Lidhje


SHEMBJA E VUÇIÇIT, MANUAL PËRDORIMI PËR NE NË TIRANË

 

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

 

Shkruan: Andi Bushati

Goditja e fortë që mori partia shtet e Aleksndar Vuçiçit në zgjedhjet e të dielës në Serbi ka rihapur një debat që gëlon prej kohësh edhe këtej në anët tona, atë nëse është e mundur që me anë të zgjedhjeve të hiqet qafe një regjim autokratik. Lista laramane e studentëve serbë, e përbërë nga profesorë, sportistë, buq dhe mjekë mendohet se ka fituar 135-140 deputetë në një parlament me 250 ulëse, duke krijuar kështu iluzionin se hesapet me një klikë uzurpatorësh mund të lahen përmes kutive të votimit.

 

Pushteti 13 vjeçar i progresistëve serbë i kishte të gjitha mjetet në dorë për të mos e bërë të mundur rotacionin. Ata kontrollonin jetën ekonomike të vendit dhe kishin në dispozicion ku e ku më tepër para sesa konkurentët e tyre që ndoqën taktikën e takimit derë më dërë me zgjedhësit. Ata kishin lidhje të forta me grupet kriminale, të cilët i patën përdorur për të luftuar me maska dhe hunj kundër protestuesve që marshuan pa u lodhur prej dy vitesh në rrugët e Beogradit, Novi Sadit e të qyteteve më të vogla. Ata dominonin një apparat mediatik TV=sh e gazetash, publike dhe private, që bënte nga mëngjesi në darkë propagandën e autokratit. Ata patën vënë nën thundër kompanitë e sondazheve shumica prej të cilave, deri në ditët e fundit, kishin parashikuar një garë me foto finish dhe jo rezultatin e qartë që kemi para syve sot.

 

Atëherë pyetja ngrihet: Si u bë e mundur shembja e Vuçiçit? A mjafton një opozitë e re, e besueshme, një mobilizim popullor që të ngadhënjësh në zgjedhje jo të lira, jo të drejta dhe jo të barabarta, ashtu siç janë kurdoherë nën një regjim autokratik? Natyrisht që jo! Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se si ky lloj pushteti nuk mund të mposhtet në rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tij, përmes metodash që në pjesën e tyre më të madhe konsiderohen të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi.

 

Në fakt, për të kuptuar mrekullinë e këtij 25 tetori, nuk mjafton të shohësh vetëm rezultatin që po del nga kutitë, por gjithë trajektoren dyvjeçare të një përplasjeje epike. Që kur në nëntorin e 2024-ës, rënia e një strehe stacioni treni në Novi Stad shkaktoi 16 viktima, vendi ynë fqinj nuk gjeti paqe.

 

Studentët të mbështetur më pas edhe nga qytetarët bllokuan akset kryesore të vendit, u treguan të gatshëm të përleshen me policinë, poushtuan universitetet, dogjën selitë e partisë në pushtet. Ata iu rezistuan persioneve të shumta, shkopave të gomës, gazit lotësjellës, makinave me ujë dhe topave shurdhues. Ata u kacafytën me paramilitarët e maskuar dhe iu përgjigjën dhunës së tyre me dhunë. Ata i përqeshën etiketimet e Vuçiçit, që ngjajnë si dy pika uji me ato të Edi Ramës sot.

 

Edhe autokrati serb i akuzoi kundërshtarët e tij si nazistë, pastaj se i shërbejnë interesave të huaja, më tej se po duan të zbrapsin përparimin e vendit, duke i tallur se janë pak dhe të pa organizuar. Përgjigjja që ata shtruan para shoqërisë qe e qartë, ose zgjidhni të ardhmen e Serbisë, ose zgjidhni mafien.

