Lidhje


Bëni kujdes, qytetarët alarmojnë për mesazhe mashtruese në emër të “Raiffeisen Bank”

Qytetarë të ndryshëm kanë ngritur shqetësimin se po marrin mesazhe të dyshimta në telefonat e tyre, të dërguara nga numra të panjohur. Përmbajtja e këtyre mesazheve pretendon se llogaria e tyre në “Raiffeisen Bank” është çaktivizuar për arsye sigurie, dhe i udhëzon ata që ta riaktivizojnë atë përmes një linku të dërguar.

 

Për shembull, një nga mesazhet e përhapura shkruan: “Raiffeisen: llogaria juaj është çaktivizuar për arsye sigurie. Ju lutemi riaktivizoni atë nëpërmjet: raiffisen-lidhje.com”.

Nga raportimet e shumta që kanë mbërritur në redaksinë tonë, rezulton se këto mesazhe janë dërguar edhe tek persona që nuk kanë fare llogari në këtë bankë.

 

Një qytetar ka ndarë përvojën e tij me redaksinë:

“Pershendetje si jeni me erdhi nje mesazh ne telefon nga nje numer qe nuk e njihja ku thoshte: Raiffeisen: llogaria juaj eshte caktivizuar per arsye sigurie, ju lutemi riaktivizoni ate nepermjet: raiffisen-lidhje.com. Un skam hapur asnje llogari ne kete bank dhe kur hapa linkun dukej qart qe ishte nje scam. Per siguri postoje se nuk i dihet ndonje qe nuk merr vesh nga keto e perdor ate link. Gjithashtu opsioni regjistrohu tani nuk funksiononte”.

 

Gazetarët tanë kontaktuan me operatorë të Raiffeisen Bank, të cilët konfirmuan se këto mesazhe janë të rreme dhe përbëjnë një tentativë mashtrimi. Banka thekson se nuk komunikon asnjëherë me klientët përmes numrave të panjohur apo linqeve të dyshimta, por vetëm përmes kanaleve zyrtare.

 

Në mungesë të një reagimi nga autoritetet përgjegjëse, JOQ Albania i bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos hapin asnjë link të tillë, në mënyrë që të mbrojnë të dhënat e tyre personale nga abuzimi.

 


Arrestimi i shefave të rrugores, gazetarja: Ka grup të strukturuar brenda policisë!

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje nga arrestimi i shefave të policisë rrugore. Lala, e ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se është goditur një grup i strukturuar kriminal. Lala thotë se duke u nisur dhe nga ngjarjet si në komisariatin numër 2, shkarkimi i të gjithë zinxhirit, se si gjobiten apo detyrohen biznesmenët për të paguar për lëvizjen e betoniereve në Tiranë, vërteton se ka grup të strukturuar.

 

“Mendoj se nëse SPAK e ka marrë seriozisht nuk ka goditur policinë rrugore, por një grup të struktuar kriminal që funksionon brenda policisë rrugore. Nesër shefi i qarkullimit rrugor, bashkë me shefin e sektorit të aksidentit, dyshohen sipas SPAK për veprën penale të korrupsionit.

 

Në Tiranë, gruaja e një biznesmeni u përfshi në një aksident me disa të plagosur. Gruaja duhej të arrestohej. Bashkëshorti ka hyrë në tentativë përmes Edison Tabakut, i kanë kërkuar 2 mijë euro. U dorëzua te zyrtarët e policisë rrugore dhe pas provave dhe përgjimit është brë ndalimi i Roven Zeka dhe dy të tjerët.

 

Kontaktet direkte kanë qenë mes biznesmenit Ergest Vrioni dhe oficerit të policisë gjyqësore. Pastaj ai del në përgjime që thotë më duhen para për shefat lart.

Besoj fort, nisur dhe nga ngjarjet si në komisariatin numër 2, shkarkimi i të gjithë zinxhirit, se si gjobiten apo detyrohen biznesmenët për të paguar për lëvizjen e betoniereve në Tiranë, më bën të besoj se ka grup të strukturuar, një celulë brenda policisë që veprojnë kështu”- tha Lala


Arrestohen tre të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë

Personat e arrestuar “dyshohen për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

 

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale, pas një aktiviteti të gjatë hetimor ka ndërmarrë disa veprime operative, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të tre të dyshuarve për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, transmeton Anadolu.

 

Siç njofton Policia e Kosovës, fillimisht në qytetin e Lipjanit, në dy lokacione të ndara, janë lokalizuar dhe arrestuar i dyshuari B.T. mashkull dhe e dyshuara N.Č. (femër). Në vazhdimësi të aktivitetit operativ në Prishtinë është lokalizuar dhe arrestuar edhe i dyshuari i tretë M.I., mashkull.

