Lidhje


Trump në takim me Netanyahun, sugjeron sërish zhvendosjen e palestinezëve

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka zhvilluar këtë të hënë një takim me homologun e tij izrealit Benjamin Netanjahu. Gjatë Takimit Trump u shpreh se lyfta duhet të marrë fund sa më shpejt.

 

Njësoj siç ka bër ëedhe më herët presidenti Trump e quajti Gazën një “pjesë të pasurive të patundshme shumë të rëndësishme” dhe thotë se një forcë paqeje e Shteteve të Bashkuara që “kontrollon dhe zotëron” Rripin e Gazës do të ishte një gjë e mirë.

 

Ai përsëri sugjeron marrjen e “palestinezëve dhe zhvendosjen e tyre në vende të ndryshme”, gjë që do të shtonte një histori të dhimbshme të zhvendosjes së detyruar.

Në vend të tyre, Trump thotë se do të krijonte “një zonë lirie” në Gaza.

 

Për momentin, Rripi i Gazës është “një vend i mrekullueshëm ku askush nuk dëshiron të jetojë”, u shpreh ai.

Izraeli nisi luftën pas sulmit nga Hamasi më 7 tetor të vitit 2023, kur luftëtarë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke marrë 251 pengje, sipas të dhënave izraelite.

 

Që nga ajo kohë, Izraeli ka vrarë mbi 50.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

I pyetur nëse do të përmbushë premtimin e fushatës për të përfunduar luftën në Gaza, Trump tha: “Do të doja ta shihja luftën të marrë fund, dhe mendoj se ajo do të ndalet në një moment, jo shumë larg në kohë.


Kina vendos tarifa kundërbalancuese për produktet e SHBA-së

Kina kundërpërgjigjet në luftën tregtare ndaj tarifave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Pekini vendos tarifa kundërbalancuese prej 34% për produktet amerikane.

 

Sipas Ministrisë Kineze të Tregtisë, tarifat shtesë për produktet nga SHBA do të hyjnë në fuqi më 10 prill. Përveç kësaj, do të vendosen kontrolle për eksportin e shtatë tokave të rralla, siç sqarohet nga Ministria e Tregtisë. Këto përfshijnë gadoliniumin, i përdorur në tomografinë e rezonancës magnetike dhe ittriumin, i përdorur në pajisjet elektrike. Elementët e Tokave të rralla janë thelbësorë për shumë produkte të teknologjisë së lartë, të tilla si telefonat celularë, dhe gjithashtu në industrinë e armatimit.

 

Përveç kësaj, Pekini ka futur në listën e zezë njëmbëdhjetë kompani amerikane, duke e bërë de fakto të pamundur që kompanitë e prekura të vazhdojnë tregtimin në Kinë ose me kompanitë kineze. Qeveria kineze gjithashtu planifikon të paraqesë një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për tarifat e SHBA.

Read more ...


Franca ngre alarmin: Konflikti ushtarak me Iranin mund të jetë i pashmangshëm

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, ka paralajmëruar se pa një marrëveshje për programin bërthamor, një konflikt ushtarak Iran mund të bëhet “pothuajse i pashmangshëm”. Gjatë një seance dëgjimore përpara Asamblesë Kombëtare më 2 prill, Barrot theksoi se nëse palët dështojnë të arrijnë një marrëveshje, mund të ketë një konfrontim ushtarak, i cili do të kishte pasoja të mëdha për stabilitetin e rajonit.

 

Komentet e tij erdhën në të njëjtën ditë kur presidenti francez, Emmanuel Macron, kryesoi Këshillin e Mbrojtes për situatën në Iran.

“Dhjetë vjet pas përfundimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin, besimi dhe angazhimi ynë mbeten të paprekura. Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore. Prioriteti ynë është të arrijmë një marrëveshje që do të kufizojë në mënyrë të përhershme dhe të verifikueshme programin bërthamor të Iranit,” tha Barrot.

 

Ministri francez theksoi gjithashtu se “dritarja e mundësive është e ngushtë”, pasi disa muaj mbeten deri në skadimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 në nëntor, që do të mund të çonte në rivendosjen e sanksioneve të OKB-së kundër Iranit.

 

Vërejtjet e Barrot vijnë pas deklaratave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili tha se do të kishte “bombardime në Iran në mungesë të një marrëveshjeje”.

Më 31 mars, Irani reagoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke e akuzuar SHBA-në për veprime “të pamatura”.

 

Këshilltari i liderit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Irani mund të ketë nevojë për armë bërthamore nëse sulmohet nga SHBA ose aleatët e saj, duke shtuar: “Ne nuk po shkojmë drejt armëve bërthamore, por nëse bëni diçka të gabuar, do të detyroni Iranin të shkojë drejt kësaj, sepse do të duhet të mbrohet.”