 

Ky dyluftim i fortë, herë paqësor e herë i dhunshëm, herë masiv e herë më pak i tillë, filloi ta gryejë pushtetin e autokratit serb. Vuçic u bë i pabesueshëm pasi vendosi ta identifikojë veten me kombin dhe ta shiste si të vetmin përparim për të ardhmen e tij. Ai u bë qesharak kur i vizatoi ata studentë xhenuinë si “terrorisë”, “fashistë”, “tradhëtarë”. Ai e humbi besimin si faktor stabiliteti kur nuk arriti ti mposhtë dot, as me dhunën e policisë, as me shkopat e paramilitarëve që dilnin në qytet për të goditur të rinjtë. Atij iu rrënua kulti i pathyeshmërisë, kur demostruesit guxuan ti digjnin selitë e PSP-së dhe kur ata pushtuan universitetet duke u bashkuar dhe me pedagogët.

 

Pra, po ta ndjekësh hap pas hapi trajektoren e këtij revolucioni serb ajo nuk është thjeshtë historia e një autokrati që rrëzohet përmes zgjedhjesh, por përpjekja e një beteje të përditshme, shpesh të ashpër dhe të dhunshme, shpesh inteligjente dhe paqësore, për ta grryer, mpakur, tkurur e telendisur pushtetin e tij. Në 25 tetorin e tanishëm u arrit vetëm pas këtij procesi dy vjeçar që u desh, po aq sa për të grisur përfundimisht kartolinën e propagandës së Vuçiçit edhe sa për të vrarë frikën duke rrëzuar mitin e njeriut që mbështetet nga të fortët.

 

Në këtë kuptim, mrekullia serbe mund të shërbejë si një manual përdorimi për këdo që ka përqafuar, këtu tek ne, fillimisht revolucionin e flamingove, e më pas kthesën e tij të pashmangshme radikale. Të gjithë ata që e duan suksesin e tij nuk kanë pse joshen nga sirenat mashtruese të atyre që predikojnë se, studentët duhet të krijojnë parti, se flamingot duhet të zgjedhin përfaqësi për të dialoguar me pushtetin, pasi në demokraci gjithçka vendoset vetëm me zgjedhje.

 

Shembulli që na vjen nga Beogradi është se, po gjithësei, tek zgjedhjet do të arrihet një ditë, por se pikë së pari duhet vijuar me rrugën e nisur në Tiranë. Atë të tronditjes së ditëpasditshme të regjimit, atë të provokimit për të shpërfaqur në sy të të gjithëve anën më kriminale dhe të çmendur të tij, atë të përplasjes, për ta dobësuar sa më tepër, përpara së të mbërihet tek kutitë e votimit.

 

Autokrati ynë, që prej vitesh paguan të njëjtët spin doctors-a si vëllu i tij sllav, deri më tani ka ndjekur po ato kundërpërgjigje të gabuara si Vuçiç. Ai e ka barabitur veten me shtetin, ka përqafuar teoritë e komplotit të një dore të huaj, i ka denigrur protestuesit dhe ka përdorur mjetet më të dhunshme që disponon për të mpshtur demostruesit.

 

Por kjo ka prodhuar vetëm një efekt, rrënimin përfundimtar të fasadës si demokrat dhe nga ana tjetër, vrasjen e frikës prej dhunës së tij. Prandaj, ne jemi sot, pak a shumë si Sebia e gati një apo dy viteve më parë dhe nëse dimë të ndjekim më vendosmëri të njëjtën rrugë, atëhere dhe regjimi ynë mund të shembetet vetvetiu, pa pasur parti që e konkurojnë në zgjedhje, por thjeshtë nga një listë profesorësh, mjekësh, apo zanatçinjsh të zgjedhur thjeshtësisht nga përfaqësi studentësh, merita e të cilëve qe se e telendisën aq shumë klikën e Vuçiçit, sa i shndërruan votimet pothuajse në formalitet.

 


Rasti i Arlindës, Musliu sjell shembullin e Pejgamberit për rolin e gruas në jetën e burrit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Osman Musliu, ka folur për herë të parë në Kuvend, duke e nisur fjalën me një reagim për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

 

Musliu ka thënë se kishte shpresuar që fjalën e tij të parë në Kuvend ta niste me ndonjë lajm të mirë për Kosovën, e jo me një tragjedi të tillë.

 

Gjatë fjalimit, ai ka kritikuar mentalitetin që gratë vazhdojnë të trajtohen si pronë nga bashkëshortët, në vend që të shihen si partnere dhe shoqe jete, transmeton Klankosova.

