinë.

 

Edhe një herë, NATO ka dëshmuar aftësinë e saj të jashtëzakonshme dhe reagimin e shpejtë në mbrojtje të Aleatëve dhe të sigurisë së tyre.

 

Shqipëria dënon fuqimisht sulmin e fundit me raketë balistike të regjimit iranian kundër Turqisë, një partner strategjik i Shqipërisë dhe Aleat i çmuar në NATO. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Turqinë dhe me të gjithë Aleatët në mbrojtje të territorit, sigurisë dhe unitetit të Aleancës”, thuhet në reagimin e plotë.


GJKKO rrëzon kërkesën e Ballukut për shuarje të masës së pezullimit nga detyra

 

Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e Belinda Ballukut për shuarjen e masës së pezullimit nga detyra. Vendimi u mor nga gjyqtari Erion Çela.

 

Kërkesa ishte për “Revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”

 

“1. Kërkuesja (e pandehura) Belinda Balluku me datë 13.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë)”, të caktuar ndaj kërkueses me Vendimin Nr. 118, dt.19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Konstatimin e shuarjes/rënies së kësaj mase sigurimi personal me karakter ndalues.”.

 

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 260/1, 262/2 dhe 267 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 229 datë 13.03.2026, vendosi: 1. Rrëzimin e kërkesës së kërkueses (të pandehurës) Belinda Balluku.

 

2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës”, thuhet në njoftim.


Alarm: Raketa e tretë balistike hyn në Turqi – NATO e neutralizon në Mesdheun Lindor

 

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi se një municion balistik i lëshuar nga Irani, i cili kishte hyrë në hapësirën ajrore turke, u neutralizua nga asetet e mbrojtjes ajrore dhe kundërraketore të NATO-s të dislokuara në Mesdheun Lindor.

 

Ministria bëri të ditur se autoritetet po marrin të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo kërcënimi ndaj territorit dhe hapësirës ajrore turke dhe se janë në kontakt me vendin përkatës për të sqaruar të gjitha aspektet e incidentit.

 

Në deklaratën e saj, ministria theksoi se siguria kombëtare mbetet prioritet dhe se zhvillimet në rajon po monitorohen nga afër. Mediat turke raportuan se disa fragmente të municionit ranë në tokë të pabanuar në Gaziantep dhe se nuk u raportuan viktima apo të plagosur.

 

Ky incident duket të jetë më i fundit në një seri episodesh të ngjashme që nga momenti kur lufta Iran-Izrael është përhapur në të gjithë rajonin.

 

Më 4 mars, mbrojtja e NATO-s shkatërroi një raketë që po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke mbi Mesdheun Lindor, ndërsa më 9 mars një raketë e dytë balistike iraniane u interceptua pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë.

XS
SM
MD
LG