 

Në vitin 2015, Irani dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Rusia, SHBA, Franca dhe Britania e Madhe, ranë dakord për një marrëveshje që do të kontrollonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare. Megjithatë, SHBA-ja u tërhoq nga kjo marrëveshje nën drejtimin e presidentit Trump në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet amerikane.


Egjipti: Sulmet izraelite ndaj Sirisë, shkelje e sovranitetit të vendit dhe ligjit ndërkombëtar

Në një deklaratë me shkrim Ministria e Jashtme egjiptiane dënoi në mënyrën më të ashpër sulmet e fundit që Izraeli ka kryer ndaj territorit të Sirisë.

 

Egjipti ka reaguar ndaj sulmit të Izraelit në Siri, duke deklaruar se është shkelje e sovranitetit të Sirisë dhe ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim Ministria e Jashtme egjiptiane dënoi në mënyrën më të ashpër sulmet e fundit që Izraeli ka kryer ndaj territorit të Sirisë.

 

Sipas deklaratës, sulmet janë shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe se "shkelin edhe sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit duke përfituar nga situata Siri".

Egjipti u bën thirrje aktorëve ndërkombëtarë me ndikim që të "marrin përgjegjësinë e tyre për shkeljet e përsëritura të Izraelit si dhe të ushtrojnë presion mbi Tel Avivin që t'i japë fund pushtimit të territorit sirian dhe të respektojë Marrëveshjen e vitit 1974 për Ndarjen e Pushteteve".

 

Krahas më shumë se 14 sulmeve ajrore ndaj aeroportit të Hamës dhe zonave përreth tij mbrëmë, ushtria izraelite kreu sulme ajrore ndaj aeroportit ushtarak 'T4' në rajonin e Homsit, ndaj infrastrukturës ushtarake në kryeqytetin Damask si dhe sulme me mortaja dhe artileri në perëndim të qytetit Daraa dhe në kundërshtim me sovranitetin e Sirisë kërkoi çarmatosjen e rajonit jugor.


Mbi 39 mijë fëmijë palestinezë jetimë si pasojë e luftës izraelite në Gaza

Sipas Byrosë së Statistikave, të paktën 17.954 fëmijë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, përfshirë 247 foshnja të porsalindura dhe 876 foshnja nën 1-vjeç.

Më shumë se 39 mijë fëmijë palestinezë kanë mbetur jetimë si pasojë e luftës gjenocidale të Izraelit ndaj Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Në prag të Ditës së Fëmijëve Palestinezë, e cila shënohet më 5 prill, Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave tha se "39.384 fëmijë në Gaza kanë humbur njërin ose të dy prindërit pas 534 ditëve të gjenocidit izraelit".

 

Byroja tha se rreth 17 mijë fëmijë kanë humbur të dy prindërit në sulmet izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023. "Këta fëmijë jetojnë në kushte tragjike, më shumë prej tyre të detyruar të strehohen në tenda të grisura ose shtëpi të shkatërruara, me një mungesë pothuajse totale të kujdesit social dhe mbështetjes psikologjike", tha Byroja e Statistikave.

 

Nga atje theksuan se Rripi i Gazës "po vuan nga kriza më e madhe e jetimëve në historinë moderne". Sipas Byrosë së Statistikave, të paktën 17.954 fëmijë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, përfshirë 247 foshnja të porsalindura dhe 876 foshnja nën 1-vjeç.

 

"17 fëmijë kanë vdekur nga i ftohti në tendat që strehonin njerëzit e zhvendosur dhe 52 të tjerë humbën jetën nga uria dhe kequshqyerja sistematike", theksohet më tej. Byroja e Statistikave paralajmëroi se 60 mijë fëmijë përballen me vdekjen për shkak të kequshqyerjes dhe urisë në Gaza në mes të bllokadës vdekjeprurëse izraelite ndaj enklavës palestineze.

 

Po ashtu njoftohet se fëmijët nën moshën 18-vjeç përbëjnë rreth 43 për qind të popullsisë prej 5.5 milionë banorësh në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Të paktën 50.500 palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet ushtarake izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

 

Vetëm nga 18 marsi, pas fillimit të papritur të një fushate ajrore në Gaza, që prishi armëpushimin e 19 janarit, Izraeli ka vrarë të paktën 1.160 palestinezë dhe ka plagosur rreth 2.700 të tjerë. Nëntorin e vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

 

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet ushtarake në Gaza, ku që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 50.400 palestinezë.

 

XS
SM
MD
LG