 

“Ajo nuk është pronë, është dashuria, bashkëshortja, nëna e fëmijëve tanë. Disa burra, bashkëshorten ende e shohin si pronë, jo si shoqe të jetës”, ka deklaruar Musliu në Parlament.

 

Ai ka thënë se nëse gratë nuk ndihen të lira në familje, në rrugë dhe në vendin e punës, atëherë shoqëria nuk e ka kuptuar përgjegjësinë që ka në raport me to.

“Me ndryshu mentalitetin, duhet ta dimë se ky mentalitet fillon me ndryshu në familje, në shkolla, në kisha, xhamia, në punë, kudo”, ka thënë ai.

 

Musliu ka përmendur edhe një mësim nga jeta e profetit Muhamed, duke kujtuar rëndësinë e bashkëshortes si shoqja më e afërt e jetës dhe mbështetja e njeriut.

“Pejgamberi herën e parë kur ka qajtë, dhe e ka quajtur viti i dëshpërimit ka qenë viti kur i ka vdekur bashkëshortja, ai ka thënë: ka qenë shoku më i ngushtë i jetës”, theksoi deputeti i VV-së.


Dëshmia e ish-sigurimsit: Si e përdorëm Edi Ramën në ’90 për profilin e tij “sociopat”

 

Kujtimet e ish-oficerit të Sigurimit të Shtetit Bujar Sh. Hoxha hedhin një dritë të fortë mbi mënyrën se si aparati i regjimit ndërhyri në lëvizjen politike të viteve 1990-91 duke perdorur personazhe si Edi Rama, per te cilin ishte mbledhur informacion mbi sjelljen, karakterin dhe kontaktet e tij.

 

Ai profilizohet si një personazh konfliktual, impulsiv, me prirje për dominim dhe i përshkruar edhe si “sociopat”.

"Nuk duronte asnjë rival, të vërtetë ose imagjinar. Anarkist deri në palcë, nuk pëlqente ligjin, rregullin, kënaqej kur dilte mbi të tjerët, dominimi i pushtetit të tij duhej të ndihej nga të gjithë. Tek ai në mënyrë të habitshme shfaqeshin periudha të gënthyerit patologjik pa arsye, kishte një përfytyrim të lartë për veten dhe një qëndrim kontradiktor ndaj sigurisë së vet"- e pershkruan ish-sigurimi

 

Teksti i plote nga kujtimet e B.Hoxhes

“Kështu ndodhi me mitingun e bërë nga Partia Demokratike pas themelimit, në sheshin "Gensher" pranë ish-stadiumit kombëtar "Qemal Stafa", ku do regjistrohej edhe fjalimi arrogant i Edi Ramës, i cili bënte thirrje për destabilizim. Stili i të shprehurit synonte opinion depërtues, duke imponuar modelin karakteristik të mendimit anarkist. Në fytyrë i përdridhej një përcëmim i fryer, që të jepte alergji. Ai kishte një oratori të egër që e shfaqte me karagjozllëk irritues.

 

U mendua të niste procedimi për të, por informacioni i dërguar në ministri, ishte parë nga Ramiz Alia duke lënë porosi të thirrej e të lihej i lirë, si djali i Kristaqit. E vërteta është se me këtë njeri, kundërzbulimi ishte marrë para disa muajsh dhe kishte çelur një fashikull të dyshimtë. Bëhej fjalë për qëndrimin disi të gjatë të tij në Greqi. Burimi ynë informativ i sapokthyer në fund të muajit gusht sinjalizoi takimin e tij me E.Ramën në Athinë dhe dëshirën e tij për të qëndruar përgjithmonë apo "zarare" të tjera. Nga verifikimet në terren rezultoi se vuante nga astma dhe sociopatia patologjike.