 

“Të njëjtit dyshohen për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ të kryera gjatë vitit 1998-1999 në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit. Në cilësi të gardianëve-zyrtarëve korrektues në burgun e Prishtinës dhe Qendrën Korrektuese në Lipjan, kanë marrë pjesë në maltretimin, rrahjen, torturimin fizik dhe psikik te të ndaluarve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

 

Tutje bëhet e ditur se të arrestuarit janë shoqëruar ne zyrat e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës dhe janë intervistuar.

 

Ndërkohë, ndaj arrestimit ka reaguar Lista Serbe, parti politike në Kosovë, e cila tha se për t'i bërë gjërat edhe më keq, arrestimi u krye gjatë periudhës së Pashkëve, duke frikësuar edhe më shumë popullin serb.


Media italiane: Edhe emigrantët e paligjshëm të Britanisë do të dërgohen në Shqipëri

Kryeministri britanik Keir Starmer po ndjek të njëjtin kurs si homologja e tij italiane, Giorgia Meloni, duke planifikuar transferimin e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri dhe në disa vende të tjera të Ballkanit. Kjo është ajo që shkruan media italiane Il Tempo, që paralajmëron dërgimin e emigrantëve të paligjshëm të Britanisë në vendin tonë. Por, ndryshe nga Meloni, e cila u përball me sfida të shumta ligjore për të zbatuar marrëveshjen me Shqipërinë, Starmer ka siguruar menjëherë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për ngritjen e katër qendrave riatdhesimi jashtë Britanisë.

 

Sipas mediave britanike, këto qendra do të ngrihen në Shqipëri, Serbi, Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa qëllimi i qeverisë britanike është frenimi i fluksit të emigrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit për të hyrë ilegalisht në territorin britanik.

Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, mbi 9 mijë emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar përmes detit, një rritje me 81% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kampet e improvizuara që janë shfaqur në qendër të Londrës, përballë Parlamentit, kanë shtuar presionin publik ndaj qeverisë për të vepruar.

 

Në kontrast, qeveria italiane, me gjithë marrëveshjen me Tiranën për ngritjen e dy qendrave pritëse në Gjader dhe Shëngjin, është përballur me bllokime të njëpasnjëshme nga gjykatat, të cilat kanë vonuar zbatimin e planit. Vetëm së fundmi, Italia ka mundur të dërgojë një grup të vogël emigrantësh në Shqipëri.

Starmer, nga ana tjetër, ka angazhuar Sekretaren e Brendshme Yvette Cooper për të negociuar direkt me UNHCR-në (Agjencinë e OKB-së për Refugjatët), duke siguruar mbështetje për transferimin e aplikantëve të refuzuar për azil. Plani britanik parashikon gjithashtu kompensime financiare për vendet pritëse.

 

Ky projekt po shihet si një alternativë më “e pranueshme” politikisht krahasuar me planin e qeverisë së mëparshme konservatore për dërgimin e emigrantëve në Ruandë, një ide që Starmer e shpalli “të vdekur” pas fitores së zgjedhjeve në korrik.

Ndërkohë, edhe Holanda po ndjek të njëjtin drejtim, duke negociuar me Ugandën për një marrëveshje të ngjashme. Në Itali, ndërkohë, numri i emigrantëve të parregullt këtë vit ka arritur në mbi 12 mijë, duke tejkaluar edhe Britaninë.

 

Sipas të dhënave të Universitetit të Oksfordit, në Britani ndodhen aktualisht mes 800 mijë dhe 1.2 milion emigrantë të paligjshëm, duke e renditur të dytën në Europë pas Gjermanisë. Italia mban vendin e tretë, me rreth 458 mijë emigrantë të tillë.


GJKKO lë në burg shefin e Rrugores së Tiranës, Roven Zeka dhe Sokol Novakun

GJKKO ka lënë në burg shefin e Rrugores së Tiranës, Roven Zeka dhe atë të sektorit të Aksidenteve, Sokol Novakun, të arrestuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

 

Sipas organit të akuzës, ata u arrestuan pasi i kanë marrë ryshfet 2 mijë euro një shofereje që u përfshi në një aksident rrugor në Tiranë më 16 prill.

 

Sipas hetimeve nga SPAK, nga përplasja e dy automjeteve, 5 personat që udhëtonin në njërën nga makinat u dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja me iniciale A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Raportohet se efektivët e rrugores i kanë kërkuar familjarëve të shoferes me iniciale A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh që të mos e arrestonin.

Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga bashkëshorti i saj me ndihmën e personave të tjerë.

 

“Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit. Urdhri i ndalimit të shtetasve: E.T, S.N dhe R.Z është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro”, informon organi i akuzës.

XS
SM
MD
LG