 

Doktori që e kuronte pak fshehurazi, ishte profesor i nderuar, më dukej se kishte mbiemrin Ylviu. Ai i kishte shpjeguar kundërzbuluesit se klienti i tij ishte sociopat i lindur, por i suksesshëm, ama duhet trajtuar klinikisht dhe në kartelën e hapur kishte shënuar diagnozën “sociopat me simptoma patologjike“. I ati, Kristaq Rama mori takim me shefat e kundërzbulimit dhe garantoi kthimin e tij nga Athina, duke u justifikuar se e kishte dërguar në Greqi edhe për një vizitë mjekësore.

 

Në civinë “operative“ u futën shumë materiale dhe fakti që fjala e tij në këtë miting shkelte ligjin për simbolet kombëtare, miratuar ekstra nga Parlamenti. U gjykua të thirrej, por nuk morën parasysh faktin se nuk qëndronte në rrjesht. Nisi të bëjë thirrje të hapura për hakmarrje ndaj komunistëve. Morali i tij quhej si leckë e vjetëruar, kësisoj, do dallohej për pikëpamje radikale.

 

Kundërzbulimi e dinte, çudia ishte tek ata lart, që nuk besonin karakterin e tij të deformuar. Dhe në këtë rast, babai i tij vetëm se na vështronte me përulje. Debatet në Liceun e Arteve nisën me taktika agresive dhe do shuheshin për shkak të grindjeve acaruese, duke e cilësuar “shakaxhiu i përparimit“. Nuk duronte asnjë rival, të vërtetë ose imagjinar. Anarkist deri në palcë, nuk pëlqente ligjin, rregullin, kënaqej kur dilte mbi të tjerët, dominimi i pushtetit të tij duhej të ndihej nga të gjithë. Tek ai në mënyrë të habitshme shfaqeshin periudha të gënthyerit patologjik pa arsye, kishte një përfytyrim të lartë për veten dhe një qëndrim kontradiktor ndaj sigurisë së vet.

 

"Artisti" raportonte edhe për ekspozimin e shijeve sensacionale, duke këmbëngulur manifestimin e sjelljeve të tij si transvetit dhe me shije homoseksuale. Entuziazmin tek "refleksionet" kundërzbulimi e shikonte si "tabllo të zymtë", këtë njeri e tregonte si racist, harbut me steriotipin e një radikali të pandreqshëm, kur dilte nga vetja luante rolin e një rrugaçi nate. Ai nuk e fshihte qëndrimin e skajshëm kritik ndaj sistemit dhe politikës komuniste, por i mungonte brumi për t'u bërë i besueshëm. "Komunistët në litar" ishte deviza e tij. Ëndërronte të shkëlqente duke u matur me këdo, vetëm të ishte i pari në gjithçka e kudo.

 

Edhe pse hapur paraqitej antikomunist i egër nuk pëlqehej nga S.Berisha. Angazhimi i tij me Partinë Demokratike si personazh niveli, për këtë arsye, nuk zgjati as një vit. Përpjekjet e tij zvarritëse për fitimin e dafinave politike nuk u kurorëzuan. S.Berisha do urdhëronte "shporrjen e telallit", "me shkelma në prapanicë do ironizonte "Skifteri". Edhe shokët e afërt do ndjenin një farë bezdie dyshuese ndaj dredhive dhe vrullit, ndaj i kthyen shpinën. ..."As macen nuk do t'ja besoja ta ruante", citonte "Artisti". Ishte i arsimuar mirë dhe kishte mendje krijuese, prandaj kundërzbulimi e zgjodhi nga rradhët e arteve, ku qëndroi për shumë vite, deri në mesin e viteve '92.

 

Ndryshe nga ekipi i parë në Partinë Demokratike, ai mbeti aventurier i vetmuar, që nuk përfaqësonte ndonjë filozofi mendimi.

Anonte haptazi nga anarkizmi banal me frymë imponimi, pa arritur të shfaqte rrymë të besueshme intelektuale, krijonte emocione të momentit por instiktet me përmbajtje hipnoze e çonin në përbuzje. Shfaqej i nervozuar në komunikime, imponohej para të tjerëve me monologë të zgjatur pa ruajtur etikën për të dëgjuar përgjigjen.

 

I lindur me sëmundjen e sociopatisë, orientimi i tij paranojak do ta shtynte thellë e më thellë në vetmi politike me hamendësime shëndetësore. Propaganda për përgjimet po kthehej në paranojë, ndaj nisën sulmet për të djegur zyrat e SSH.

 


"Na paguajnë transportin, paratë i marrim pas votimit", dëshmitë nga Kosova: 100 euro për të votuar partinë e Vuçiç në Serbi

 

Qytetarëve serbë dhe pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që jetojnë në Kosovë dyshohet se po u ofrohen nga 100 euro për të votuar partinë e Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Sipas KosovaPress, e cila ka siguruar dëshmi nga qytetarë që kanë folur në kushte anonimiteti, përveç pagesave po organizohet edhe transporti i votuesve drejt Serbisë, ndërsa disa prej tyre pretendojnë se po përballen me presione dhe kërcënime.

 

Një qytetar nga Plemetini ka treguar se një autobus, pasi kishte dërguar një grup votuesish drejt Serbisë, ishte kthyer për të marrë të tjerë. Sipas tij, shpenzimet e udhëtimit mbulohen nga organizatorët, ndërsa 100 eurot u premtohen votuesve pasi të kenë votuar për Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

 

Burime të KosovaPress brenda institucioneve të sigurisë pretendojnë se ndaj disa serbëve që jetojnë në Kosovë po ushtrohet presion edhe përmes ndihmave që marrin, duke i kushtëzuar ato me votën për partinë e Vuçiç.

 

“Paratë për këto pagesa janë siguruar nga Milan Radoiçiç. Mesazhet kërcënuese, presionet dhe shantazhet ndaj votuesve në Kosovë po përcillen nga struktura ilegale serbe dhe përfaqësues të Listës Serbe”, ka deklaruar një burim për KosovaPress.


Sipas të njëjtave burime, në organizimin e transportit dhe lëvizjen e votuesve në zonën kufitare janë përfshirë edhe persona të një grupi të lidhur me Radoiçiçin, të njohur si “MC”.

 

Votuesve u janë dhënë gjithashtu udhëzime se si të votojnë dhe u është thënë se vota e tyre mund të kontrollohet për të verifikuar nëse kanë mbështetur SNS-në.

KosovaPress raporton edhe për një rritje prej më shumë se 20 mijë personash të regjistruar si votues nga Kosova, sipas burimeve të saj.


Fundi i pushtetit të Vuçiç, ja si ndahen deputetët në Parlamentin e ri serb dhe sa mandate fituan shqiptarët

 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën sot në Serbi. Lista "Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar" humbi zgjedhjet, ndërsa "Lista e Studentëve" fitoi duke siguruar mbi 52 për qind të votave.

 

IPSOS dhe Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (Cesid) publikuan një projeksion të shpërndarjes së mandateve për Asamblenë Kombëtare bazuar në afro 67 përqind të votave të përpunuara, sipas të cilit "Lista e Studentëve – Studentët Fitojnë" ka marrë 139 mandate.

 

Lista "Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar" fitoi 104 mandate.

Vuçiç deklaroi se ai kishte korrur fitore sidomos në Kosovë ku tha se serbët e atjeshëm kishin votuar masivisht për të.

 

Kurse lista "Unioni i Hungarezëve të Vojvodinës – Balint Pastor" fitoi tre mandate.

Lista "Koalicioni Shqiptar" ka marrë dy mandate.

 

"Rasim Ljajić – Ljudski (SDP-CDP)" dhe "SDA Sanxhak – Gardianët e Sanxhakut" kanë nga një mandat.

Të gjitha listat e tjera nuk fituan asnjë mandat dhe mes tyre edhe kryetari i Parlamentit serb, ish ministër i Brendshëm dhe kryetar i Partisë Socialiste serbe që nga 2003.

 

Ivica Daçiç, mbajtësi i listës së Partisë Socialiste të Serbisë, foli nga selia zgjedhore e kësaj partie pasi u shpallën rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare.

Ai pohoi se kjo parti dhe aleatët e saj në listë nuk e kaluan pragun elektoral dhe nuk do të përfshihet në parlamentin e ri të Serbisë.

XS
SM
MD
LG